Prej vitit 2005, Elbasani është kthyer në një arenë ku zhvillohen ditë pas dite, luftëra të përgjakshme mes bandave. Shënjestrës së grupeve mafioze të qytetit, nuk i kanë shpëtuar as ata që kanë jetuar jashtë tij, apo edhe përtej Shqipërisë. Viktimat e këtyre aferave kriminale janë shënuar edhe në vende si Italia apo Holanda.
Rrëfimi i 40-vjeçarit Ervis Bardhi, si nyje lidhëse e ngjarjeve kriminale më me peshë në Elbasan, vjen i rindërtuar në “Vetting”, me detaje e emra konkretë.
Bardhi, ka bërë i pari hapin vendimtar duke i treguar prokurorisë së këtij qyteti se si vranë babë e bir, Gentian e Nezir Beqirin në 2012-ën, së bashku me Olsi Lekën. Sipas dëshmisë së Bardhit që gjendet në dosje, kjo vrasje e dyfishtë është porositur nga dy Ardian dhe Florenc Çapja, për shkak se Gentian Beqiri kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tyre Sokol Çapjas në vitin 2005. Kjo është edhe dëshmia që çoi në arrestimin e Ardian Çapjas në Elbasan në 29 mars dhe shpalljen në kërkim të Florenc Çapjas.
Pendesa e Bardhit, siç ai tregon, lidhet edhe me provat që policia kishte mundur të mbledhë kundër tij. Një gjurmë gishti e mbetur në targën e mjetit me të cilën dy vrasësit janë larguar nga vendi i krimit u bë shkas për rihapjen e hetimeve në vitin 2018. Një vit më pas ai do të vetëdorëzohet në polici, duke treguar se si së bashku me Lekën, mundën të futeshin në shtëpinë e Beqirajve, ku shkelnin vetëm miq të ngushtë të Gentianit e familjarë të tyre.
Gjithcka nisi në prill të 2011-ës kur në vend të dënimit me burg për Gentian Beqirajn u caktua arresti i shtëpisë, për shkak të paralizës që kishte pësuar gjatë tentativës për tu arratisur nga komisariati i Sarandës, duke u hedhur nga kati i dytë.
Sipas dosjes, për të fituar besimin e familjes Beqiri dhe Gentianit fillimisht u përdor Etjen Cani. 30-vjeçari banonte në një lagje me ta dhe kishte njohje familjare. Ai shkonte shpesh në shtëpinë e viktimës në mënyrë që ti largonte mërzinë. Pasi doli nga burgu edhe Ervis Bardhi ka filluar të hyjë në shtëpinë e Gentian Beqirit, ndonëse kishin edhe një njohje sipërfaqësore prej kohëve kur vuanin dënimin në burgun e Peqinit. Me Olsi Lekën, rrethi i vizitorëve shtohet zinxhir në shtëpinë e mbikëqyrur të Gentianit. Takimet, sipas rrëfimit të Bardhit, kanë qenë të mjaftueshme sa për të fituar besimin e familjes, e për të pasur lehtësirat e nevojshme, që të kryenin vrasjen 9 vite më parë.
Mëngjesi i 15 gushtit të 2012-ës është i përshkruar në dosjen hetimore me detaje. Detaje të cilat, dy autorët Ervis e Olsi Leka kanë mundur t’i studiojnë përgjatë muajve të tërë për të kryer pa gjurmë vrasjen e dy anëtarëve të familjes Beqiri.
Të dy, janë siguruar më parë, që zonja e shtëpisë të largohej nga banesa dhe menjëherë pas kësaj, janë afruar drejt pallatit. Dy pozicionet e policëve që mbikëqyrnin Gentianin e siguronin mbrojtjen e familjes, ishin të favorshme për t’i lënë rrugë të lirë zhvillimit të ngjarjes.
Njëri duke lexuar gazetën brenda në makinë e tjetri, pranë hyrjes së pallatit. I ati i Gentianit, Nezir Beqiri që ishte rojtari i tretë, por më i përkushtuari për mbrojtjen e së birit, ishte ulur në një karrige në sheshpushimin mes katit të katërt dhe të pestë. Dera pas së cilës gjendej Gentiani ka qenë e mbyllur, ndaj për të mundësuar hyrjen Olsi Leka merr babain e Gentianit në sheshpushim. Ky i fundit në mirëbesim hap derën, ndërsa Ervisi pa u stepur niset në dhomën ku flinte objektivi.
Me të dëgjuar hapat Gentiani, bën të ngrihet nga dysheku i shtruar për tokë, ku po flinte, por Bardhi nuk i lë kohë. Plumbi i parë e kap viktimën në faqe. Pistoleta bllokohet ndaj vrasësi tërheq këmbëzën, dhe pas tre plumbave në kokë, viktima mbetet e vdekur në vend. Ngjarja zhvillohet në praninë e të atit, i cili sapo kupton se ç’po ngjet u bërtet dy vrasësve duke u thënë se “çpo bëni”, por ata nuk ndalen. Olsi Leka e godet Nezirin e moshuar me grusht në fytyrë duke e rrezuar në tokë.
