Tender skandaloz elektoral/ Veliaj i jep 200 milionë lekë kompanisë së sapokrijuar

Nga Boldnews.al

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, një strukturë në varësi të kryebashkiakut të Tiranës, ka shpallur fitues së një tenderi rreth 200 milionë lekë të vjetra, një kompani të sapo-krijuar, e cila nuk plotësonte kushtet e përcaktuara nga vetë autoriteti kontraktor.

Në 21 Prill 2021, Agjencia e drejtuar nga Erinda Fino ka shpallur rezultatet e tenderit “Shërbim për pastrimin e baseneve të liqeneve në parqe”, me fond limit 181 milionë lekë të vjetra pa TVSH.

Në përfundim, fitues është shpallur shoqëria “Naim 2020”, e cila ka qenë e vetme në garë dhe ka paraqitur ofertën me vlerë 180 milionë lekë të vjetra, pra vetëm 1 milionë më pak se sa ishte fondi limit.

Në foto: Njoftimi për fituesin e tenderit

Një verifikim i shpejtë në burime publike mbi tenderin dhe kompaninë fituese zbulon skandalin e institucionit në varësi të Erion Veliaj.

Kompania “Naim 2020” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 17 Dhjetor 2020.

Pra, ajo kishte vetëm tre muaj jetë, kur Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit shpalli tenderin rreth 200 milionë lekë, në 8 mars 2021.

Në foto: Ekstrakti i QKR. Kompania fituese është regjistruar vetëm 3 muaj para tenderit

Në dokumentat standarte të tenderit, autoriteti kontraktor, pra Agjencia e Parqeve e Rekreacionit, ka vendosur si kriter kualifikues, ndër të tjera, edhe “dorëzimin e një kopje të certifikuar të bilancit të vitit 2019”.

Në kriterin “Kapaciteti ekonomik dhe financiar” të tenderin 200 milionë lekë, është shënuar:

“1.Operatori ekonomik ofertues duhet të paraqesë në tender, kopje të çertifikuar të bilancit të vitit 2019  sipas legjislacionit në fuqi.

2.Autoriteti Kontraktor rezervon të drejtën të verifikojë vërtetësinë e informacionit të paraqitur në tender. Në rast deklarimi të rremë, do të veprohet konform parashikimeve të Ligjit Nr.9643, datë 20.11.2006, “Per Prokurimin Publik”, i ndryshuar. Deklaratë me shkrim nga administratori i shoqërisë ofertuese”.

Në foto: Pjesë nga dokumentet standarte të tenderit, Kapaciteti Ekonomik dhe Financiar

Pra, qartësisht, kompania konkurente duhet të dorëzonte bilancin tregtar të vitit 2019 dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekracionit duhet të kryente verifikimet mbi vërtetësinë e informacionit.

Por, siç konstatohet, as kompania nuk e ka plotësuar këtë kriter dhe, ajo që është më skandaloze, edhe vetë institucioni publik ka refuzuar të shqyrtojë dokumentat, për të vlerësuar përputhjen e tyre me kushtet që ka vendosur vetë në tender.

Para se të shpallte fituesin, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka modifikuar fillimisht dokumentat standarte të tenderit.

Në ato modifikime, është ulur numri i punëtorëve që duhet të kishte kompania fituese dhe llojet e licensave.

Por, nuk është ndryshuar kriteri ekonomik e financiar, pra detyrimi për dorëzimin e bilancit tregtar të vitit 2019.

Ky dokument, natyrisht që nuk është dorëzuar, pasi kompania fituese është regjistruar në fund të vitit 2020 dhe nuk ka asnjë shpjegim logjik që ajo të ketë depozituar bilanc për vitin 2019, kur nuk ekzistonte.