Të dhënat e monitorimit të mediave audiovizive të analizuara nga BIRN, tregojnë se gjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore, televizionet shkelën balancën e minutazhit në edicione informative, emisioni, transmetive live, si dhe tavanin maksimal të reklamave politike.
Gjatë një fushate zgjedhore, mediat duhet të shërbejnë si një kanal informacioni midis kandidatëve dhe publikut, duke funksionuar si një arenë debati ku qytetarët informohen për politikat dhe platformat ekonomike dhe sociale të partive, në mënyrë që të bëjnë një zgjedhje të informuar kur të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit.
Duke qenë të vetdijshëm për rolin që media audiovizive luan dhe ndikimin që ajo ka në tek votuesit, parlamenti e ka rregulluar veprimtarinë e tyre në Kodin Zgjedhor, duke vendosur kufizime mbi minutazhin që ato i japin partive të ndryshme politike, kohën maksimale të reklamave politike që mund të transmetojë një parti gjatë fushatës zgjedhore, indetifikimin e qartë të reklamave politike apo orarin e transmetimit të tyre.
“Është thelbësore që qytetari të shkojë i informuar dhe i pandikuar në procesin e votimit dhe të shprehë vullentin e tij,” thotë Premto Gogo, drejtor ekzekutiv i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, KRIIK.
“Fushata duhet të respektojë parimin e barazisë dhe integritet dhe në këtë aspekt merr një rol të veçantë pasqyrimi që i bën media,” shtoi ai.
Sipas neneve 81 dhe 84 në Kodit Zgjedhor, mediat audiovizive duhet t’i japin minutazh të barabartë partive që kanë marrë më pak se 20% të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare – përfshirë LSI, PSD, PR dhe PAA, si dhe minutazh të barabartë partive që kanë marrë më shumë se 20% të votave – PS dhe PD. Minutazhi i PS dhe PD nuk duhet te jetë me shumë se dyfishi i partive të vogla – që kanë marrë më pak se 20% të votave në zgjedhje.
Megjithatë, një analizë e BIRN e të dhënave të monitorimit të publikuara nga KQZ dhe të mbledhura nga Autoriteti i Mediave Vizive, AMA, për dy javët e para të fushatës, tregon që minutazhi i dhënë Partisë Socialiste në pushtet në edicione informative, emisione politike dhe transmetime live është më i lartë se ai i alokuar për Partinë Demokratike.
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste, përfshirë kreyministrin Edi Rama, kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjejnë gjithashtu mbulim më të lartë në median audiovizive gjatë kësaj periudhe në krahasim me aktorët e tjerë politikë të PD-së dhe LSI-së.
Ndërkohë, minutazhi që i është dhënë në edicione informative, emisione politike dhe transmetive live dy partive kryesore politike – PS dhe PD, në krahasim me partitë e tjera që garojnë në zgjedhje, është disa herë më i lartë se tavani që vendos Kodi Zgjedhor, duke mos u dhënë hapësirën e nevojshme këtyre të fundit dhe kandidatëve të pavarur të shpalosin alternativat e tyre politike.
Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, nuk janë vetëm partitë e vogla që diskriminohen gjatë fushatës nga media audiovizive, por edhe gratë dhe vajzat kandidate. Pavarësisht numrit të tyre në listat shumëemërore të kandidatëve, të dhënat e publikuara vetëm për javën e dytë të fushatës, tregojnë se vetëm 15% e minutazhit është alokuar për kandidate femra dhe 85% e kohës i ka shkuar kandidatëve meshkuj – shumica e ndarë mes dy liderëve kryesorë politik, Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Partitë kanë shpenzuar shuma të larta edhe për reklamave politike dhe vetëm në gjysmën e parë të fushatës, 11 televizione e kanë e kanë tejkaluar tavanin e reklamave politike për dy subjektet kryesore, në shkelje të Kodit Zgjedhor.
Minutazhi në lajme
Sipas Kodit Zgjedhor, ofruesit e publikimeve audiovize kanë detyrim të ofrojnë mbulim të ekuilibruar, pluralist dhe të paanshëm gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, duke iu përmbajtuar standardeve profesionale të gazetarisë dhe duke shmangur përdorimin e gjuhës së urrejtjes.
Për ta vlerësuar zbatimin e këtij detyrimi nga media, Kodi Zgjedhor ngarkon Autoritetin e Mediave Audiovizive të monitorojë minutazhin e mbulimit të partive politike dhe aktorëve politikë në edicione informative, transmetime live, emisione politike dhe reklama.
Të dhënat e AMA-s për 22 mediat audiovizive kryesore në vend, për dy javët e para të fushatës – periudhën 26 mars me 11 prill, tregojnë se Partia Socialiste ka përfituar një minutazh më të lartë se Partia Demokratike në edicione informative.