Më pas e qëllon me shkelma në gjoks, derisa tronditjen e zemëratën për vrasjen e të birit ia frenon duke e mbytur me një jastëk, që e merr aty pranë. Pas kësaj, dy autorët e krimit zbresin shkallët e pallatit dhe largohen drejt Fushë-Mbretit, ku vendosin të qëndrojnë në banesën e një miku.
Disa ditë më vonë, sipas asaj që Ervisi tregon, është kryer dhe takimi me Florenc Çapajn, i cili u ka dhënë edhe një çantë me para. 50 mijë euro të cilat ata do t’i numëronin në shtëpinë e vjehrrit të Olsi Lekës.
Ky i fundit pritet të pyetet për ngjarjen, njësoj si nëna e Gentianit, Behije Arapi dhe motra e tij Valbona Beqiri. Të dyja familjaret në dëshmitë e tyre kanë pohuar se në banesë hynte vetëm Lorenc Skilja shok fëmijërie i Gentianit dhe Etjen Cani, që ishte sjellë në banesë nga Lorenci.
Në asnjë prej deklarimeve të tyre Behija dhe Valbona nuk përmendin Ervis Bardhin dhe Olsi Lekën. Kjo është një ndër arsyet pse Gjykata ka kthyer pas dosjen për t’i ripyetur.
Hetime të mëtejshme janë të domosdoshme, qoftë edhe për të qartësuar pretendimet e Prokurorisë se Ervis Bardhi është futur në banesë nga Etjen Cani, në një kohë që rezulton se ai njihej me parë me Gentianin. Ata kishin qenë në të njëjtin burg në Peqin për disa muaj ku Ervis Bardhi kishte shprehur dëshirën për të qëndruar në një qeli me Beqirin.
Hetuesve u duhet të sqarojnë edhe të vërtetën mbi telefonin e gjetur në dhomën e Genian Beqirit. Sipas prokurorisë ky numri është i Etjen Canit pasi është gjetur në të një mesazh i të dashurës së tij.
Por, gjykata shton se polici roje Neshat Budani e ka të regjistruar këtë numër në emrin e viktimës Gentian Beqiri. Dhe në këtë pikë, ai që pritet të hedh dritë mbetet efektivi i policisë në pyetësorin e radhës.
Edhe veprimet e dy policëve Neshat Budani dhe Sami Derstila kanë nevojë për rihetim për gjykatën. Sipas një përgjimi ambiental të bërë ndaj tyre menjëherë pas ngjarjes, ata shprehen se deren e ka hapur plaku, duke iu referuar Nezir Beqirit. Po në këtë përgjim ata shprehen se: “dera nuk u hapej as atyre, ca u bënë këta Çapallarët, nuk ka shtet”.
Si porositës të vrasjes, duhen pyetur edhe Ardian dhe Florenc Çapja, dhe kjo është një nga 14 detyrat që Gjykata i jep Prokurorisë. Hetimet e deritanishme, sipas gjykatës nuk provojnë autorësinë e aq më tepër porosinë. Arma, si provë e krimit, përbën një mungesë tjetër të rëndësishme. Pavarësisht kërkimeve që janë bërë në vendin ku bashkëpunëtori i policisë pretendon se e ka hedhur, ajo nuk është gjetur.
Sipas Gjykatës, dosja hetimore nuk duhet ndarë dhe duhet të përmbajë rrëfimet e të gjithë të pandehurve, nëse prokuroria ka prova se vrasja është bërë nga Ervis Bardhi dhe Olsi Leka me ndihmën e Etjen Canit si dhe porosinë e vëllezërve Çapja. Kjo sipas gjykatës, do të ndihmonte të viheshin para drejtësisë, të gjithë personat e përfshirë, në rast se provohej dëshmia.
Në të kundërt, jemi para veprës penale të dëshmisë së rremë, thuhet në vendimin.
Sipas vendimit të dhjetorit të 2020 ku prokuroria kërkoi dërgim të bashkëpunëtorit të drejtësisë Ervis Bardhi dhe Etjen Canit nga hetimi i deritanishëm faktohet se ka ndodhur vrasja. Por nuk faktohet me prova shkencorë autorësia, dëshmia e të penduarit dhe porositësit e vrasje së dyfishtë. Megjithatë vendimi i marsit i gjykatës së Elbasanit për të arrestuar Ardian dhe Florenc Çapjan nuk është bërë publik dhe nuk dihet cilat janë provat e reja të prokurorisë që e çuan drejt kërkesës për arrestimin e tyre. /abcnews.al