Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati dhe avokati i saj e braktisën në mënyrë demonstrative seancën dëgjimore në KPK, ndërkohë që nga relatimi u gjetën probleme të pasurisë, kontakte të papërshtatshme dhe cilësi të papranueshme profesionale.
Kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u tërhoq për të shqyrtuar kërkesën e fundit paraprake për pezullim të procesit të avokatit Saimir Visha –përfaqësues i prokurores së Kukësit, Rita Gjati, rreth kësaj të fundit u mblodhën veç avokatit dhe ndihmëses së tij, edhe tre -katër të afërm.
Gjatë kësaj kohe, Gjati u pa të qante dhe lëshoi kokën mes duarve, ndërsa dikush i rrihte shpatullat. Ata që e mbështesnin, u dëgjuan t’i sugjeronin se nuk duhej të lejonte relatimin. “Në djall shkofshin… Mos i jep mundësi të flasi (relatores)… Preja fjalën,” sugjeruan të afërmit.
Kur trupa u kthye në sallë dhe kryesuesja përfundoi leximin e vendimit të refuzimit dhe tentoi t’ia kalonte fjalën relatores Genta Tafa (Bungo), avokati Visha brofi në këmbë, megjithëse ishte këshilluar herë pas here të fliste ulur për shkak të përkthimit.
Ai tha se ndjehej i fyer, pasi nuk i ishte pranuar asnjë kërkesë.
“Më vjen turp që kam ardhur para këtij Komisioni,” tha ai me zë të lartë, ndërsa shpalli se hiqte dorë nga mbrojtja dhe akuzoi trupën se nuk i kishte dhënë Gjatit as të drejtat që i jepeshin një të pandehuri të thjeshtë. Visha më pas aludoi se çështja ishte e paragjykuar dhe se tashmë e dinte vendimin.
Ai la sallën duke i thënë trupës: “Shëndet në familjet tuaja”.
Përpjekja e kryesueses për të vijuar seancën u has pas kësaj me kundërshtimin e Gjatit. Duke iu drejtuar për herë të parë trupës vetë, Gjati parashtroi pamundësi mjekësore për të bërë mbrojtjen e duhur, për shkak se sapo kishte kaluar COVID-19 dhe kishte qenë me raport deri së fundmi. Ajo tha se braktisja prej avokatit e kishte kapur në befasi dhe kërkoi kohë për një avokat tjetër.
Kur KPK vendosi me shumicë votash që kërkesa ishte e pabazuar dhe se subjekti nuk kishte sjellë raport që provonte pamundësinë fizike, Gjati dhe të afërmit braktisën po ashtu seancën. Gjati pretendoi se nuk iu dha mundësia për mbrojtje dinjitoze.
Ironikisht në relatimin që u lexua më vonë pa prani të subjektit, KPK vuri në dukje se i kishte kaluar asaj barrë prove edhe se nuk u kishte dhënë të drejtat për mbrojtje, personave që kishte hetuar.
Relatorja Genta Tafa (Bungo) vuri në dukje se prokurores i ishte kaluar barrë prove edhe për mosdeklarimin e një trualli 550 metra në Sarandë në pronësi të djalit të saj, që kur ky kishte qenë 5 vjeç.
Sipas KPK, u gjetën mungesë burimesh në rreth 6.7 milion lekë si dhe mosdeklarim të kontaktit të papërshtatshëm me Sh.K, një ndërtues i dënuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në vitin 2018, të cilit familja e saj i detyrohej 4 milionë lekë. Gjati u akuzua gjithashtu për deklarim të rremë para Komisionit, cilësi të papranueshme profesionale dhe gjykim të dobët.
Bungo tha se Gjati kishte kundërshtuar këto gjetje dhe se qëndrimi i saj “pjesërisht bashkëpunues” do merrej në konsideratë.
Përpjekja për të shtyrë seancën
Seanca e të mërkurës filloi me njoftimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit se një trupë tjetër e KPK kishte shqyrtuar dhe rrëzuar kërkesën e Gjatit përmes avokatit Visha për përjashtim të trupës së kryesuar nga Alma Faskaj, me relatorë Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj.
KPK po ashtu njoftoi se ishte rrëzuar si e pabazuar në ligj kërkesa për të shtyrë procesin deri në përfundimin e shqyrtimit të një padie në SPAK për “shpërdorim detyre” ndaj trupës.
