Mirëmbajtja e pajisjeve mjekësore/ Rikthehet “loja” Manastirliu-Joti për tenderin e paracaktuar 7 mln euro

Në foto: Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i QSUT, Enkelejd Joti

Nga Boldnews.al

Pasi Partia Socialiste siguroi mandatin e tretë në mënyrë tejet të diskutueshme, një prej zyrtarëve të saj më të rëndësishëm, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), Enkelejd Joti, po i rikthehet projektit kontravers për të përqëndruar tenderin gjigand të mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore në një dorë të vetme, drejt një fituesi të paracaktuar.

“Boldnews.al” ka raportuar më herët se Joti, me miratimin e heshtur të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, synoi dy herë që të zhvillonte tenderin, nëpërmjet të cilit të dorëzonte rreth 7 milionë euro për 4 vitet e ardhshme në duart e një kompanie të vetme, e cila dyshohet se e preferuar ishte austriakja ‘V…D”.

Nëpërmjet këtij projekti, ndërhyhet dhunshëm në dëm të një numri të madh kompanish vendase, të cilat janë distributorë autorizuar të markave më të njohura botërore të të pajisjeve mjekësore, prodhimet e të cilave janë në funksion në QSUT dhe janë mirëmbajtur në mënyrën më korrekte të mundshme prej tyre, për rreth 20 vjet.

Projekti i dyshimtë

Projekti i Jotit, synon dorëzimin e procesit të mirëmbajtjes së pajisjeve në duart e një kompanie, e cila nuk është distributor nga prodhuesit ndërkombëtarë.

Kjo konfirmohet nga një fak tejet i thjeshtë- asnjë kompani në botë nuk ka të drejta distribucioni të të gjitha prodhuesve të tjerë, të marrë së bashku.

Në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë janë në funksion pajisje të kompanive si ‘Siemens”, “Fujitsu”, “Philips”, “Toshiba”, “General Elektric”, e të tjera marka ndërkombëtarë.

Mirëmbajtja e tyre, siç parashikojnë manualet ndërkombëtare, të adaptuara edhe në Shqipëri, mund të realizohet vetëm nga prodhuesit ose kompani distributore të autorizuar, të cilat pajisen me pjesë origjinale.

Çdokush tjetër nuk mund të sigurojë pajisje origjinale, aq më tepër që të jetë distributor i autorizuar nga të gjithë prodhuesit ndërkombëtarë.

Dhe, mungesa e pjesëve origjinale, si edhe mos-azhornimi i softeve, të cilat u jepen vetëm distributorëve të autorizuar, mund të pasohet me dëmtimin e pakthyeshëm të pajisjeve, e cila shoqërohet më tej me dëm në shëndetin dhe jetën e pacientëve që kanë nevojë për to.

Magazinë pajisjesh mjekësore të përdorura

Raportimet nga “Boldnews.al”, si edhe shqetësimi i ngritur nga vetë mjekët e QSUT, e detyruan drejtuesit e Qendrës Spitalore, Joti, që të tërhiqet dy herë rresht nga kjo procedurë.

Por, kjo “tërheqje” duket se ka qenë taktike dhe që nuk lidhet aspak me cilësinë e shërbimit. Tenderi 7 milionë euro, nëse realizohej, mund të shkaktonte probleme jo thjesht për administratën e QSUT-së, por edhe për vetë qeverinë “Rama”.

Një skandal i tillë para zgjedhjeve duhej shmangur. Dhe, ashtu u bë. Tashmë, që Rilindja siguroi mandatin e radhës 4-vjeçar, edhe Enkelejd Joti i rikthehet projektit të dyshimtë.

Vetëm se, kësaj radhe, po ndiqet një strategji e re, pas dështimeve të mëparshme. Natyrisht, qëllimi-dorëzimi i tenderit 7 milionë euro për 4 vjet në një dorë të vetme- duket se nuk ka ndryshuar.

Ajo çfarë ka ndryshuar, është mekanizmi për të arritur qëllimin.

“Operacioni” i ri i Jotit

Enkelejd Joti u katapultua në krye të QSUT si një dëshirë e kryeministrit Edi Rama.

