Probleme me pastërtinë e figurës dhe pasurinë, gjyqtari Valbon Çekrezi jep shpjegime para KPK

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari i Apelit të Durrësit, Valbon Çekrezi dha shpjegime për një raport negativ të DSIK-së që ngrinte dyshime për veprime korruptive e kontakte të papërshtatshme.

Gjyqtari Valbon Çekrezi i Gjykatës së Apelit të Durrësit u përball të enjten më 3 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për një raport negativ të DSIK-së për figurën dhe konsatimin se kishte udhëtuar në Greqi me automjetin e një personi të dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjithashtu konstatoi gjithashtu mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti në Tiranë, si dhë një balancë negative për blerjen e një makine Mercedez Benz në vitin 2015.

Gjyqtari Çekrezi e hodhi poshtë raportin negativ të DSIK-së si të pabazuar në prova dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues i KPK që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Çekrezi kryesohet nga Brunilda Bekteshi me relator Olsi Komicin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Valbon Çekrezi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe punon prej gati 3 dekadash si gjyqtar. Ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit prej fillimit të viteve 2000.

Konstatimet për figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar dy raporte për gjyqtarin Valbon Çekrezi, ku në të parin ka konstatuar përshtatshmërinë, ndërsa në të dytin ka ngritur dyshime për veprime të kundërligjshme dhe korrupsion aktiv në një çështje për pronësinë e një trualli.

Gjithashtu, DSIK ka ngritur dyshime për kontakte të papërshtatshme të subjektit.

Relatori Komici pohoi se Komisioni ka analizuar dosjet për të cilat DSIK ka ngritur dyshime dhe se subjekti ka dorëzuar shpjegime. Por, në seancë nuk u bënë me dije konkluzionet e arritura prej Komisionit për raportin negativ të DSIK-së.

Nga verifikimi i kryer prej KPK në sistemin TIMS, ka rezultuar se gjyqtari Çekrezi ka udhëtuar në tetor të vitit 2010 drejt Greqisë me një automjet tip BMË, në pronësi të shtetasit P.C. . Komici pohoi se ky i fundit rezulton të jetë vrarë në qytetin e Durrësit dhe se nga mediet është mësuar se është ekzekutuar në një atentat të tipit mafioz për shkaqe që kishin të bënin me përfshirje në trafikun e drogës.

Relatori Komici shtoi se subjekti nuk ka pranuar të ketë pasur njohje me shtetasin P.C.. Çekrezi ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se ka qenë duke udhëtuar me dy kolegë të tij, P. Ç. dhe B.T., kur makina ka shfaqur defekt. Ndërsa kanë pritur për disa orë, kolegu P. Ç. u ka ofruar ta vazhdonin udhëtimin me një të njohurin e tij P.C., i cili edhe ky kishte pasur rrugën për të shkuar në Greqi dhe do të kthehej pas pak ditësh.

Komici sqaroi se subjekti kishte deklaruar se në kthimin nga Greqia kishin bërë vetëm biseda të përgjithshme. Çekrezi ka shpjeguar se në vitin 2011, P.C. i kishte kërkuar ta takonte për të ndërhyrë në një proces gjyqësor, por nuk kishte pranuar.

Komisioni ka verifikuar përgjigjet e kolegut P. Ç. për udhëtimet jashtë shtetit, i cili rezulton t’i jetë nënshtruar vetingut. Komici vërejti se lidhur me udhëtimin e tetorit 2010, P. Ç. kishte deklaruar se kishin shkuar me mjetin e mikut të tij P.C., i cili nuk jeton më.

Nga komunikimi që KPK ka pasur me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe me gjykatën respektive, është mësuar se ndaj të ndjerit P.C. nuk ka pasur ndonjë procedim penal apo dënim për përfshirje në krimin e organizuar.

“Konfirmohet miqësia e P.C. me P. Ç. ashtu si ka deklruar subjekti, megjithatë mbeten dyshime për rrethanat e njohjes dhe vazhdimësië”, pohoi Komici.

Gjyqtari Çekrezi i cilësoi të pabazuara në prova të dhënat e DSIK. “Nuk ka asnjë të dhënë që të mund të cënojë figurën dhe integritetin tim”, tha subjekti duke këmbënulur se raporti i DSIK është abuziv.

“Shtetasin P.C. nuk e kam njohur personalisht dhe nuk kam pasur as më parë dhe as pas takimit rastësor ndonjë komunikim. Kontakti ishte krejt i rastësishëm se e njihte kolegu im”, theksoi Çekrezi.

I pyetur nga anëtarja Bekteshi lidhur me mënyrën e tentativës së ndërhyrjes së P.C. për një të pandehur, subjekti deklaroi se komunikimi ishte kryer nga një personi të tretë. Çekrezi tha se kur po shqyrtohej çështja në seancë, kishte parë se ishte i pranishëm edhe P.C. dhe se në ato momente kishte kuptuar se i ndjeri kishte pasur si qëllim të ndërhynte për të pandehurin mnë fjalë, gjë që sipas subjektit ishte refuzuar prej tij.