Në të 22 televizionet e marra në analizë, PS ka marrë një minutazh të barbartë me 50% të kohës televizive në lajme dhe PD ka marrë një minutazh të barabartë me 38%. Dy partitë e mëdhe ndiqen nga LSI me 7% të minutazhit dhe vetëm 5% i ka shkuar 14 subjekteve të tjera politike. Nga 22 televizione të monitoruara, 17 i kanë dhënë më shumë minutazh PS-së dhe pesë i kanë dhënë më shumë minutazh PD-së në edicionet e tyre informative.
“Media që monitorohen nga AMA janë dukshëm në anë të mazhorancës, pra duke diskriminuar opozitën dhe sidomos partitë e vogla,” tha Premto Gogo. “Ka mosbindje të mediave ndaj ligjit edhe pse sanksionet administrative janë të mëdha,” shtoi ai.
Shpërndarja e kohës televizive gjatë edicioneve nuk ka qenë e njëtrajtshme në televizione e ndryshme dhe avantazhi i Partisë Socialiste në pushtet rritet edhe më shumë në 3 televizionet private kombëtare – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus – të cilat kontrollojnë një përqëndrim të lartë të audiencës televizive në Shqipëri.
Në dy javët e para fushatës, këta transmetues audiovizivë i kanë kushtuar në total 59% të minutazhit të edicioneve informative PS-së, 36% PD-së dhe 3% LSI-së. Situata është e ngjshme edhe në transmetuesin publik, ku RTSH1, RTSH2 dhe RTSH24 i kanë dhënë 58% të minutazhit në edicione infomative Partisë Socialiste, 34% PD-së dhe vetëm 2% LSI-së.
Shkelje të Kodit Zgjedhor për sa i përket minutazhit në lajme, ka jo vetëm për sa i përket balancës midis PS dhe PD, por edhe midis dy partive të mëdha dhe partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Në total, PS dhe PD kanë marrë 88% të minutazhit në edicione informative në 22 mediat audiovizive kryesore dhe 12% i ka shkuar të gjithë partive të tjera, ose 7.3 herë më pak.
Për sa i përket kohës së aktorëve politikë, kryeministri Edi Rama ka marrë 34.8% të minutazhit në edicione informative në 22 televizionet kryesore të monitoruara, i ndjekuar nga Lulzim Basha me 29.6% dhe Monika Kryemadhi me 5.6%. Kjo nënkupton se të gjithë aktorët e tjerë politikë, përfshirë këtu mbi 1,800 kandidatët e tjerë për deputetë, kryetarët e bashkive dhe ministrat ose funksionarët e lartë të angazhuar në fushatën zgjedhore, kanë marrë më pak se 30% të kohës televizive të edicioneve informative në këtë drejtim.
Në tre mediat më të mëdha në vend – Top Channel, Klan TV dhe Vizion Plus – dominimi i Ramës dhe Bashës është edhe më i madh. Kryeministri ka marrë 41% të minutazhit në lajme, Basha 35% dhe Monika Kryemadhi vetëm 2.9%.
Ndërkohë, minutazhi që ka marrë Rama dhe Basha në edicione informative në dy javët e para të fushatës në tre transmetuesit publikë – RTSH1, RTSH2 dhe RTSH24 – ka qenë më i balancuar, duke i dedikuar 36% të minutazhit të aktorëve politikë kryeministrit dhe 37% kryetarit të opozitës.
Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, thekson se minutazhi nuk është i vetmi parametër i një mbulimit të drejtë dhe me standarde të fushatës zgjedhore.
“Është shumë e rëndësishme që mbulimi mediatik të jetë jo vetëm i balancuar, por dhe i ndershëm,” tha ai. “Në qoftëse njërit i jep 10 minuta të japë gjithë tezat e tij dhe tjetrit 10 minuta duke pirë kafenë dhe duke rregulluar karrigen, nuk është mbulim i barabartë,” shpjegoi Cukali.
Minutazhi në emsione dhe transmetimet live
Përveç minutazhit të përfituar nga subjektet dhe aktorët kryesorë politikë në edicione informative, bazuar në metodologjinë e miratuar nga KQZ për monitorimin e mediave gjatë fushatës zgjedhore, AMA ka monitoruar edhe emisionet dhe transmetimet live.
Të marra në total, nga monitorimi i emisioneve në 21 televizionet kryesore në vend, situata duket e balancuar për dy partitë e mëdha, me 39.14% të minutazhit për PS dhe 37.37% për PD, e ndjekur nga LSI me 9.9%.