Joti, një ish-student i Mekanikës, i cili përfundoi me notën mesatare nën 6 studimet e larta 8 vjet pas përfundimit të Shkollës së Mesme, fitoi postin e kreut të qendrës më të madhe spitalore në vend, nëpërmjet një procedure jo-transparente, duke lënë pas doktorë me rezultate ekselente, me eksperiencë shumë-vjeçare dhe që kanë përgatitur profesionalisht shumë breza mjekësh.

Kryeministri Rama e cilësoi Jotin si një menaxher të suksesshëm, megjithëse kur e emëroi në QSUT, ai vinte nga një përvojë aspak pozitive në kompaninë “Digitalb”, e cila ishte pranë falimentimin nën drejtimin e tij.

Në 14 muajt e pandemisë Covid-19, Joti nuk u shfaq asnjë minutë të vetme publikisht për t’i treguar publikut mbi masat e marra nga QSUT, megjithëse struktura e drejtuar prej tij, pritësja më e madhe e pacientëve me korona-virus, u vë në mënyrë permanente në qendër të kritikave për menaxhimin e dobët të situatës.

Burime të besueshme e konsiderojnë Enkel Jotin si personi që i sugjeroi ministres Manastirliu një kompani antenash televizive për t’u shpallur fituese e “tenderit sekret” për blerjen e 54  respiratorëve, në fillim të pandemisë së Covid-19.

Tenderi i respiratorëve konsiderohet një prej skandaleve më të mëdha të fushatës anti-virus të institucioneve shqiptare.

Kompania e përzgjedhur si fituese nga Manastirliu garantoi dorëzimin e 54 respiratorëve brenda 15 ditëve. Por, fituesi nuk arriti të plotësonte kushtet e kontratës, megjithëse ministrja Manastirliu e shtyu, në mënyrë arbitrare afatin e dorëzimit të tyre për tre muaj, deri në Qershor 2020.

Në përfundim, kompania, e cila mendohet si ‘sugjerim i Jotit”, dorëzoi vetëm 5 respiratorë, të cilët edhe ata nuk u pranuan nga mjekët e Senatoriumit, për shkak të cilësisë tejet të ulët.

Ato aparatura u dërguan më tej në repartin e Pediatrisë, ndërkohë që Shqipëria shënoi rekord negativ, duke përballuar situatën e Covid-19 vetëm me 5 respiratorë gjithsej.

Të vetmet eksperienca në mjekësi që kishte ajo kompani antenash ishin vetëm furnizimi me disa defribrilatorë, të cilat kishin ardhur në QSUT, në kohën e drejtimit nga Joti.

Vetëm në muajin Nëntor 2020, nëpërmjet UNOPS-it, në Shqipëri erdhën respiratorët e parë.

Ky tender u bë pjesë e hetimeve të SPAK-ut. Por, kjo prokurori speciale, e krijuar pas Reformës në Drejtësi për të luftuar korrupsionin në nivelin e lartë, nuk e avancoi çështjen.

Gjatë periudhës së pandemisë, pati vetëm një moment kur emri i z. Joti u shfaq në publik. Dhe ky rast kishte të bënte me skandalin “Beketi”, ku Shqipëria humbi mbi 140 milionë dollarë.

Në dokumentat e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, emri i Jotit shfaqet në një bisedë të vitit 2014, ku ai, në atë kohë drejtor i “Top Channel”, rezulton si personi që do t’i jepte biznesmenit italian “çelësin e enigmës” për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit me qeverinë “Rama”.

Çështja “Beketi” është një ndër më skandalet financiare të Shqipërinë në 30 vitet e fundit. Një kapricio qeveritare i kushton qytetarëve shqiptare një shumë stratosferike, ndërkohë që personazhet e përfshirë, ndër të cilët edhe Enkelejd Joti, ende nuk janë paraqitur para SPAK-ut për të dhënë llogarinë mbi rolin në afërn qindra miliarda lekë.

E, megjithatë, Joti ka vendosur, të paktën kështu duket, të qëndrojë në pjesën e hijes, atë të padukshmes, ku hartohen tenderat multi-milionësh.