Pasuria

Komisioni nuk evidentoi mungesa financiare për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2008 për çmimin 10 milionë e 895 mijë lekë, si burim krijimi të të cilit kishte deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Elbasan në shumën 3 milion e 384 mijë lekë; një kredi në vlerën 50 mijë euro dhe të ardhurat ndër vite.

Sipas relatorit Komici, subjekti ka pasur mundësi financiare për blerjen e apartamentit në Elbasan në vitin 2001 nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB, si dhe të kursejë vlerën 527 mijë lekë që përfaqëson diferencën për çmimin e apartamentit në Tiranë.

Kredia ka rezultuar se është përfituar duke vendosur si kolateral apartamentin që subjekti ka blerë në 2008-ën. Në seancë u sqarua se pagesat ishin kryer nëpërmjet trasfertave bankare.

Ndërkohë, Komici evidentoi se ka mospërputhje mes deklarimeve të subjektit dhe asaj që është përcaktuar në kontratën e shitblerjes lidhur me shlyerjen e çmimit të apartamentit në Tiranë.

Sipas KPK, në kontratën e shitblerjes është shënuar se i gjithë çmimi është likudjuar jashtë zyrës noteriale, ndërkohë që pagesat janë kryer rreth një muaj më vonë.

Gjyqtari Çekrezi sqaroi në seancë se ai kishte deklaruar gjithmonë të njëjtën gjë për mënyrën e pagesës së çmimit të apartamentit në Tiranë, që sipas tij vërtetohet edhe me dokumentacionin bankar.

“Edhe pse është shënuar se është ligujduar jashtë zyrës noteriale, shitësi e dinte që pasuria do të vendosej si kolateral për kredinë dhe nuk kemi pasur asnjë konflikt me njëri-tjetrin”, tha Çekrezi.

I pyetur nga Komici se çfarë garancie kishte pasur shitësi që kishte nënshkruar se vlera e apartamentit ishte shlyer para se kjo të ndodhte, Çekrezi sqaroi se besimi i tij ridhte nga fakti se kishin një të njohur të përbashkët që nuk jeton më, si kishte në bankë vlerën e përfituar nga shitja e banesës në Elbasan dhe pagat nga puna e tij si gjyqtar.

“Duhej një send i paluajtshëm për t’u vendosur si kolateral dhe unë nuk disponoja në atë kohë”, shpjegoi Çekrezi.

Për blerjen e një auomjeti tip “Benz” në vitin 2015 kundrejt shumës 9700 euro, subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat në vite, ku përfshihet edhe çmimi i shitjes së një makine në vitin 2013 për vlerën 9000 euro.

Makinën e shitur në vitin 2013, Çekrezi e ka blerë në 2007-ën për shumën 500 mijë lekë. Komisioni konstaton se nuk ka logjikë financiare shitja e mjetit në 2013-ën dy herë më shumë nga sa është blerë në 2007-ën. Gjithashtu, subjekti i ka paguar detyrimet për të ardhurat e përfituara nga shitja gjatë procesit të rivlerësimit.

Komici tha se Çekrezi në vitin 2013 ka deklaruar gjendje cash vetëm nga pagat, po nuk ka shënuar të ardhurat e përfituara nga shitja e makinës në shumën 9000 euro.

Çekrezi deklaroi se kishte kryer riparime dhe përmirësime të mjetit herë pas here që kishin sjellë edhe rritjen e vlerës. Ai pretendoi se shitja ishte kryer bazuar në çmimin e tregut.

Në seancë nuk u evidentuan probleme për gjendjen cash në vitin 2016 në shumën 1.6 milionë lekë dhe as për një hua të marrë në 2008-ën nga tezja, pa afat dhe pa kamatë. Sipas KPK, tezja e subjektit ka pasur mundësi për dhënien e huasë.

Relatori Komici tha se nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në vlerën 470 mijë lekë.

Lidhur me balancën negative, Çekrezi pohoi se ajo krijohej nga moskonsiderimi i vlerës së përfituar nga shitja e mjetit në vitin 2013. “Nëse pranohen të ardhurat e përfituara nga shitja e mjetit në shumën 500 mijë lekë, sa është blerë, atëherë bilanci del pozitiv”, theksoi Çekrezi.

Sipas tij, kjo do të jepte impakt edhe në analizën financiare të vitit 2015 për blerjen e mjetit tjetër, nga ku do të reuzltonte balancë negative vetëm në shumën 39 mijë lekë.

Ai kërkoi që diferencat negative në vlera të vogla në vite të vlerësoheshin bazuar në parimin e objektivitetit.

Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin dhe për 19 denoncimet e kryera ndaj subjekti të rivlerësimit.

Në fund të fjalës së tij, gjyqtari Valbon Çekrezi kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 7 qershor, ora 09:30. /BIRN/