Zgjedhjet 2021: Risi apo i njëjti film?

Nga Ilir Kalemaj

Shqipëria voton të djelën në zgjedhjet e saj të dhjeta parlamentare qysh nga viti 1991. Me përjashtim të viteve 1992 dhe 1997 kur zgjedhjet parlamentare u zhvilluan vetëm një vit pas zgjedhjeve të fundit për shkak të rrethanave të pazakonta, zgjedhjet e tjera janë zhvilluar sipas afateve kushtetuese dhe ka pasur stabilitet demokratik. Kjo është njëra anë e medaljes pasi ana tjetër është se mungesa e zgjedhjeve të parakohshme, sikundër ka ndodhur në të gjitha vendet fqinjë, nuk ka përmisuar as nivelin e demokracisë, as ka përshpejtuar fundin e tranzicionit. Në këto 30 vjet, partia socialiste ka qeverisur në nivel kombëtar për plot 17 vite, ndërsa për 13 vite ka qenë partia demokratike në pushtet.

Nga ana tjetër, vetëm partia socialiste ka pasur mundësi ta mbajë kret për vete timonin dhe tepsinë, sikundër ka ndodhur katër vitet e fundit. Pra dhe përgjegjësinë e plotë për sukseset dhe dështimet e këtij katër vjeçari. Kjo është vençarisht e rëndësishme nën optikën e analizës së deklaratës së fundit publike të Ramës që nëse nuk merr minimumi 71 deputetë që të konstituojë që shumicë të qartë parlamentare, do t’ja kalojë stafetën dikujt tjetër në parti dhe do të tërhiqet si kreu i partisë socialiste.

Politikanët më jetëgjatë në krye të institucioneve të rëndësishme të pushtetit janë sipas radhës: Rama për 21 vjet si ministër i kulturës, kryetar bashkie dhe kryeministër, Berisha për 13 vjet si president dhe kryeministër, Meta po për 13 vjet si ministër, zv.kryeministër, kryeministër, kryetar parlamenti dhe president. Ndërkohë, Lulzim Basha ka qenë për 10 vite si ministër i trefishtë i transportit, punëve të jashtme dhe i brendshëm si dhe kryetar i bashkisë, Erjon Veliaj për 8 vite si ministër dhe kryetar bashkie i Tiranës, ndërsa Fatos Nano për 5 vite si kryeministër (në dy kohë). Veçantia këtu është se është sërish Rama që ndonëse më jetëgjati në pushtet në historinë politike të tranzicionit, deklaron se nuk është politikan, ka një mision të papërmbushur dhe është risia në politikën shqiptare.

Në këto palë zgjedhje parlamentare, janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe tre koalicione, mes të cilave “Aleanca për Ndryshim” me 12 parti, e kryesuar nga PD. Në fakt është hera e parë që regjistrohen kaq pak parti politike për zgjedhje parlamentare në Shqipëri, në një vend që numëron rreth 127 parti politike të rregjistruara si subjekte në përgjithësi. Mjafton të përmendim se në zgjedhjet e 2017 ishin të rregjistruara 54 parti, pra 8 më shumë se aktualisht.

Nga ana tjetër në skenën politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentate të 25 prillit kanë hyrë katër parti të reja: Nisma ” Thurrja”, “Lëvizja për Ndryshim”, “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, “Bindja Demokratike”. Krahas tyre lëvizja “Vetëvendosja” në Tiranë, që vazhdon të jetë organizatë jo fitimprurëse e shoqërisë civile, merr pjesë në zgjedhje me tre kandidatë të pavarur. Në fakt, ndonëse numri real i partive konkurruese është ulur, oferta politike si në drejtim të programeve, ashtu dhe të faktit që listat janë disi të hapura (absolutisht jo të hapura sic duhet të ishin), ka përmisuar cilësinë e garës.

Garë që nga ana tjetër vuan nga mostransparenca e financave të partive politike dhe shpenzimeve të pajustifikuara sikundër dhe herët e tjera. Garë e cila ka qenë e cunguar në cilësi edhe si rezultat i pandemisë e cila ka kushtëzuar një garë ndryshe, duke i’u dhënë përparësi kandidatëve që vijnë jashtë radhëve të partisë dhe kanë më tepër akses ose financa për të organizuar një fushatë kryesisht virtuale. Këto palë zgjedhje nuk i janë shmangur deri tani as problematikës së përsëritur të shitblerjes së votave, përplasjeve të grupeve të armatosur, përzierjes toksike të politikës me krimin, fushatës agresive me tone të larta verbale, akuza ad hominem dhe polarizimit të skajshëm.

Me ç’duken gjasat, megjithë infrastrukturën e përmisuar zgjedhore, për shkak të rezultatit të ngushtë të pritshëm (pavarësisht kampeve respektivë që deklamojne fitore plebishitare), do të ketë vonesa në shpalljen e rezultatit final, kalvare gjyqësore që mund të shkojnë deri në Gjykatën Kushtetuese (duke risjellë një deja vu të 2001shit), trazira paszgjedhore, por edhe dorëheqje të bujshme pas prillit. Si zakonisht arbitrat ndërkombëtarë do të jenë ata që do të ndikojnë përmes kulaçit dhe më tepër kërbaçit pranimin e rezultatit final dhe me shpresë kalimin drejt një normaliteti të ri politik.