Prokurori i Korçës, Gentian Stoja dha shpjegime gjatë seancës dëgjimore për shitjen e dy mjeteve më shtrenjtë nga sa i kishte blerë; për gjendjen cash; për dy vlera të konsiderueshme të disponuara nga bashkëshortja dhe kërkoi rishikimin e balancës negative për pasurinë.
Stoja u përball në seancë me një raport negativ të DSIK, gjetjet për vendimet e pushimit dhe mosfillimit të disa çështjeve dhe një rast të mundshëm konflikti interesi në hetimin e një shtetasi, me vëllain e të cilit deklaroi se kishte udhëtuar rastësisht në Greqi.
Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Stoja kryesohet nga Xhensila Pine me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe atënar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.
Gentian Stoja e ka nisur karrierën në vitin 2000 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në vitin 2009 dhe prej asaj kohe vazhdon ta ushtrojë funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Korçë. Aktualisht, Stoja është në garë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Korçës.
Gjetjet për pasurinë
Komisioni nuk ka gjetur probleme në një apartament me sipërfaqe 89.76 m2 në Korçë, të dhuruar subjektit nga prindërit dhe motra. Ndërkohë, relatorja Sanxhaktari evidentoi mungesë burimesh financiare për blerjen e një automjeti tip “Volkswagen Sharan” në vitin 2012 kundrejt çmimit 700 mijë lekë, që e ka shitur në 2018-ën në vlerën 6500 euro.
“E ka shitur më shtrenjtë pas 6 vitesh përdorimi”, theksoi Sanxhaktari. Ajo sqaroi se subjekti ka pasqyruar në deklaratën veting burim tjetër nga ai i vitit 2012 dhe bazuar në deklarimin periodik ka rezultuar se Stoja ka qenë në pamundësi për blerjen e këtij mjeti.
Stoja deklaroi se mjeti kishte qenë me 7 vende dhe se i kishte pakësuar ndenjëset për të ulur vlerën e taksave vjetore. Ai sqaroi se këtë mjet ia kishte shitur një shoqërie që kishte nevojë të transportonte punonjësit dhe se ishte rënë dakord për çmimin 6500 euro. “Pagesa është kryer nëpërmjet transfertës bankare”, theksoi Stoja.
Nga hetimi ka rezultuar e njëjta situatë edhe për një tjetër makinë tip “Honda” që Stoja e ka blerë në vitin 2006 për shumën 100 mijë lekë dhe e ka shitur në 2012-ën për çmimin 450 mijë lekë. Sanxhaktari sqaroi se kjo shumë është deklaruar si burim për krijimin e pasurive të tjera. Ajo vijoji se subjektit i është kërkuar që të vërtetojë se vlera e shitjes së këtij mjeti nuk është fiktive.
Prokurori Gentian Stoja kërkoi që në analizën financiare të konsiderohej vlera e përfituar nga shitja e automjetit tip “Honda”. Ai shpjegoi se makinën e kishte blerë në kushte favorizuese nga një miku i tij i ngushtë dhe se e kishte shitur aq sa kishte vlerën. Stoja argumentoi se legjislacioni që parashikon amortizimin e sendit ka si subjekte shoqëritë që kanë qëllime përfitimi dhe jo një person privat.
Ai solli në vëmendje se automjetet e viteve ’70 apo ’80 shiten me shtrenjtë nga vlera e tyre fillestare.
Në seancë u tha se subjekti ka deklaruar gjendje cash në shumën 1.1 milion lekë në deklaratën veting, ndërkohë që në 2009-ën ka deklaruar se kishte kursime në cash në shumën 15 mijë euro. Sanxhaktari vërejti se subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash para vitit 2005, edhe pse ka qenë subjekt deklarimi. Ajo vijoji se KPK e ka pasur të vështirë të analizojë burimet e gjendjes cash 15 mijë euro të deklaruar në 2009-ën, pasi Stoja nuk kishte qenë subjekt deklarimi nga viti 2005 deri sa është emëruar si prokuror.
Sipas KPK, subjekti nuk ka deklaruar pakësime të gjendjes cash në vite.
Stoja shpjegoi në seancë se nuk i kishte deklaruar ndryshimet e gjendjes cash në vite, pasi kishte menduar se me pasqyrimin e blerjes së mjetit dhe shpenzimeve ishte paraqitur edhe pakësimi i cash-it.
