Nga Boldnews.al
Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, nis punën në javën e dytë të shtatorit, ndërsa socialistët e drejtuar nga Edi Rama zotërojnë 74 mandatet e tyre dhe të paktën 3 mandate nga PSD e Tom Doshit, pa përfshirë këtu ndonjë rrjedhje votash që mund të ndodhë nga rradhët e opozitës.
Seanca e parë parlamentare, bazuar në rregullore, do të drejtohet nga deputetja Luljeta Bozo, për shkak të moshës së saj, duke qenë edhe parlamentarja më e vjetër.
Provën e pare të forcës në sallën e Kuvendit, socialistët do e tregojnë me zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
Nga 2013 në 2017, Kuvendi u drejtua nga Ilir Meta, ndërsa pas zgjedhjeve të 2017, drejtimin e Parlamentit e mori Gramoz Ruçi, i cili me zgjedhjet e 2021 përfaqëson edhe brezin më të vjetër në rradhët e socialistëve.
Musa Ulqini, Spartak Braho, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Besnik Baraj, e shumë të tjerë mes socialistëve që kanë një kontribut mbi 20 vjeçar në rradhët e PS-së, në Parlamentin e ri, nuk do të ulen më si deputetë, disa të përjashtuar apriori nga listat dhe të tjerë të vendosur në pozicione aspak favorizuese.
Pas largimit edhe të Pandeli Majkos, një socialist që prej 1991, i cili renditej i 19 në listën e Tiranës, Ruçi dhe Fatmir Xhafaj, mbeten ndër të paktit “xhaketa” të vjetra në rradhët e PS-së, e cila tashmë dominohet nga ish-Mjaftistë apo prurje të reja, një pjesë e të cilëve komandohen nga Rama dhe të tjerë, janë kokëulur ndaj tij, por “falen” përpara Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës.
Dhe duket se beteja për të marrë drejtimin e Kuvendit do të jetë pikërisht mes Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafajt.
I pari njihet si dora e hekurt në PS, ish-ministri i fundit i Brendshëm i PPSH-së dhe dëshmitar i shumë prej kulisave mbi dhe nën tavolinë të 30 viteve të tranzicionit politik shqiptar. Pa mbështetjen e Gramoz Ruçit, Edi Rama, nuk do të mund të merrte kurrë drejtimin e Partisë Socialiste, në vitin 2005, kohë kur Fatos Nano u dorëhoq pas humbjes së zgjedhjeve.
Ruçi i garantoi Ramës besnikërinë, ia përktheu atë me votat në sallën e Kongresit të PS, dhe Edi Rama nisi rrugëtimin politik në krye të PS-së, ndërsa deri në atë moment ishte kryebashkiak i Tiranës.
Edhe në vitet e mëpasshme Gramoz Ruçi vijoi besnikërinë ndaj Ramës, madje duke “eleminuar” politikisht shumë prej emrave, që e kishin nisur karrierën politike bashkë me Gramozin, ose pak vite më pas, dhe kishin jo pak peshë në rradhët e socialistëve. Dhe ndoshta, për gjithë mundin dhe sakrificën për Ramën, Ruçi mund të marrë sërisht drejtimin e Parlamentit të ri. Sinjalin e parë e dha Taulant Balla, kreu i deputetëve socialistë, i cili nuk përjashtoi mundësinë që Kryeparlamentari të vijoi të drejtojë Parlamentin, duke e cilësuar si njeriun e duhur në respektimin e Rregullores.
Balla nuk do të artikulonte kurrë mundësinë e ri-zgjedhjes së Ruçit, nëse ai do të kishte humbur besimin e Kryeministrit Rama.
Por ajo që luhet në prapaskenë mund të rrezikojë seriozisht planin e Ramës për t´i dhënë Gramoz Ruçit mandatin e dytë si Kryeparlamentar, përfundimi i të cilit, mund të jetë edhe mbyllja e karrierës politike për të.
Në lojë mund të hyjë emri i Fatmir Xhafajt, me po aq vite sa Gramoz Ruçi në jetën politike të socialistëve. Të dy vijnë me një eksperiencë nga sistemi diktatorial, Gramozi si ish-Sekretar i Parë i Tepelenës, dhe Xhafaj si një ish-hetues i organeve të diktaturës.
