Dy fjalë nga një ‘turiste’ e shtëpisë së vet
Mbrëmë takova një mik të vjetër që jeton në zemër të kalasë së Elbasanit, me të cilin kam një jetë që njihem.
Mëngjesin e ‘Ditës së Verës’, më shpjegoi ai, nuk i ishte lejuar të ecte në rrugicën e tij, pasi aty do të kalonte kryeministri. Edhe sot nuk ishte aq e lehtë të ecje nëpër Elbasan, pasi mbase, i pakënaqur nga ‘Dita e Verës’, Kryeministri ynë ia behu edhe sot në Elbasan, dhe sërish për të derdhur çartjen që e ka zënë prej kohësh gjatë rrugës për te Dita e Pranverës Shqiptare.
Tha mes të tjerash, se ne ‘të tjerët’ ishim aq të dëshpëruar, sa ishim kthyer në klitharakë që po trazonim rrugën e tij aq të ndritur, për të cilën shqiptarëve u duhen vetëm sy për ta parë. Dhe elbasanasit në fakt kanë sy për ta parë!
Unë dua të jem shumë e sinqertë me të dhe t’i them se me atë çfarë kam parë e dëgjuar e prekur nëpër Elbasan, të dëshpëruarit e vërtetë janë mijëra qytetarë të zakonshëm që nuk duan më të dëgjojnë dërrdërrollogjinë e tij të dalëboje; të dëshpëruarit e vërtetë janë ‘skuthat e tij të errësirës’, të cilët gjurmojnë hap pas hapi militantët demokratë dhe të tjerë qytetarë që u është fokur shpirti nga shkatërrimi që i ka bërë qytetit pushteti i tij dhe zarët e tij lokalë; të dëshpëruarit e vërtetë janë skuadrat e tij që dhunojnë dhe shkelin ligjin duke kërcënuar zyrat modeste të partisë opozitare, ku militojnë qytetarë të thjeshtë që meritojnë mbrojtjen nga ligji dhe shteti i tyre; të dëshpëruarit janë skalionet e tij që pasi i kanë siguruar me ligj mbylljen e opozitës me orën policore, dalin dhe bëjnë fushatë në orët e natës, pa pyetur për Covid e Ligj; i dëshpëruari i vërtetë është ai vetë që ende nuk e ka kuptuar se pyetjen që ia drejtoi sot opozitës ‘Se çfarë mund t’i ofrojë Shqipërisë?’, në të vërtetë duhet t’ia bëjë vetes dhe tarallakëve dhe banditëve rrotull tij.
Çfarë mund t’i ofrojë më Shqipërisë kryeministri ynë? Çfarë mund t’i ofrojë Elbasanit dërgata e tij, veç shkatërrimit të plotë të qytetit, shkatërrim që çdo qytetar e ka fare të qartë. Qyteti i Elbasanit është tani një udhëkryq bandash të mbrojtura nga pushteti i tij, është një qytet i tulatur nga dora e dhunshme e emisarëve të tij, është një qytet i fyer nga inferiroriteti dhe denbabadenëria e drejtuesve të tij butakë.
Lumi i vrerit ndaj opozitës, ndaj koalicionit të saj me partitë e tjera në Alencën për Ndryshim, vetëm e nderon opozitën dhe i shpjegon thjesht çdo shqiptari se sa i shqetësuar është kryministri i tij, por edhe përse është kaq i shqetësuar kryeministri i tij. Gjuha e tij nuk i ngjan asnjë kryeministri në botën e qytetëruar, i cili ka detyrë politike të bëjë zgjedhje të ndershme dhe detyrë historike të mos e bëjë më Shqipërinë lajm në gjuhë të huaj për guerrile që vjedhin vota dhe qeverira që vijnë në pushtet si hajdutë të vendimit të popullit të vet, duke shkelur çdo princip, çdo ligj, çdo moral, çdo kod e kusht qytetarie. Doni shembuj, ja një fare i thjeshtë. Në cilin ligj është mbështetur vendosja e këtyre reklamave të partisë në pushtet në këtë objekt shtetëror në Belsh? /Flutura Acka