Të tjera denoncime vijnë nga demokratët në Durrës për procesin e numërimit të votave për kandidatët.
Pas KZAZ 23, është pezulluar numërimi edhe në KZAZ 22. Në një reagim, PD thekson se “shkak për pezullimin e numërimit është bërë gjetja e fletëve të pavlefshme të llogaritura për PS. Ato janë konstatuar gjatë numërimit të votave për kandidatët dhe kërkesa e numëruesve të LSI-së dhe PD-së për reflektimin e tyre në procesverbal nuk është pranuar nga numëruesit e PS-së”.
Kandidati i PD, Ferdinand Xhaferraj, reagoi ndaj situatës së krijuar, duke kërkuar zhbllokimin e situatës.
“Po mbushen 6 orë që është bllokuar në KZAZ procesi i numërimit, është një nga rastet e rralla ku ata që pretendojnë se janë fitimtarë investojnë për të bllokuar procesin. Në çdo kuti po dalin fletë të pavlefshme, përfaqësues të PS nuk pranojnë të shënojnë shënime në formular. Duan të zhdukin gjurmët, në çdo zarf të PS ka fletë të pavlefshme”, u shpreh ai.