Prokurori i Beratit, Tasim Puci u pyet në lidhje me një kontratë noteriale në të cilën ai rezultonte pronar i një apartamenti, të cilin ia kalonte vjehrrit dhe disa shkëmbime financiare me këtë të fundit. Puci kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa pretendoi se nuk kishte asnjë pasuri.
Prokurori Tasim Puci e mbylli seancën e tij dëgjimore të martën në këmbë, ndërsa lexoi një deklaratë me referenca biblike mbi përgjegjësinë dhe mbajtjen e saj. “Unë gjithmonë e kam ditur që dikur do të jap llogari,” tha Puci.
Ai në fjalën e tij iu referua Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si “gjykuesi i fundit” që kishte për detyrë sipas referencës biblike, të ndante egjrën dhe grurin edhe pse këto ishin rritur bashkë.
Siç u tha në seancë, trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa (Bungon), kishte hetuar Pucin në të tre kriteret dhe bazuar në relatim, ai ishte gjetur me probleme në të treja.
Por nga qëndrimet në seancë dhe diskutimi në pyetje përgjigje, Komisioni duket se ishte fokusuar në pasurinë e Pucit, kryesisht një apartament 108 metra katrorë në emër të vjehrrit, por që kishte pasur kontratë dritash në emër të Pucit. Ky i fundit rezultoi se kishte bërë një kontratë noteriale, nga e cila lihej të kuptohej se kishte pasur pronësinë e apartamentit, gjë që e mohoi gjatë seancës. Por çfarë kishte ndodhur mbeti e paqartë.
Tasim Puci e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si oficer i Policisë Gjyqësore dhe ka punuar si prokuror në Prokuroritë e Beratit, Çorovodës dhe Lushnjës.
Relatimi mbi pasurinë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kishte sjellë në KPK një raport negativ për Pucin. Sipas këtij raporti Puci kishte bërë fshehje pasurie, nuk kishte burime të ligjshme dhe kishte deklarime të pasaktë e të rremë të pasurisë.
Komisioni tha nga verifikimi se në emër të subjektit në fakt nuk kishte as pasuri të luajtshme as të paluajtshme. Sipas Zhegut dy makina të deklaruara nga Puci në pronësi të tij dhe për të cilat kishte kontrata shit-blerje, nuk ishin regjistruar asnjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugorë.
Zhegu tha se ishin ngritur dyshime se mos regjistrimi i makinave të blera në vitet 2000, njëra prej të cilave e shitur më pas për skrap, ishte bërë me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve. Komisioni sipas relatores i kishte kaluar Pucit barrë prove për mos regjistrimin e makinave.
Puci pretendoi në seancë se ai nuk i kishte përdorur makinat dhe se si e para edhe ajo që kishte tani, qëndronin të parkuara në oborrin e prokurorisë, pasi ai jetonte afër dhe nuk lëvizte me to. Puci duke iu referuar një aksidenti në vitin 2002, deklaroi se kishte një farë fobie nga makinat, por tha se do bënte regjistrimin.
Por Komisioni vuri në dukje se makina e dytë ishte përdorur dhe ndaj saj kishte tre gjoba nga policia, të cilat nuk ishin paguar. Puci pranoi marrjen e gjobave, njëra prej të cilave ishte për lëvizje me patentë të skaduar, por tha se ato ishin vendosur në rastet e rralla që makina ishte përdorur, duke këmbëngulur se ishin lëvizje emergjente.
Pasuria tjetër në diskutim ishte apartamenti, me të cilin Puci pretendoi se nuk kishte asnjë lidhje dhe as nuk kishte qenë në të më shumë se 2-3 herë. KPK nga ana e saj kishte gjetur një kontratë me OSHEE në emër të tij për atë apartament, një kontratë sipërmarrje dhe një kontratë noteriale të vitit 2011 në të cilën ai hiqte dorë nga të drejtat prej apartamentit dhe ja kalonte këto vjehrrit.
Në këtë kontratë thuhej se Puci kishte shlyer gjithë vlerën e apartamentit. Bazuar mbi këtë kontratë KPK gjeti se ai ishte me bilanc negativ prej rreth 2 milion lekë dhe se nuk kishte pasur mundësi të paguante apartamentin.
Puci në fjalën e tij mohoi të kishte në pronësi hyrjen. Ai tha se ajo ishte blerë nga vjehrri dhe kunati dhe se ai kishte paguar vetëm një faturë në emër të kompanisë dhe ajo faturë ishte paguar pasi i vjehrri kishte qenë i pamundur me shëndet.