Po ashtu u tha se një kërkesë me shkrim për përjashtim të trupës, e njëjtë në përmbajtje dhe formë me atë të shqyrtuar më parë, nuk ishte marrë në konsideratë si gjë e gjykuar.
Kryesuesja po ashtu rilexoi rregullat e seancës. Kur ajo kërkoi t’i jepte fjalën relatores avokati Visha ndërhyri duke pretenduar se ishin marrë katër vendime pa praninë e tyre dhe se ata nuk ishin njohur me këto vendime. “Po na kyçet goja me rregullore”, tha Visha.
Kryesuesja kundërshtoi duke thënë se vendimet u ishin njoftuar në e-mail, por Visha këmbënguli. Sekretarja e seancës i dorëzoi atij, ndërsa ishte ende duke replikuar vendimin në formatin e printuar.
Visha ri parashtroi kërkesën për përjashtim të trupës duke aluduar për njëanshmëri dhe tha se nuk pranonte që ajo të shihej si gjë e gjykuar edhe pse kishte të njëjtën formë.
Kryesuesja pas vendimit të ndërmjetëm ktheu përgjigje se situata nuk kishte ndryshuar dhe kërkoi sërish të kalonte fjalën për relatoren, duke thënë se të gjitha pretendimet ishin shqyrtuar.
Por avokati ndërhyri. Ai tha se kishin një kërkesë të re për riçelje hetimi, bazuar në dyshimin se raporti i dytë i DSIK ishte “një falsitet”. Visha tha se raporti ishte marrë në dorëzim nga KPK, një ditë para se të firmosej dhe vulosej. Visha tha se raporti kishte ndryshuar nga përshtatshmëri në papërshtatshmëri brenda pak ditësh dhe kërkoi riçelje të hetimit.
Pasi u tërhoq për vendim të ndërmjetëm KPK u kthye në sallë duke njoftuar rrëzimin e kërkesës si të pabazuar.
Por relatorja nuk u la të fliste. Visha që kërkoi sërish fjalën tha se ata kishin bërë padi në Gjykatën Administrative për të shpallur absolutisht të pavlefshëm raportin e DSIK-së dhe kërkoi që procesi të pezullohej deri sa kjo padi të shqyrtohej. Në këtë moment kryesuesja kërkoi të dinte nëse kishte kërkesa të tjera paraprake. Visha tha se në atë moment procedurial, nuk kishte.
Pasi KPK u tërhoq për vendim, shoqëruesit dhe mbrojtësit e Gjatit u përfshin në një diskutim për mënyrën se si do të reagonin. Gjati vetë shprehu me zë të lartë dyshimin se kërkesa do të refuzohej, të cilës Visha iu përgjigj duke qeshur dhe në ironizoi “Pse e di që do e refuzojnë”.
Një prej shoqëruesve të Gjatit e këshilloi këtë të fundit që të mos e linte relatoren të fliste. Nga copëzat e bisedës të thënë me zë që mund të dëgjohej në fund të sallës, ajo kërkoi që Gjati të linte të fliste avokatin.
Gjatë kësaj ndërprerje Gjati u duke se u bë emocionale. Disa herë personat që e shoqëronin u afruan për ta inkurajuar.
Kur KPK njoftoi refuzimin e kërkesës, duke e cilësuar padinë në Gjykatë Administrative si “shkak të pamjaftueshëm”, Visha u ngrit në këmbë dhe njoftoi se nuk do të vijonte më mbrojtjen.
“Duke ndjerë veten të fyer, heq dorë nga mbrojtja”, tha ai ndër të tjera, ndërsa shtoi se nuk donte të ishte palë në këtë proces, pasi e dinte përfundimin.
Ai la sallën sëbashku me një person që duket se ishte ndihmëse e tij në proces. Gjati që mori fjalën pas largimit të Vishës, duke ndërprerë sërish kryesuesen, pretendoi se nuk kishte dijeni për këtë vendim.
“Më kapi në befasi lëvizja e mbrojtësit. Kam mbështetur gjithë mbrojtjen te ai”, tha ajo, duke parashtruar si rrethanë se familjarisht sapo kishin kaluar COVID-19 dhe se vetëm dy ditë më parë i kishte përfunduar raporti mjekësorë që kishte pasur. Ajo tha se e kishte të pamundur të bënte mbrojtjen dhe kërkoi shtyrje për të zgjedhur një mbrojtës tjetër, duke qenë se që në fillim kishte kërkuar të kishte avokat.
