Dënimi i Shqipërisë në arbitrazh, Idrizi: 110 mln eurot t’i paguajë Rama, sillet si despot i një regjimi rrumpallë

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka reaguar pas vendimit të arbitrazhit për të dënuar Shqipërinë me 110 mln euro, për shkak të vendimit të kryeministrit Edi Rama për të mbyllur televizionin kritik me qeverinë e tij, Agon Channel.

Dëmshpërblimi do t’i paguhet biznesmenit italian, Francesco Becchetti dhe çdo qytetar i këtij vendi do të nxjerrë nga xhepi i tij 4560 lekë të reja. Idrizi e konsideron vendimin e Ramës si hakmarrje personale ndaj sipërmarrësit italian, por me kosto për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.

Idrizi thekson se paratë duhet të paguhen nga vetë Rama dhe kushdo që ka marrë vendime arbitrare dhe jo nga qytetarët.

Gjithashtu, kreu i PDIU i bën thirrje Prokurorisë, veçanërisht SPAK-ut, që të hetojnë çdo vendim me firmë dhe vulë të kryeministrit, që përkthehet në dëm dhe kosto për buxhetin e shtetit dhe xhepin e qytetarëve.

Për Idrizin, Rama sillet si despot i një regjimi rrumpallë, që hakmerret ndaj kujtdo që është kritik me të.

“Arroganca dhe arbitrariteti i Edvin Ramës për të ndëshkuar, jo si funksionar publik, por si despot i një regjimi rrumpallë, çdo qyetar, media, biznes që nuk i bindet dëshirave të tij, i ka kushtuar Shqipërisë plot 110 milionë euro, para këto që duhet t’i paguajnë shqiptarët.

Në fakt përgjegjësit dhe funksionarët publikë, si në rastin e Ramës, që i ka mundësitë duhet t’i paguajnë vetë kostot e çdo vendimi arbitrat që marrin në abuzim me detyrën.

Këto 110 milionë euro nuk kanë pse t’i paguajnë nga xhepi i tyre taksapaguesit shqiptarë, por t’i paguajë Edi Rama, si shpagim për luftën e tij personale ndaj biznesmenit italian, Becchetti, të cilit i mbylli televizionin Agon Channel, për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë.

E përllogaritur thjeshtë, për orekset personale të Ramës, çdo qytetar i këtij vendi do të paguajë për të shlyer Becchettin, 4560 lekë të reja.

Çdo vendim i qeverisë që mban firmën e Edi Ramës, është i destinuar të përkthehet në dëm kolosal për qytetarët dhe taksapaguesit.

Ky penalizim dhe milionat që do i paguhen biznesmenit italian nga buxheti i shtetit, janë
dëshmia më e qartë e abuzimit në sistem që ka ngritur qeveria “Rama”, me kosto të rënda për financat e shtetit.

PDIU i bën thirrje Prokurorisë, në mënyrë të veçantë SPAK-ut, të hetojnë çdo vendim dhe firmë të Edi Ramës që sjell kosto në buxhetin e shtetit dhe xhepat e taksapaguesve.

Tolerimi i të tilla vendimeve arbitrare me pasoja të rënda në planin afatgjatë, tregon se demokracia në Shqipëri jo vetëm çedon, por se ndodhet në kufijtë e një regjimi.

Shenjë e qartë është degradimi i shtetit, rënia e institucioneve dhe tentativa për ta kthyer Shqipërinë në çiflig të 5 oligarkëve të lidhur me kryeministrin në ikje. Shqiptarët nuk durojnë më. Rama është i rënë. Ndryshimi po troket“, shprehet ai në reagim.

LEXO EDHE  Kancelari i ri në Gjermani, partia e Merkelit humbet shumë vota, ja rezultati deri më tani…