Puci paraqiti dokumente të tjera nga ato që referoi KPK, duke vënë në dukje një kontratë sipërmarrje mes vjehrrit dhe kompanisë së ndërtimit dhe kontratën e shit-blerjes. Ai tha se dokumentet e tjera ishin në emrin e tij për arsye që ai nuk i dinte dhe se nuk kishte qenë në dijeni të tyre. “Në fillim u terrorizova”, tha Puci për kontratën noteriale.
Në seancë u la të kuptohej që ai kishte dhënë shpjegime të ndryshme me shkrim, duke pranuar se mund të kishte firmosur si garantues, ndërsa gjatë pyetjeve mbajti qëndrimin se nuk e dinte arsyen e këtyre kontratave, që mund të ishin bërë nga vjehrri dhe kompania e ndërtimit.
Puci tha si argument në favor të tij se vjehrri në testament apartamentin ia kishte lënë nipit të tij që jetonte në SHBA, pasi i biri ishte ndarë nga jeta. Ai tha se nuk kishte jetuar aty dhe se familja e tij kishte jetuar në Berat deri në vitin 2017 dhe se gruaja dhe fëmijët po jetonin me vjehrrin vetëm pas vdekjes së bashkëshortes, për tu kujdesur për të. Ai tha se ai vetë vijonte të qëndronte në Berat edhe në fundjava dhe familja i shkonte atje për vizita.
Këmbënguljes së trupës pse kishte firmosur kontratën noteriale dhe nëse ishte apo jo firma e tij, Puci iu përgjigj në mënyrë evazive, duke këmbëngulur mungesën e dijenisë.
Problemet e figurës dhe profesionalizmit
Zhegu relatoi shkurt se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e kishte cilësuar Pucin në një raport të parë për figurën në vitin 2017 si të përshtatshëm. Por në një raport të dytë ai u gjet i papërshtatshëm.
Vetë KPK nuk relatoi më gjatë mbi këto gjetje. Puci e cilësoi raportin të pavërtetë, ndërsa duke iu referuar përmendjes në të një rasti të dyshuar korrupsioni në vitin 2008, shtroi si pyetje se pse ky rast nuk ishte përmendur në raportin e parë. Puci tha se nuk kishte dijeni ku bazohej raporti dhe këmbënguli duke iu referuar çështjeve për të cilat kishte kallëzime ndaj tij se gjetjet nuk ishin të sakta dhe se bëhej fjalë për çështje që ai i kishte trashëguar nga prokurorë të tjerë.
Komisioni ndërkohë vuri në dukje se nga një numër denoncimesh vetëm tre ishin marrë parasysh, ndërsa u përmendën edhe disa gjetje nga dosjet e shqyrtuara.
Zhegu në relatimi theksoi tre raste që kishin të bënin me profesionalizmin e Pucit. Në ratin e parë rezultonte se një vendim mos fillimi i prokurorit ishte prishur nga eprori dhe më pas Puci kishte ndjekur çështjen dhe kishte kërkuar fajësi për të pandehurit dhe madje kishte apeluar pafajësinë e vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për dy prej tyre.
Në një rast tjetër cilësimin e akuzës si shpërdorim detyre, kur bëhej fjalë për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe kërkimin e një mjaft të ulët për të akuzuarin. Dhe një vendim pushimi, për një çështje me akuza të ngjashme.
Puci referoi me detaje njërën prej çështjeve, duke thënë se abuzimi i pretenduar në shitjen e një tuboje çeliku të ujësjellësit të Kuçovës, ishte 12 mijë lekë dhe se i akuzuari kishte blerë me paratë një saldatriçe në shërbim të ndërmarrjes dhe i kishte dhënë po ashtu edhe paratë cash. Gjatë fjalës ai u ndërpre nga kryesuesi që i kërkoi të mos hynte në detaje të çështjeve.
Për rastin që ishte nisur procedimi me ndërhyrjen e eprorit, Puci pretendoi se qe një vendim i marrë në konsultim dhe se bëhej fjalë për një çështje në të cilën shpërdorimi i detyrës edhe pse kishte ndodhur nuk kishte pasur pasoja.
Ai tha se në rastin e një punonjësi të postës që kishte vjedhur pensionet nuk kishte kërkuar dënim më të rëndë, pasi kishte mbajtur parasysh se i akuzuari duhej të kthente shumën të dëmtuarve dhe kjo nuk mund të ndodhte nëse ai do ishte në qeli.
Pas fjalës së Pucit që kërkoi të konfirmohej, Komisioni njoftoi se vendimi do të jepej në orën 9.30 në datën 15 prill./BIRN/