Studimi/ Nëse keni pasur simptoma të lehta nga COVID-19, mund të keni më shumë imunitet

Një studim i kryer nga Universiteti i Uashingtonit në St Louis ka dalë në përfundimin se personat që e kanë kaluar koronavirusin me simptoma të lehta kanë antitrupa gati një vit pas shërimit.

Ky studim rrëzon pretendimet e mëparshme, sipas të cilave antitrupat mund të largoheshin në një periudhë më të shkurtër kohe. Studimi ka dalë në përfundimin se qelizat imune vijojnë të krijojnë antitrupa edhe pas rënies së nivelit të antitrupave.

Rezultatet tregojnë se pacientët kishin antitrupa deri në 11 muaj pasi kishin kaluar Covid-19, ekipi që mori pjesë në studim tha se antitrupat mund të qëndrojnë edhe për të gjithë jetën te këta pacientë.

“Vjeshtën e kaluar, pati raportime se antitrupat ndaj koronavirusit mund të largoheshin në një periudhë të shkurtër pas infektimit. Megjithatë, ky ka qenë një keqinterpretim i të dhënave. Niveli i antitrupave ulet, por nuk zbresin në zero, ata qëndrojnë inaktivë. Ne zbuluam qeliza që prodhojnë antitrupa edhe 11 muaj pas simptomave të para. Këto qeliza do të jenë aktive dhe do të prodhojnë antitrupa gjatë gjithë jetës. Kjo është një provë e fortë për një imunitet afatgjatë”, u shpreh Doktor Ali Ellebedy, autori kryesor i këtij studimi, i cili u publikua në revistën “Nature”.

77 ishin personat që u studiuan. Kryesisht, ata ishin me simptoma të lehta, ndërsa vetëm 6 prej tyre ishin shtruar në spital. Atyre ju morën mostrat e gjakut çdo 3 muaj. Në muajt e parë, niveli i antitrupave u ul, megjithatë ato nuk u zhdukën, por u bënë inaktive.