Norvegjia ka thirrur ambasadorin e SHBA-së në lidhje me pretendimet e spiunazhit, të zbuluara ditët e fundit nga televizioni danez.
Sipas televizionit danez nga 2012 deri në 2014 Agjencia Amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA), me ndihmën e Danimarkës, ka spiunuar, parlamentarë dhe zyrtarë të lartë nga Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Suedia.
Takimi u zhvillua midis ministrisë së mbrojtjes të Norvegjisë dhe ambasadës amerikane në Oslo, tha ministri i Mbrojtjes Frank Bakke-Jensen në një deklaratë të shpërndarë në Twitter.
Bakke-Jensen tha se ministria e mbrojtjes “e bëri të qartë se spiunimi ndaj aleatëve është i papranueshëm dhe i panevojshëm”.
Takimi vjen pasi transmetuesi publik i Danimarkës raportoi se shërbimi i inteligjencës i vendit kishte ndihmuar spiunimin e SHBA-së ndaj zyrtarëve evropianë midis viteve 2012 dhe 2014, nën administratën e Obamës.
Midis atyre që thuhet se ishin në shënjestër ishin zyrtarë në Norvegji, Suedi, Francë dhe Gjermani, me kancelaren Angela Merkel që pretendohej se i ishin përgjuar linjat e saj të telefonit.