Skandali me Maturën/ Rikthehet “Turi”, kësaj radhe në Matematikë

Nga BoldNews.al

Maturantët shqiptarë nisin sezonin provimeve përfundimtare, pas një periudhe aspak të lehtë si pasojë e pandemisë globale të shkaktuar nga Covid-19.

Maturantët e sivjetshëm e kryenin vitin e dytë të gjimnazit në kushte izolim, nëpërmjet sistemit aspak funksional on-line. Edhe gjatë viti të tretë të tyre, një pjesë të leksioneve i kanë marrë on-line, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Por, si të mos mjaftonte tensioni psikologjik dhe mungesa e një mësimi të rregullt për shkak të gjendjes së përgjithshme dhe mësimit të pjesshëm, të rinjtë gjimnazistë duhet të përballen edhe me një tezë Matematike, e cila tejkalon logjikën normale.

Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e drejtuara nga Rezana Vrapi, ka shpërndarë për maturantët ushtrime orientuese që mund të jenë pjesë e tezës së provimit të lëndës Matematikë.

Për maturantët dhe shumë prej mësuesve të lëndës, të kontaktuar nga “Boldnews.al”, niveli i tezës është shumë më lart se sa njohuritë që kanë marrë nxënësit gjatë 3 viteve të shkollës së mesme.

Madje me ironi, teza është konsideruar si “Turi i Matematikës”, duke iu referuar testimit të para dy viteve në Letërsi, i cili shkaktoi reagimin e materantëve dhe shumë prej specialistëve të fushës dhe që detyroi autoritetet arsimore që ta përjashtonin nga vlerësimiiii.

Kësaj radhe, QSHA e ka infiltruar Turin në testin e Matematikës, i cili pritet të zhvillohet pas pak ditësh nga maturantët e sezonit 2020-2021.

“Boldnews.al” ka siguruar përpjekjet e një prej nxënësve maturantë ekselentë për të zgjidhur disa prej ushtrimeve, të paraqitura në programin orientues për lëndën e Matematikës.

Qartësisht, ushtrimet janë shumë të vështira dhe pritshmëria e mësuesve të lëndës është që, edhe nxënësit e shkëlqyer, nuk mund të arrijnë më shumë se nivelin e vlerësimit 7-8 në këtë Lëndë.

Matura Shtetërore është kthyer në një stres të shtuar për gjimnazistët shqiptarë, jo thjesht se rezultati i saj përcakton edhe të ardhmen e tyre, por më shumë për shkak të nivelit të përdorur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Rezana Vrapi, drejtoreshë e QSHA, u konsiderua si përgjegjëse kryesore për skandalin e “Turit të Letërsisë” dy vjet më parë. Megjithatë, ajo i rezistoi kërkesës së shtuar për dorëheqje.

Por, ndërkohë që skandali në Letërsi ishte më i kuptueshëm, për shkak se ajo lëndë ka bazë tekstin e shkruar, “Turi i Matematikës” është më i vështirë për t’u perceptuar dhe arrin të konstatohet vetëm nga specialistët e fushës.

Mësuesit e kontaktuar nga redaksia ngrenë supet për hartimin e një programi orientues të tillë në lëndën e Matematikës, duke ngritur dyshime për një protagonizëm të theksuar të drejtoreshës së QSHA për të mbajtur vendin e punës, e cila gjendet ende nën qeverisjen e “Rilindjes” si prurje e Lëvizjës Socialiste për Integrim.

Qendra e Shërbimeve Arsimore në Shqipëri po ndjek një model tejet penalizues me nxënësit shqiptarë, shumë më ndryshe nga vende të tjera të Europës Perëndimore.

Shumë shtete në kontinentin e vjetër e kanë pezulluar këtë vit provimin e Maturës, duke mirëkuptuar nxënësit për vështirësitë që u janë krijuar gjatë situatës së pandemisë.

Në Italinë fqinje, autoritetet arsimore kanë vendosur që, vetëm për këtë vit, të zëvendësojë provimet klasime të Maturës me një bashkëbisedim ndërmjet nxënësve dhe mësuesve, për të vlerësuar shkallën e formimit të tyre.

Në bazë të këtij bashkëbisedimi, komisionet e maturës do të vlerësojnë përgatitjen e maturantëve dhe do të japin vlerësimin përfundimtar.

Në Shqipëri, autoritetet shqiptare jo vetëm që nuk parashikuan një zbutje të tillë, por, përkundrazi, siç rezulton në programin orientues të lëndës Matematikë, e kanë rritur në mënyrë absurde nivelin e vështirësisë.