Një prej të cilëve është edhe procedura për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore.

Burime konfidenciale nga administrata e QSUT-së deklarojnë për redaksinë se Joti është vendosur në krye të “operacionit” për hartimin e dokumentave të mega-tenderit 7 milion euro.

Në lëvizjet e tij është mbështetur edhe nga Manastirliu, që, posaçërisht për këtë procedurë, ka atashuar dy zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë për të asistuar stafin e QSUT, përkatësisht shefen e prokurimeve, A.A dhe inxhinjeren L.N.

Dy zyrtaret e Ministrisë nuk njihen, të paktën siç deklarojnë kolegët e tyre, si pjesë e emërimeve të “Rilindjes”. Ato kanë qenë staf i Ministrisë së Shëndetësisë prej kohësh dhe e kanë mbajtur vendin e punës nëpërmjet korrektesës.

Por, mungesa e mbështetjes politike, i bën ato tejet “vulnerabël” ndaj penalizimeve, në rast se nuk përmbushin “porositë” e shefave.

Ndërkohë, dështimi në dy procedurat e mëparshme për këtë tender, e bëri Jotin më të kujdesshëm, sidomos në përzgjedhjen e personave që po merren me procedurën e hartimit të dokumentave.

Së pari, sipas burimeve nga QSUT, Enkel Joti është munduar të “mbrojë” dy nga vartësit e tij të besuar, nëndrejtorin e tij dhe drejtorin e financës, të ardhura nga “Digitalb”, duke mos i përfshirë në procedurën e dyshimtë të këtij tenderi.

Së dyti, ai është kujdesur që personat e përzgjedhur në komisionin hartues të mos dallohen për integritet profesional.

Me shumë mundësi, drejtori i QSUT ka synuar të shmangë raste si ai I.N., i ish-shefit juridik të QSUT, i cili e denoncoi procedurën e mëparshme për këtë tender në një mbledhje të zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Joti është kujdesur që skandale, të tipit, “z. Drejtor Juridik, dilni pak jashtë se do të konsultohemi vetëm ne”, të mos përsëriten më.

Pjesë e grupit hartues të dokumentave janë punonjës të tjerë administrativë, gjithashtu “vulnerabël” për vendin e punës, pasi janë pa mbështetje politike dhe partiake.

“Loja” me termat

Burime nga brenda këtij grupi tregojnë për “Boldnews.al” se drejtori Joti i thërret në mbledhje çdo 2-3 ditë, duke u përcjellë rekomandimet dhe “porositë” e tij për hartimin e dokumentave të procedurës.

Në një prej këtyre mbledhjeve, siç dëshmojnë burimet, z. Joti u ka sugjeruar që të përgatisin dokumenta për tender me “pjesëmarrje të gjerë”, siç e përkufizoi ai dhe të shmangin ato që drejtori i konsideron si “situata monopol, referuar rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Në fakt, punonjësit, të cilët kanë vite përvojë në administratë, kanë krijuar bindjen se ky “sugjerim” në fakt është shkatërrim i të gjithë procesit dhe, mbi të gjitha, është keq-interpretim i rekomandimeve të KLSH-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në fakt, sugjeron shmangien e situatave monopol në tendera publikë. Por, kjo nuk lidhet aspak me të drejtën që kanë siguruar distributorët e autorizuar nga kompanitë prodhuese.

“Monopoli” “ekskluziviteti” dhe “distributor i autorizuar” janë koncepte tejet të ndryshme dhe diferenca mes tyre kuptohet qartë nga hartuesit e dokumentave për tenderin 7 milionë dollarë.

Për më tepër, “distributor të autorizuar” për pajisje specifike mjekësore nuk ka vetëm në Shqipëri. Kompani nga vende të ndryshme rajonale e ndërkombëtare janë “distributorë të autorizuar” për kompani të njëjta.

Pra, përfshirja në tender të “distributorëve të autorizuar”, jo vetëm që shmang monopolin, por rrit edhe konkurencën ndërmjet shoqërive të specializuara për këtë shërbim të posaçëm.