Por nëqoftëse analizohen tre televizionet me audiencën më të madhe në vend – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus – Partia Socialiste ka një avatazh të qartë në minutazh. Në emisionet politike të ketyrë tre televizioneve, gjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore, PS ka marrë 58.6% të minutazhit, PD ka marrë 25.9% të minutazhit. Vetëm 16% e minutazhit në emisionet televizive të këtyre tre televizioneve i ka shkuar 15 partive të tjera dhe kandidatëve të pavarur që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Partitë e mëdha kanë zënë në emisione një minutazh 5.25 herë më të lartë se partitë e vogla, në shkelje të balancës së kërkuar nga Kodi Zgjedhor, i cili thekson se minutazhi i PS dhe PD-së nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i minutazhit të partive të tjera që kanë marrë më pak se 20% të votës në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Gjatë dy javëve të para të fushatës, 13 televizione informative të monitoruara nga AMA kanë transmetuar 391 orë a 36 minuta transmetime live të subjekteve politike pjesëmarrëve në zgjedhjet e 25 Prillit. Nga ky minutazh, 55.3% ka shkuar në favor të PS-së, 38.5% në favor të PD-së, 5.2% në favor të LSI-së dhe vetëm 1% për pasqyrimin e drejtpërdrejtë të aktiviteteve të partive të tjera politike ose kandidatëve të pavarur.
Shpenzimet për reklama
Përveç minutazhit të mbulimit të subjekteve dhe aktorëve politikë gjatë fushatës zgjedhore, AMA monitoron edhe minutazhin e reklamave politike në mediat audiovizive.
Sipas nenit 84 të Kodit Zgjedhor, reklamat politike duhet të indentifikojnë qartë subjektin porositës. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë fushatës nga secili televizion ose radio nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti të regjistruar në zgjedhje.
Sipas Autoritetit të Mediave Audivizive, 7 televizione – përfshirë 3 transmetuesit kombëtar Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, kanë transmetuar reklama politike të paindetifikuara gjatë 2 javëve të para të fushatës.
Gjithashtu, 11 televizione e kanë tejkaluar kohën e reklamave politike të parashikuar për të gjithë kohëzgjatjen e fushatës – 8 për subjektin Partia Socialiste, 6 për subjektin Partia Demokratike dhe 1 për subjektin Lëvizja për Ndryshim.
Sipas Kodit Zgjedhor, këto televizione nuk mund transmetojnë më reklama politike për subjektet të cilat e kanë kaluar tavanin prej 90 minutash.
Në dy javët të para të fushatës, 25 televizione private të monitoruara kanë transmetuar 68 orë e 35 minuta reklama politike.
Nga ky minutazhi reklamash, PS ka porositur 31 orë e 8 minuta reklama, ose 45.4% të totalit, PD ka porositur 25 orë e 27 minuta reklama, ose 37.1% të totalit dhe LSI ka porositur 5 orë e 57 minuta reklama ose 8.75% të totalit.
Bazuar në koston mesatare të reklamave televizive për sekond të afishuara në KQZ, BIRN përllogariti vlerën mesatare për reklamat televizive në 15 televizionet kryesore për dy javët e parë të fushatës. Gjatë kësaj periudhe që fillon me 26 mars dhe mbaron me 11 prill, televizionet kanë transmetuar mbi 37 orë reklama politike me vlerë të përllogaritur mesatare prej 2.2 milionë euro.
Kjo shumë nuk përfshin reklamat politike në televizionet e tjera lokale, pagesat ndaj televizioneve për pjesëmarrje në emisione politike apo transmetimet live të subjekteve.
Hendeku gjinor
Autoriteti Mediave Audivizive ka mbledhur dhe stastika gjinore përmes monitorimit të mediave gjatë fushatë zgjedhore. Këto të dhëna janë të plota vetëm për javën e dytë të monitorimit, nga data 4 prill deri me datë 11 prill.
Gjatë kësaj periudhe, nga monitorimi i minutazhit të aktorëve në edicione informative, transmetimet live dhe emisionte televizive të transmetuar në 28 televizione kombëtare dhe lokale, AMA ka vlerësuar se vetëm 15% e minutazhit i ka shkuar aktorëve politikë femra.
Në tre televizionet kombëtare private – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, hendeku gjinor është pak më i ngushtë se mesatarja kombëtare. Në këto tre media 22% të minutazhit shkon për kandidatet gra dhe 78% për kandidatët burra.
Një mesatare e ngjashme shfaqet edhe në 3 transmetuesit publikë – RTSH1, RTSH2 dhe RTSH24 – ku 21% e minutazhit i është dedikuar grave kandidate, ndërsa 79% kolegëve të tyre burra.
Përveç minutazhit, Cukali thekson se media kanë edhe një problem me vërtetësinë e lajmeve të transmetuara gjatë fushatës zgjedhore.
“Në qoftëse informacioni është i furnizuar nga partia – nga zyra e shtypit e partisë, duhet që patjetër që publiku ta dijë, pra ky informacion nuk është i gazetës, i kameramanit, i gazetarit të saj – që do të thotë që gazetari nuk ka pasur mundësi ta verifikojë,” tha Cukali.
“Unë vërej se kjo në shumicën e rasteve mungon dhe është një nga dëmet më të mëdha që i bëhet publikut, sepse publiku e beson një lajm duke menduar se gazetari ka qenë atje, e ka verifkiuar dhe po e përcjell,” përfundoi ai.