Ai këmbënguli se kishte pasur burime të mjaftueshme për krijimin e vlerës 15 mijë euro pasi i ati kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme si ish-ushtarak i lartë, ndërkohë që vetë kishte qenë beqar dhe nuk kishte pasur shpenzime ekstra.
Stoja kërkoi ripërllogaritje të shpenzimve TIMS duke pretenduar se, në një udhëtim në Greqi në vitin 2006 ishte mirëpritur në një manastir dhe se kishte pasur vetëm shpenzime udhëtimi. Gjithashtu, ai pretendoi se në vitin 2006 ishte fejuar dhe kur shkonte në shtetin fqinj qëndronte tek prindërit e bashkëshortes.
Gjatë relatimit u evidentuan edhe dy vlera të deklaruara nga subjekti se janë disponuar nga bashkëshortja.
Stoja ka deklaruar në 2009-ën se bashkëshortja dispononte një shumë 4.4 milionë lekë që sipas tij përfaqëson të ardhurat e përfituara nga vjehrri dhe vjehrra prej dhënies me qira të një apartamenti në Durrës. Gjithashtu, ka deklaruar se prindërit dhe motra e bashkëshortes i kanë dhuruar kësaj të fundit një shumë 50 mijë euro në formën e pajës, kur ishin martuar.
Sanxhaktari tha se nuk janë deklaruar në vite shpenzimet e këtyre shumave dhe kthimi i tyre, që është shpjeguar për herë të parë në vitin 2016 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI.
Në seancë u ngritën dyshime se deklarimet në vitin 2009 për disponimin e këtyre shumave mund të ketë qenë fiktive, ose ka pasur përpjekje për fshehje në vitet në vazhdim, pasi nuk janë pasqyruar në deklarime shpenzimet apo kthimi i tyre.
Sanxhaktari tha se subjekti nuk provon plotësisht mundësinë e krijimit të vlerës 50 mijë euro të dhuruar bashkëshortes nga familjarët, si dhe nuk ka depozituar dokumentacion për kontratat e qirave të apartamentit në Durrës dhe për përfitimin e shumës 4.4 milionë lekë.
Subjekti ka deklaruar se bashkëshortja ka disponuar edhe një shumë 1.2 milionë lekë të përfituar nga qiraja e apartamentit të babait të saj në Durrës. Komisioni ka konstatuar se veç pamundësisë për të vërtetuar me dokumentacion egzistencën e kontratës së qirasë dhe përfitimin e shumave të pretenduara, nuk ka rezultuar të jenë paguar as detyrimet tatimore për këto vlera.
Sanxhaktari sqaroi se Stoja ka deklaruar se përfituesit direkt të këtyre vlerave kanë qenë prindërit e bashkëshortes dhe se duhej ti kishin paguar ata taksat.
KPK nuk i ka përllogaritur këto të ardhura në analizën financiare të përgjithshme prej nga ka rezultuar balancë negative totale në shumën 1 milion e 639 mijë lekë.
Edhe gjatë seancës dëgjimore Stoja këmbënguli se vlera 4.4 milionë lekë dhe dhurata 50 mijë euro vetëm sa ishin disponuar nga bashkëshortja dhe se u ishin kthyer prindërve të saj.
Ai shpjegoi se shuma 50 mijë euro i ishte dhuruar bashkëshortes me qëllim kontributin në blerjen e një apartamenti të bollshëm për familjen e re, por pas transferimit në shtëpinë e prindërve të tij, e kishin konsideruar të panevojshme dhe e kishin kthyer.
Stoja deklaroi se prindërit e bashkëshortes kanë pasur mundësi për krijimin e vlerës së dhuruar dhe se nuk kishte kryer deklarime të rremë apo fshehje të ardhurash. “Nuk mund të penalizohem për të ardhura te prindërve të bashkëshortes kur unë nuk e njihja fare”, theksoi ai.
DSIK me dy raporte
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka disponuar me dy raporte të kundërta për prokurorin Gentian Stoja. Ndryshe nga raporti i parë në të cilin konstatohej përshtatshmëria e subjektit të rivlerësimit për të vazhduar detyrën, në të dytin janë ngritur dyshime për veprime korruptive, ndikim në disa çështje dhe kontakte të papërshtatshme.
Sanxhaktari sqaroi se vetëm dy nga dosjet e referuara rezulton të jenë hetuar prej Stojës. Ajo vijoi se nga hetimi i deritanishëm i KPK-së nuk janë identifikuar kontakte të papërshtatshme.