Kryesuesja kërkoi të dinte nëse kishte raport që mbështeste paaftësinë për tu mbrojtur. Gjati iu referua raporteve të mëparshme.
KPK u tërhoq për vendim tjetër të ndërmjetëm dhe pas rikthimit në sallë njoftoi se kërkesa për shtyrje ishte refuzuar me shumicë votash, pasi nuk u paraqit raport që të provonte pamundësinë fizike për të kryer mbrojtjen.
Gjati pas kësaj tha se refuzonte të ishte pjesë e seancës. Ajo u largua nga salla sëbashku me personat që e shoqëronin.
Problemet e pasurisë
Pasi mori më në fund fjalën në një sallë tashmë të zbrazur relatorja Genta Tafa (Bungo), tha se Gjati, që kishte filluar punë në fillim të viteve 2000 ishte hetuar në të tre kriteret.
Relatorja lexoi fillimisht një raport të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili kishte gjetur pasaktësi në deklarimet e Gjatit dhe po ashtu mungesë dokumentacioni.
Nga hetimi KPK tha se një apartament në Sarandë i blerë në kohën kur Gjati kishte punuar dhe jetuar në atë qytet ishte deklaruar si i financuar nga shitja e një trualli po në atë qytet të përfituar me vendim të Këshillit Bashkiak, dy kredi dhe të ardhurat nga paga. Apartamenti ishte ndërtuar në një pallat që ishte investim i një grupi punonjësish të Ujësjellësit të Delvinës.
KPK vuri në dukje si të dyshimtë faktin se bashkëshorti i Gjatit kishte përfituar 511 metra truall me vendim të Këshillit Bashkiak për shumën 245 mijë lekë dhe e kishte shitur 4 ditë pas blerjes për shumë 1 milion lekë. KPK tha se për këtë nuk ishin paguar tatimet.
Relatorja tha se kjo shumë nuk ishte njohur si burim i ligjshëm, po ashtu nuk ishin njohur as dy kreditë që shkonin 1 milion lekë, sepse ishin marrë pas vitit 2002 kur ishte deklaruar investimi.
Komisioni tha se pronësia në garazhin 98 metra, i pa ndarë nga pjesa tjetër nuk ishte deklaruar asnjëherë. Pretendimeve të Gjatit se në garazh nuk kishte investuar, KPK i vuri përballë deklarimet e të shoqit në padinë civile ndaj administratorit, në të cilën ai citohet të përmendë edhe investimin në garazh.
Analiza financiare sipas KPK për këtë apartament e nxori Gjatin me mungesë të burimeve të ligjshme për 4.4 milion lekë.
KPK në vijim tha se gjeti një sërë problemesh në deklarimet vjetore të Gjatit dhe disa mosdeklarime. Relatorja tha se një hua nga vëllai i burrit, Gjati e kishte deklaruar si të shpenzuar për probleme shëndeti për KPK, por e kishte deklaruar më herë si të përdorur për mobilim e riparim shtëpie. KPK tha se dukej se Gjati kishte bërë deklarim të rremë para Komisionit.
Ngjashëm KPK rrëzoi disa burime financiare të Gjatit, duke referuar se ato nuk ishin përdorur siç ishin deklaruar pas verifikimeve në banka dhe një bilanc negativ 6.7 milion lekë.
Borxhi ndaj të dënuarit për trafik
Ndërkohë një apartament i blerë nga djali i prokurores në Tiranë në vitin 2015, duket se solli probleme në dy kriteret për prokuroren. KPK tha se Gjati kishte marrë dy kredi konsumatore për mobilim të apartamentit ku jetonte, por më pas i kishte deklaruar ato si burim për pagesën e një kësti të apartamentit të djalit.
Në përshkrimin e relatores rezultoi se ishte marrë në dorëzim një akt noterial në emër të djalit të prokurores, i cili supozohej se kishte firmosur me ndërtuesin Sh.K një kontratë për një apartament 6 milion lekë. Sipas kontratës noteriale 2 milion lekë ishin paguar në dorë me nënshkrimin e kontratës, pjesa tjetër do të paguhej më vonë. Po ashtu këtu përmendej edhe fakti se pagesa do të kryhej me shitjen e 550 metrave truall që djali i subjektit posedonte në Sarandë.
Komisioni tha se nga hetimi kishte rezultuar që djali i Gjatit nuk kishte qenë në Shqipëri kur kishte nënshkruar deklaratën noteriale që ishte paraqitur si provë për këtë pasuri në ILDKPKI. Gjatit i kaloi barrë prove për këtë kontratë që nuk përputhej me të dhënat e administruara më pas.
