Nga BoldNews.al
Lali Eri ia doli! Kur e gjithë vëmendja ishte nga zgjedhjet, bashkia vijoi me shpejtësi për të vënë në jetë një nga projektet që do të betonizojë dhe do të ngrejë kulla më afërsi të Liqenit Artificial të Tiranës. Mushkërisë së vetme të mbi 1 milionë banorëve.
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews, Bashkia e Tiranës ka njoftuar fituesin e një tenderi rruge. Në plan të parë, tenderi duket i zakonshëm, për shërbime publike. Dhe, do të bëhet një rrugë dhe pedonale që do të kushtojnë mbi 2 milionë euro. Por, “hileja” qëndron pikërisht te dokumentet shoqëruese. Lali ka vepruar me përpikmëri. Rruga dhe pedonalja do të kalojnë të gjitha në territorin ku është Garda e Republikës. Madje, gjurma e rrugës dhe pedonales janë në të gjitha mbi godinat e Gardës, duke i hapur rrugë prishjes së tyre për interesa përsonale të Lali Erit, apo të ndonjë oligarku që ia ka vëmë syrin këtij territori. Dhe, duke u prishur godinat, apo edhe disa prona private, do të krijohet një truall. Pikërisht, në këtë truall, kanë dalë projektet e para të ndërtimit të kullave shumëkatëshe.
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews, disa ditë më parë Bashkia e Tiranës ka shpallur fituesin e tenderit me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor dhe pedonales nga sheshi “Frederik Shopen” deri në kryqëzimin me rrugën e “Kosovarëve”. Fondi për këtë tender është 225,517,226 lekë. Kohëzgjatja e kontratës është 16 muaj kalendarike, duke nisur nga dita e lidhjes së kontratës.
Firma fituese e këtij tenderi është “BE – IS”, e cila kishte një ofertë prej 135,070,635. Por, pakkujt i interesonte të “bënte lekë” me tenderin. “Lali Leku”, siç e quajnë disa, ka synime të tjera për zhvillimin e zonës. Dhe, duke larguar Gardën e Republikës nga ky territor, atij i hapet oreksi për më shumë. Pikërisht për kullat aq të dëshiruara nga ai dhe Rama, që do e betonizojnë dhe mbipopullojnë zonën më të kërkuar për ndërtime në Tiranë.
Duke hulumtuar dokumentet e këtij tenderi, konstatuam se i gjithë segmenti i kësaj rruge do të jetë në territorin aktual të Gardës së Republikës. Ja çfarë shkruhet në dokumentet e vetë Bashkisë së Tiranës, që në fakt janë bërë në vitin 2019.
“Objekti kalon në gjurmë tërësisht të re. Terreni ku segmenti në fjalë parashikohet të kalojë është shpati kodrës, në krah të Parkut të Liqenit, i cili përfshihet brenda territorit të Ish Gardës. Si rezultat i ndërtimit të kësaj gjurme, janë parashikuar të realizohen prishje të disa objekteve; si godina, kapanone, mure rrethues, rrethime të ndryshme si dhe të tuneleve të nëndheshme, brenda territorit të Gardës”, thuhet në këto dokumente.
Sipas dokumenteve që ka siguruar BoldNews, tenderi ka edhe gjurmën ku do të kalojë kjo rrugë. Madje, parashikon se çfarë do të prishet. Sipas hartës, Veliaj e ka kaluar rrugën anës Gardës së Republikës, ngjitur me pallatet 5-katësh. Këtu parashikon që të prishë disa objekte banimi. Ndërkohë, do të bëjë një pedonale mes për mes Gardës së Republikës, teksa pedonalja është me valëzime. Por, ajo që bie në sy është se pedonalja do të kalojë më të gjitha godinat ekzistuese të Gardës së Republikës, çka detyrimisht do ti shkatërrojë ato. Veliaj e ka projektuar në mënyrë që çdo gjë të rrafshohet. Dhe, pas këtij veprimi del në dritë pikërisht projekti madhor që ka hartuar që në momentin e parë që mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës; ndërtimin e kullave shumëkatëshe në territorin e Gardës së Republikës dhe Kodrave të Liqenit Artificial?!