Relatorja evidentoi se janë konstatuar udhëtime të shpeshta të Stojës në shtetin grek dhe se subjekti ka shpjeguar se prindërit e bashkëshortes jetojnë në Selanik dhe shkojnë atje për vizita ose për pushime.
Komisioni konstatoi se subjekti ka përdorur një automjet të sekuestruar pa autorizim të eprorit. Ndërkohë, nga verifikimi ka rezultuar se ndaj tij nuk ka qenë i regjistruar ndonjë procedim penal. Për dy kallëzime të depozituara nga SPAK në vitin 2020, është vendosur mosfillimi i hetimit.
“Raporti i dytë i DSIK nuk qëndron ashtu si konstauat edhe ju. Nuk ka asnjë prokuror që të mundet të më akuzojë se kam ndërhyrë në zgjidhjen e çështjeve konkrete. Gjatë gjithë karrierës time nga 2000 deri tani nuk kam pasur asnjë rast korruptimi, veprime të paligjshme apo ndikim. Në fund u bëra papritur pjesëtar i krimit të organizuar…. Kjo nuk i përshtatet natyrës time”, deklaroi Stoja.
Lidhur me përdorimin e mjetit të sekuestruar, subjekti sqaroi se e kishte përdorur së bashku me një oficer policie për kryerjen e veprimeve proaktive të fshehta, me qëllim që të mos diktoheshin pasi kishin vëzhguar punonjës policie e doganierë, operacion që sipas tij ishte konkluduar me arrestimin e 7 prej tyre.
Profesionalizimi
Relatorja Sanxhaktari tha se subjktit i janë kërkuar shpjegime për një vendim pushimi të një procedimi të vitit 2015, që më pas është shfuqizuar dhe personi i kallëzuar është shpallur fajtor.
Stoja deklaroi në seancë se vendimet e shfuqizimit ishin kryer nga drejtuesi i asaj periudhe, prokurori Kol Hysenaj. “[…]Dhe kanë qenë tendencioze se si janë shfuqizuar”, deklaroi ai dhe vijoi se pas rihetimeve kishin mbetur në fuqi vendimet e tij.
Nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se Stoja ka kryer udhëtime me mjete të personave të ndryshëm.
Ndaj disa prej poseduesve të këtyre automjeteve ka rezultuar se janë regjistruar procedime penale. Në një rast është konstatuar se Stoja ka hetuar dhe pushuar procedimin ndaj një shtetasi me vëllain e të cilit ka udhëtuar jashtë shtetit në vitin 2012.
Pyetjes së relatores Sanxhaktari, se nëse mendonte se ishte gjendur në konflikt interesi në hetimin e çështjes së vëllait të personit me të cilin kishte udhëtuar në Greqi, Stoja iu përgjigj se gjithçka kishte qenë e rastësishme dhe se kishte ndodhur dy vite para procedimit. Ai deklaroi se makina e tij kishte pësuar defekt dhe kishte udhëtuar me vëllain e shtetasit V.J. në mënyrë rastësore dhe se nuk e kishte takuar më.
Ndaj prokurorit Stoja janë depozituar gjithsej 8 denoncime, ku në një prej tyre anonim, i është kërkuar Komisionit të verifikojë shfuqizimet e vendimeve të mosfillimit dhe pushimit të marra nga subjekti gjatë viteve 2015-2016.
Në vijim, Sanxhaktari relatoi edhe disa denoncime të tjera, ku u evidentua se vendimet e pushimit apo mosfillimit të disponuara nga prokurori Gentian Stoja gjatë periudhës pas ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, ishin rrëzuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe apelit që kishin vendosur kthimin e akteve dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
“Gjatë gjithë karrierës time si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si prokuror kam kërkuar gjithmonë dënime maksimale. Këtë e kam bërë në varësi të faktit dhe veprës penale duke u mbrojtur të gjitha të drejtat e këtyre personave. Ka vetëm 3 pafajësi dhe në fillim të punës time”, deklaroi subjekti.
“Kam kryer detyrën me përkushtim dhe kam pasur qëllim të respektoj të drejtat njerezore. Kam dashur ti trajtoj të gjithë me dinjitet, ky ka qenë parimi im”, pohoi Stoja dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 8 qershor, ora 09:45.
/Reporter.al/