Të dy kanë qenë pjesë e socialistëve që nga momenti i shndërrimit të emrit nga PPSH në PS, të dy kanë foto me diktatorin Hoxha, të dy i kanë shërbyer partisë si “ushtar” të bindur, pavarësisht lojrave që kanë bërë në zhvillimet e brendshme të kësaj partie.
Sot Fatmir Xhafaj është më afër Erion Veliajt se Edi Ramës, i cili e vendosi jo pa qëllim të 23 në listën e Qarkut të Tiranës, por harroi faktin se Veliaj më shumë do të punonte për të nxjerrë Fatmirin deputet, se sa t´i siguronte Ramës mandatin e 19 në Tiranë. Dhe Veliaj ia arriti qëllimit, Xhafaj theu herësin, siguroi mandatin e deputetit, por “fatkeqësisht” nxorri nga salla e Parlamentit një tjetër mbështetës të bindur të Veliajt, Ervin Bushatin.
Pikërisht fakti se Xhafaj theu herësin, duke grumbulluar mbi 10 mijë vota personale, mund të jetë edhe arsyeja që Erion Veliaj të nisë një lobim mes deputetëve të PS-së, për të detyruar apo bindur Edi Ramën që Xhafaj të zgjidhet në postin e Kryetarit të Kuvendit.
Dhe këtu, Kryebashkiaku mund të ketë suportin e ministrave Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali, që pavarësisht përulësisë që tregojnë ndaj Ramës, janë shumë më të bindura ndaj Lali Erit.
Po të shtojmë këtu edhe Xhemal Qefaliajn, Toni Gogun, Etilda Gjonajn apo edhe Ogerta Manastirliun, pavarësisht se kjo e fundit, ka qenë bashkëpunëtore e Ramës, që nga koha kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, atëherë 6 nga 18 deputetët e PS në Tiranë, nuk do të nguronin të mbështesnin propozimin e Veliajt.
Problemi është që asnjë prej ligjvënësve nuk do të hynin në një përplasje me Ramën apo edhe me Gramoz Ruçin, nëse më parë Veliaj nuk do të dakordësohej për lëvizjen me Kryeministrin. Secili prej emrave që sot mund të klasifikohen si mbështetës të Veliajt kanë një peshë politike pothuajse “zero”, nëse do të flaken nga Edi Rama. Dhe kjo është arsyeja pse ato do të preferonin të heshtnin se sa të ngrinin krye.
Flamuri që Veliaj mund të tundë lidhur me Fatmir Xhafajn është ajo për të cilën Kryebashkiaku e ka thënë shpesh edhe gjatë fushatës, duke e cilësuar si autorin e reformës në drejtësi. Por kleçka e Xhafajt është ajo për të cilën Rama mund ta përdorë jo më si një “AS” nën mëngë, por si një fakt i pranuar publikisht, dënimi i vëllait të tij, Geron Xhafaj, për trafik droge. Pikërisht kjo i kushtoi Xhafajt, në aparencë, largimin si ministër i Brendshëm, ftohjen me Ramën, por njëherazi pozicionimin e tij pranë Veliajt.
Rama e nxorri inatin e tij, ndoshta jo në maksimum, duke e renditur Xhafajn në vendin e 23 në listë, madje për këtë ka pasur një debat në Kryesinë e PS-së edhe me Veliajn. Ky i fundit arriti qëllimin që ta ketë në listën e kandidatëve, pasi për të tjerat, kujdesej vetë, sikundër edhe u provua. Dhe jo rastësisht ai që mund të konsiderohet si grupimi Veliaj në PS, u renditën mjaftueshëm mirë me vota, me përjashtim të Ervin Bushatit, i cili mund të pretendojë një post qeveritar, nëse Veliaj do të lobojë për të.
Tashmë në lojë mbetet nëse Veliaj do të arrijë të thyej Ramën për të vendosur Xhafajn në krye të Kuvendit, apo vetë Xhafaj do të qëndrojë në hije, duke shmangur një përplasje jo vetëm me Ramën por edhe me Gramoz Ruçin.
Në zhvillimet 30 vjeçare në PS, Ruçi dhe Xhafaj kanë shmangur përplasjet e drejtpërdrejta, pothuajse në çdo kohë kanë qenë në të njëjtin krah, pavarësisht lojës nën dhe mbi tavolinë. Të dy vijnë nga e njëjta shkollë dhe eksperiencë e lidhur me diktaturën dhe të dy e kanë të qartë se po synove gjithçka, humb çdo gjë.