Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të konsiderojë si pjesë të kundërankimit pretendimin e prokurorit Anton Martini për shkelje afatesh nga Komisioneri Publik, i cili ka kërkuar në KPA shkarkimin e tij.
Prokurori Anton Martini dhe Komisioneri Publik paraqitën të martën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit parashtrimet dhe provat e reja në procesin e filluar pas ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në fjalën e tij Komisioneri Publik Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të parashtruara në ankim dhe kërkoi shkarkimin e Martinit pas rivlerësimit në të tre kriteret.
Ndërkohë Martini dhe avokati i tij Julian Mërtiti, kërkuan rrëzimin e ankimit për shkak të shkeljes së afateve dhe pretenduan se shkaqet e referuara nga Komisioneri nuk qëndronin. Në një fjalë emocionale Martini tha se jetonte nën ruajtje prej vitit 2008 për shkak të kërcënimeve që tha se kishte marrë prej detyrës.
“Ajo që më mbetet peng është se fëmijët u rritën me mendimin se duhet të mbroheshin nga policia pasi mund të goditeshin për shkak të punës që bënte babai”, deklaroi Martini
Martini kaloi shkallën e parë të rivlerësimit në janar 2020 me shumicë votash. Ai u konfirmua me votat e kryesueses Genta Tafa Bungo dhe relatores Pamela Qirko. Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja kërkoi shkarkimin e prokurorit Anton Martini për atë që e konsideroi “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”.
Vendimi i konfirmimit u ankimua nga Komisioneri Publik në qershor, disa javë pas afatit, që Komisioneri thotë se ishte pezulluar për shkak të pandemisë.
Trupi gjykues që do shqyrtojë çështjen është i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Natasha Mulajn, Rezarta Schuetz, Sokol Çomon.
Pretendimi mbi afatet
Përfaqësuesi i prokurorit Martini, avokati Julian Mërtiri i parashtroi Kolegjit fillimisht kundërshtimin e tij ndaj ankimit të Komisionerit Publik me dy kundër ankime.
Ai argumentoi se Komisioneri Publik, e kishte kryer ankimin jashtë afatit 15 ditor të përcaktuar në ligj. Mërtiri tha se KPK e kishte publikuar vendimin e arsyetuar për Martinin më datë 24 mars, ndërsa Komisioneri e kishte kryer ankimin më datë 10 qershor.
“Vetë subjekti i rivlerësimit ka ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, brenda afatit”, tha Mërtiri, duke lënë të kuptohej se edhe Martini ishte ankuar ndaj vendimit të KPK.
Mërtiri tha se vendimi i KPK-ë u ishte dhënë palëve më datë 24 mars 2020, ONM dhe Martini e kishin marrë atë në dorëzim, ndërsa Komisioneri Publik nuk e kishte pranuar shkresën.
Sipas Mërtirit mos marrja e shkresës zyrtare me vendimin e arsyetuar nga Komisioneri bazuar mbi aktin normativ të marsit 2020 për masat gjatë pandemisë, nuk ishte arsye për të mos u njohur me vendimin në kohë dhe për të mos ushtruar ankimin në kohë.
Ai vijoi se KPK e kishte njoftuar vendimin e arsyetuar dhe mendimin e pakicës, të skanuar, edhe nëpërmjet email-it. Sipas Mërtirit, njoftimi me email ishte pranuar tashmë si komunikim zyrtar dhe mund të kishte shërbyer për të vijuar ankimin.
Përfaqësuesi i Martinit i adresoi Kolegjit shqyrtimin e disa çështje për të konkluduar nëse Komisioneri Publik ishte njoftuar ose jo me vendimin e arsyetuar që prej 24 marsit 2020.
Mërtiri kërkoi që Kolegji të vlerësojë nëse quhet se Komisioneri ka marrë njoftim ose jo nëpërmjet publikimit të vendimit të arsyetuar në faqen online të KPK. Gjithashtu, Mërtiri kërkoi të çmohet nëse Komisioneri mund ta shqyrtonte ose jo vendimin e KPK në kushtet e pezullimit.
Mërtiri theksoi se është në diskrecionin e institucionit që të zgjedhë mënyrën e njoftimit, ndërsa tha se shkelja e afateve cënonte sigurinë juridike.
“Bazuar në legjislacionin përkatës, publikimi në faqen online të KPK konsiderohet njoftim zyrtar”, pohoi Mërtiri dhe theksoi se, pas puplikimit të vendimit të arsyetuar më datë 24 mars 2020, afati i ankimit kishte përfunduar më 8 maj.