Nga ana tjetër, sipas të njëjtave burime Joti u është drejtuar anëtarëve të grupit të punës se “ekskluziviteti” është një situatë, për të cilën edhe Komisioni Europian sugjeron që të shmanget nga prokurimet publike.

Ky rekomand i KE është me vërtetë i tillë, por nuk ka aspak lidhje me tenderin e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore.

Ligji shqiptar i prokurimeve është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të huaj dhe ka të parashikuara shmangien e situatave “monopol” dhe “ekskluziv”, njëlloj si legjislacionet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Në fakt, askush, as grupi i punës dhe as kompanitë shqiptare të mirëmbajtjes së aparaturave nuk kanë kërkuar “ekskluzivitet” në hartimin e dokumentave të tenderit.

Gjithçka që duhet kërkuar nga autoriteti kontraktor është një autorizim nga prodhuesi ose distributori i autorizuar i tij, në mënyrë që të garantohet burimi dhe cilësia e pjesëve të këmbimit të aparaturave mjekësore.

Kjo është një praktikë e mirë, për më tepër e detyruar nga ligji, dhe që është aplikuar në çdo tender të mëparshëm që lidhet me mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore.

Të dhëna zyrtare tregojnë se shumë kompani, në procedura të mëparshme blerjeje, janë skualifikuar, për shkak se nuk kanë dorëzuar autorizimin nga prodhuesi apo distributori i autorizuar prej tij për pjesët zëvendësuese.

Madje, ka pasur tendera, në të cilat, fitues është shpallur kompania që ka dhënë ofertën më të lartë, vetëm për faktin se ka qenë në gjendje të provojë me dokumenta se siguron pjesë origjinale.

Në ato raste, shteti mund të jetë dukur se ka dalë i humbur, për shkak shpalljes fituese të kompanisë me ofertën më të lartë, por nga ana tjetër është përfituar mirëfunksionimi dhe jetëgjatësia e pajisjeve.

Në këtë këndvështrim, e kundërta, pra eleminimi i kërkesave për pjesë këmbimi origjinale, me burim prodhuesit apo nga distributorë të autorizuar prej tij, mund të përbëjë krim ekonomik, pasi dëmton në mënyrë të pakthyeshme pajisjet mjekësore, vlera e të cilave varion nga mijëra euro deri në disa qindra mijëra euro, sipas specifikave të tyre.

Por, siç deklarojnë të njëjtët burime, në grupin e punës së hartimit të dokumentave të prokurimit 7 milion dollar në QSUT, ekzistojnë dyshime se “sugjerimi” i Jotit nuk lidhet aspak me shmangien e situatës “monopol”, por përgatitjen e terrenit për t’i siguruar një kompanie “të preferuar” për t’u shpallur fituese e procedurës.

Për më tepër, ky “sugjerim” aktual i Jotit është tërësisht në kundërshtim me atë që vetë QSUT ka parashikuar në kriteret e të njëjtit tender, të anuluar më parë.

Në ato dokumenta, ndër të tjera, shënohej: “Nga ofertuesi kërkohet: Autorizimi nga prodhuesi/ MAH/ apo distributori i autorizuar (ku të provohet/dokumentohet lidhja e tyre me prodhuesin) për mirëmbajtjen cilësore, të sigurtë dhe pjesë origjinale të pajisjeve mjekësore, objekt në këtë procedurë prokurimi…”.

Kriteret kualifikuese, të parashikuara në tenderin e mëparshëm dhe të anuluar për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në QSUT
Kriteret kualifikuese, të parashikuara në tenderin e mëparshëm dhe të anuluar për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në QSUT

Burime nga grupi i punës raportojnë se kanë vënë re gjithashtu që në “sugjerimet” e Jotit kuptohet se ai synon shmangien e përdorimit në dokumenta zyrtare të termit “pjesë këmbimi të reja”, një manovër që ngre dyshime mbi specialistët që po hartojnë kriteret e tenderin 7 milionë euro.

Çfarë synohet?

Kompania e përfolur si fituese e paracaktuar që më herët, është një shoqëri me seli në Austri, përfaqësuesit e së cilës kanë mbërritur disa herë në Shqipëri, nën argumentin zyrtar për prezantimin e produktit të tyre dhe trajnim të stafit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithëse kanë kaluar dy vite nga vizita e drejtuesve të kësaj firme në Ministrinë e Shëndetësisë, eksperienca e tyre e ka qenë dhe vijon të jetë vetëm mirëmbajtja e pajisjeve në një spital privat në Zagbreb, me një madhësi 10 herë më të vogël sesa Qendra Spitalore Universitare në Tiranë.

Kjo kompani, në bazë të të dhënave të siguruara nga “Boldnews.al” nga burime të hapura, nuk rezulton të jetë distributor zyrtar i shumë prej markave ndërkombëtare, prodhuese të aparaturave mjekësore që gjenden në QSUT.

Pra, nëse kjo kompani do të rezultojë fituese në fund të procedurës 7 milionë euro, ajo nuk do të jetë në gjendje që të sigurojë pjesë origjinale të aparaturave mjekësore, dhe në mungesë të tyre, nuk përjashtohet mundësia të furnizohet në “varreza teknologjike” në vende të treta, të cilat nuk kanë ndalesa për shitjen e pajisjeve të përdorura.

Po ashtu, kjo kompani nuk do të arrijë të sigurojë softet për azhornimin teknologjik të pajisjeve që gjenden në QSUT, pasi ato u ofrohen vetëm shoqërinë që janë distributorë zyrtarë.

Shumë prej kompanive shqiptare, që janë “distributor i autorizuar” i kompanive prodhuese të aparaturave mjekësore, kanë edhe stafin inxhinjerik të licensuar për kryerjen e mirëmbajtjes së pajisjeve.

Rreth 44 inxhinjerë nga këto kompani, nën drejtimin e 8 inxhinjerëve të QSUT, kanë kryer prej vitesh më së miri procesin e mirëmbajtjes së aparaturave dhe sigurimin e funksionimit dhe jetëgjatësisë së tyre.

Një ndryshim i “rregullave të lojës” nga drejtori i QSUT, do të shoqërohej me shmangien e kësaj armate inxhinjerësh dhe zëvendësimin e tyre me 2 inxhinjerë të kompanisë së “paracaktuar” austriake”, të cilët kanë njohur vetëm mbi ato që kanë kryer në shkollat e vendit të tyre.

Nën argumentin e “luftës anti-monopol”, në fakt drejtuesit e QSUT po synojnë të  zëvendësojnë 44 inxhinjerë të kompanive shqiptare, të cilët kanë kryer prej vitesh mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në QSUT, me 2 inxhinjerë të huaj.

Duke e vendosur si kërkesë që kompania të ketë vetëm dy inxhinjerë e duke mos kërkuar që të kenë certifikata trajnimi për mirëmbajtjen e aparaturave që janë në funksion në QSUT.

Askush nuk mund të shpjegojë se si do të përballojnë të gjithë ngarkesën vetëm dy inxhinjerë, ndërkohë që për këtë kategori specifike, tenderi i pritet të kërkojë që të jenë të pajisur me diplomë inxhinjerie në vendin e tyre.

Pra, në rast se konfirmohen dyshimet se fituesi i paracaktuar është kompania austriake “V…D”, atëherë mjafton që dy inxhinjerë të saj të kenë përfunduar studimet në vendin e tyre.

Besohet se në dokumentat e tenderit të ri nuk do të kërkohet aspak që inxhinjerët të jenë të kualifikuar dhe çertifikuar për mirëmbajtjen e pajisjeve specifike spitalore, siç janë ekspertët e kompanive shqiptare të angazhuara prej vitesh në këtë proces. Por vetëm të jenë thjesht inxhinjerë dhe të kenë mbaruar shkollën në vendin e tyre.

Kompania që dyshohet si e paracaktuar ka një përvojë minimaliste në mirëmbajtjen e aparaturave spitalore. Nga të dhënat publike, rezulton se ajo ka fituar vetëm një kontratë në një spital të një vendi ballkanik dhe atë po e mban prej 4 vitesh.