“Çmojmë se Komisioneri Publik ka qenë në interpretim të gabuar të aktit normativ kur nxorri njoftim në faqe se ishin pezulluar afatet e ankimit”, këmbënguli Mërtiri.
Nga ana e tij Komisioneri Publik, Florian Ballhysa deklaroi në fillim të seancës se ankimi ishte kryer brenda afatit dhe i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë të tre kriteret e rivlerësimit.
I pyetur nga Kolegji, Komisioneri Ballhysa tha se pretendimin e Martinit mbi afatet e shikonte në cilësinë e kundërankimit të tij. Trupi gjykues në vendim të ndërmjetëm vlerësoi po ashtu se do ta trajtonte këtë pretendim si pjesë të kundërankimit.
Pretendimet mbi pasurinë
Ballhysa tha në seancë se ai i qëndronte shkakut të ngritur në ankim lidhur me pagesën ose jo të një kësti prej 5 mijë eurosh për apartamentin me sipërfaqe 97.16 m2 + tarracë dhe vend garazhi në Tiranë.
Ballhysa solli në vëmendje se KPK i kishte vlerësuar si bindëse shpjegimet e subjektit se vlera 5 mijë euro nuk i ishte paguar ende shoqërisë ndërturese pasi garazhi nuk ishte dorëzuar, por shtoi se këto konkluzione nuk janë në përputhje me përmbajtjen e provave të administruara.
Ballhysa deklaroi se prokurori Martini rezultonte me balancë negative në shumën 1.9 milionë për periudhën 2003-2017.
Duke analizuar ligjshmërinë e burimeve të deklaruara për blerjen e apartamentit, Ballhysa pohoi se një pjesë e kredisë së butë e tërhequr në vitin 2007 nuk është deklaruar periodikisht si gjendje cash dhe për pasojë nuk mund të konsiderohet si burim i ligjshëm.
Sipas Ballhysës, Komisioni ka gabuar në konsiderimin në analizën financiare të kësaj vlere, të dhurimeve nga vëllezërit që jetojnë jashtë shtetit dhe shtesat nga pagat. “Duhet të konsiderohen vetëm ato që janë deklaruar periodikisht”, theksoi Ballhysa dhe shtoi se subjekti nuk kishte deklaruar asnjëherë pakësimet e kursimeve, si dhe nuk kishte arritur të provonte mundësinë e vëllait që jeton në Mbretërinë e Bashkuar për kursimin e vlerës së dhuruar.
Komisioneri u ndal edhe në marrjen e një kredie me kushte lehtësuese në vitin 2007 që nuk u përdor menjëherë për strehimin, por u investua pjesërisht në bono thesari. Ballhysa tha se veprimet e kryera për qëllim përfitimi financiar janë në kontradiktë me sjelljen që pritet të ketë një prokuror dhe se janë në cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Martini i kundërshtoi konstatimet e Komisionerit. Ai këmbënguli se Martini e ka kryer deklarimin të saktë vjetor të likujditeve dhe se ishte deklaruar saktë edhe burimi i pagesës së vlerës 50 mijë euro për apartamentin në vitin 2015, që përbëheshin nga një pjesë e kredisë dhe kursimet.
“Komisioneri thotë se nuk ka pasur mundësi të kursente 4.2 milionë lekë dhe se në rastin më të mirë mund të kursente 3.6 milionë lekë. Edhe kështu ka pasur mundësi të shlyente pagesën[..]”, tha Mërtiri.
Avokati Mërtiri vijoi se subjekti ka deklaruar në vitin 2007 se ka depozituar për bono thesari gjysmën e kredisë, gjë që sipas tij tregon se gjysma tjetër gjendej në shtëpi. “Subjekti mund të mos jetë i saktë në deklarime, por është i qartë se gjendja cash ka qenë në shtëpi”, pohoi ai.
Mërtiri kërkoi të depozitonte si provë të re dokumentacion ligjor për të ardhurat e bashkëshortes së vëllait të Martinit në Mbretërinë e Bashkuar.
Pretendimet mbi profesionalizmin
Lidhur me profesionalizimin Ballhysa u ndal fillimisht në denoncimin e një gazetari, A.Xh. i cili është ankuar në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj prokurorit Martini lidhur me hetimin e kryer për një kallëzim që ai kishte kryer për kanosje dhe zhvatje përmes forcës nga një ish-oficer i gardës dhe një person tjetër.