Forca e Jotit

Të dhënat e siguruara në rrugë konfidenciale krijojnë dyshime të forta për procedurë të paracaktuar.

Në fakt, duket një guxim i madh për një zyrtar publik të përfshihet në një “skenar” 7 milionë dollarë, aq më tepër kur “burimet nga brenda QSUT-së”, të cilët vendosën të flasin për “Boldnews.al”, në një moment më të vonë mund të jenë pjesë e dëshmive të një hetimi të mundshëm nga Prokuroria Shqiptare mbi këto procedura të dyshimta.

Njerëz pranë drejtorit të QSUT-së, identifikojnë të paktën dy elementë që i rrisin “forcën”.

Së pari, SPAK-u nuk ka marrë në shqyrtim asnjë tender që bëhet në Ministrinë e Shëndetësisë ose në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, dhe kjo i krijon siguri drejtorit se është i paprekshëm.

Së dyti, Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, miraton në kohë urgjente çdo kërkesë që mbërrin nga drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Burime të besueshme shprehen me bindje se për të konfirmuar këtë fakt, mjafton që prokuroria të verifikojë numrat dhe datat e protokollit të komunikimit zyrtar Manastirliu-Joti, në rast të hapjes së një hetimi të mundshëm për tenderin e pritshëm 7 milionë dollarë për mirëmbajtjen 4-vjeçare të aparaturave mjekësore në QSUT.

Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, dokumentat e procedurës për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore në QSUT janë në duart e shefja e prokurimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, një njeri i besuar i Manastirliut, e cila po i jep dorën e fundit, kjo, edhe për shkak se drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë nuk ka drejtor juridik, pas dorëheqjes së mëparshme.

Ndërkohë, sipas burimeve konfidenciale, Enkelejd Joti nuk resht së thëni vartësve të tij që nuk duhet të dalin lajme jashtë QSUT për këtë procedurë e askush nuk duhet të marrë vesh se çfarë po bëjnë.

Duket qartë që, në një kohë që pjesa më e madhe e aparaturave janë në servis, Joti ka urgjencë të bëj tenderin e mirëmbajtjes së tyre.

Ai është konfiduar me persona pranë tij se, sapo të fusë elementët e autonomisë spitalore në QSUT, do të japë dorëheqjen dhe do të merret me diçka tjetër.

Por, specialistë në administratën e      QSUT-së, ngrenë pikëpyetjen se për çfarë autonomie spitalore flet ai, kur, sipas tyre, Joti nuk e di se çfarë do të thotë “autonomi”, e aq më “spitalore”.

Shqetësimi më i madh i tij duket se është realizimi i këtij tenderi 7 milionë dollarë gjatë verës. Me shumë mundësi, ai parashikon që emri i tij mund të jetë në listën e shkarkimeve pas formimit të qeverisë së re,  si një sinjal qeveritar që “diçka po ndryshon në sektorin e Shëndetësisë”.

Për këtë arsye, të gjithë energjitë dhe forca e tij duket se janë përqëndruar tek realizimi i tenderit 7 milionë dollarë.

Specialistët e fushës kanë një thirrje për drejtorin e QSUT-së, z. Enkelejd Joti:

Në Shëndetësi, në të gjithë aparaturat, sado të vjetra të jenë ato, përdoret një koeficient në mirëmbajtjen e tyre prej 8 përqind në vit dhe 7 përqind për dy vitet e para.

Duke hequr tenderin e mirëmbajtjes së aparaturave të rënda, të përfshira në një tjetër tender, i cili sapo është mbyllur, aparaturat e vogla që ti po u bën mirëmbajtjen, duke llogaritur me 8 përqind, nuk i bie që të jenë më tepër se 500 mijë euro në vit.

Si ka mundësi që, për disa aparatura kalkulohet 17 përqind dhe për disa të tjera 8 përqind. Gjurmët janë të thella dhe të freskëta e kush merret me këtë punë di t’i lexojë siç duhet”, është një mesazh që vjen nga ekspertët e fushës për titullarin e qendrës më të madhe shëndetësore në Shqipëri.