Sipas Ballhysës, në hetim ka shmangie të veprimeve hetimore. Ai shtoi se një vendim i ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda, për dënimin e të njëjtëve persona dhe për të njëjtën vepër penale nxjerr në pah gabimet e kryera gjatë hetimit për kallëzimin e kryer nga A.Xh. në vitin 2013 kur ka ndodhur ngjarja.
Lidhur me këtë rast, Mërtiri shpjegoi se prokurori Martini kishte regjistruar procedim penal ende pa u identifikuar atorët dhe se kishte kërkuar autorizimin e përgjigmit të nurmave celularë të indetifikuar nga kallëzuesi A.Xh.
Mërtiri shpjegoi se çështja ishte bashkuar me një tjetër procedim për të njëjta vepra penale për të cilat akuzoheshin të pandehurit dhe se subjekti kishte kërkuar dënimin e tyre.
Ai theksoi se kallëzuesi nuk kishte ardhur të jepte më deklarime, pasi ishte larguar jashtë shtetit për azil disa ditë pas kryerjes së kallëzimit dhe se ishte kthyer në vitin 2015 kur ishte përfunduar çështja. Sipas Mërtirit, gjykata kishte evidentuar se pushimi i çështjes kishte ardhur për shkak të mungesës së dhënies së deklarimeve nga ana e kallëzuesit.
Komisioneri pretendoi se deh disa mesazhe dërguar një avokateje ishin në shkelje të sjelljes që duhet të ketë një magjistrat. Ai i cilësoi këto veprime në cënim të etikës.
Mërtiri tha se prokurori Martini kishte dhënë shpjegime lidhur me këtë ankesë dhe pretendoi se ankimi nuk qëndronte.
Komisioneri po ashtu risolli në vëmendje denoncimet mbi shortin në Prokurorinë e Shkodrës, një rast shkelje të afateve dhe në një rast mos njoftim të palëve për vendimin e pushimit.
Avokati Mërtiri tha se në rastin e fundit nuk kishte patur palë në hetim të cilit duhej t’i komunikohej vendimi, ndërsa për policinë theksoi se ishte palë procedurale. Ai po ashtu kundërshtoi pretendimet në lidhje me shortin, duke thënë se Martini kishte bërë një ndarje të barabartë të çështjeve, në bazë të sektorëve.
Qëndrimi i Martinit
Në fjalën e tij në fund të seancës Prokurori Anton Martini kërkoi disa herë ndjese për për emocionet ndërsa i tha KPA se “po i kalonte para syve jeta e tij” gjatë 23 viteve të fundit.
Martini vuri theksin se për shkak të kryerjes së hetimeve ndaj organizatave kriminale dhe përballjes me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, prej vitit 2008 ruhej nga policia. “Jo në pak raste jam kërcënuar unë dhe familja ime”, tha ai ndërsa shtoi se kishte hetuar bandat që prej vitit 2003 në Lushnjë dhe që prej asaj kohe merrte kërcënime të vazhdueshme.
“dhe evidentoi shkresa nga institucione të ndryshme në të cilat analizoheshin kërcënimet e kryera ndaj tij për shkak të detyrës.
Martini tha se kishte hetuar dhe kërkuar dënim për drejtuesit e anëtarëve të Bandës së Lushnjës, Bandës së Durrësit dhe të Cërrikut. Gjithashtu, solli në vëmendje se kishte drejtuar hetimin për ndërhyrjen në Lazarat dhe një sërë dosjesh të tjera.
“I them këto gjëra se më thuhet se kam cënuar besimin e publikut tek drëjtësia, por me punën që kam kryer gjatë këtyre viteve së bashku me kolegët e mi, vetëm kam kontribuar për ta rritur besimin e publikut tek drejtësia”, pohoi Martini.
“Për shtëpinë u kam 102 milionë lekë borxh bankave”, vijoi ai dhe shtoi se vëllezërit kishin dërguar vite më parë shuma të konsiderueshme në llogarinë e tij bankare të cilat ishin përdorur prej të atit për ndërtimin e një shtëpie. “Por, asnjëherë nuk e kam përdorur këtë fakt për deklaruar se ato dërgesa ishin për llogarinë time. Jam martuar me shtëpi me qira dhe i linda e rrita fëmijtë e mi në shtëpi me qira”, pohoi Martini dhe kërkoi që konfirmimi në detyrë të lihej në fuqi.
Në fund të seancës, Kolegji njoftoi se ndaj prokurorit Martini ishin depozituar edhe 3 denoncime të reja. Seanca e radhës kur Komisioneri do të paraqesë prapësimet ndaj parashtrimeve të Martinit do të zhvillohet më 1 prill, ora 14:00. /BIRN/