Gjati më vonë pranoi në deklarime për KPK se paratë ishin paguar nga ajo dhe bashkëshorti i cili kishte prokurë për të vepruar në emër të djalit. Po ashtu u përmend edhe një kontratë premtim shitje për truallin në Sarandë për 5 milion lekë që do merreshin në këste. Trualli, u tha se nuk ishte regjistruar në emër të djalit të subjektit më Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, por se ai e posedonte që në moshën 5-vjeçare me vendim të Këshillit Bashkiak të Sarandës.
Relatorja tha se ky fakt ishte i dyshimtë dhe se kjo pasuri nuk ishte deklaruar në asnjë prej deklaratave të subjektit, duke ngritur dyshime për pasuri të fshehur.
Nga hetimi mbi këtë apartament në Tiranë rezultuan edhe kontaktet me Sh.K, i cili është dënuar në vitin 2018 nga Gjykata e Krimeve të Rënda, si anëtarë në grup të strukturuar kriminal dhe trafik narkotikësh.
Sipas KPK, Gjati kishte pranuar se kontaktet me Sh.K, i kishte mbajtur ajo dhe bashkëshorti dhe jo djali. Dukë lënë të kuptohej po ashtu se ajo dhe bashkëshorti kishin paguar 2 milion lekë të këstit të parë për apartamentin dhe i detyroheshin Sh.K edhe 4 milion lekë të tjera, për pagesën e të cilave nuk ishte përcaktuar ndonjë afat kohorë.
Kontakti i fundit sipas KPK rezultonte në mars të vitit 2015. Komisioni tha se Gjati kishte qenë në dijeni para se të dorëzonte në janar 2017 deklaratën e pastërtisë së figurës se Sh.K, që ishte arrestuar në korrik 2016 për akuzën e trafikut të narkotikëve dhe grupit kriminal, ishte në procedim penal. Komisioni tha se e vlerësoi mosdeklarimin e kontaktit dhe detyrimit prej 4 milion lekësh ndaj këtij personi si plotësim jo të saktë të formularit të pastërtisë së figurës.
Ndërkohë DSIK pasi kishte dërguar fillimisht një raport pozitiv e kishte ndryshuar raportin me një të dytë sipas të cilit Gjati dyshohej për mitmarrje në disa raste dhe në vite të ndryshme. KPK tha se gjatit i ishte kaluar barrë prove mbi këtë raport dhe se shpjegimet e saj do merreshin në konsideratë.
Problemet e profesionalizmit
Sipas KPK Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si prokurore në Sarandë. Nga relatimi doli se ndaj saj ishin marrë disa herë masa disiplinore. Në vitin 2004 për shkak të problemeve të gjetura ajo ishte ulur në detyrën e Oficeres së Policisë Gjyqësore për 6 muaj. Në vitin 2006 ndaj saj ishte marrë masë vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra.
Në vitin 2008 ajo është shkarkuar nga Presidenti i Republikës me kërkesë të Prokurores së Përgjithshme të kohës, Ina Rama pasi një inspektim gjeti një sërë shkeljesh.
Dekreti i presidentit u kundërshtua në gjykatë si i paligjshëm. Gjykata e Apelit të Tiranës i dha të drejtë Gjatit dhe i njohur edhe një dëmshpërblim. Ajo u rikthye në detyrë në vitin 2013 dhe në vitin 2014 u emërua në Prokurorinë e Kukësit, ku vazhdon të kryejë detyrën.
KPK tha se Prokuroria e Përgjithshme, e cila kishte bërë një raport vlerësimit të 3 dokumenteve të zgjedhura nga Gjati dhe pesë dokumenteve të marra me short, kishte gjetur një sërë problemesh. Sipas relatores në dokumentet që vetë Gjati kishte dorëzuar, ishte gjetur nga Prokuroria e Përgjithshme “konfodim i termit burim prove”.
Probleme të ngjashme u gjetën edhe në dosje të tjera, përfshi referim në akuzë të ndryshme në fillim të kërkesave për gjykim dhe akuzë të ndryshme në konkluzionet në të njëjtat kërkesa.
Në një prej dosjeve të shortuara u gjet se Gjati kishte vijuar në vitin 2015 për 24 ditë hetimet ndaj një gruaje të akuzuar për “Mashtrim me sigurimet” edhe pse kishte pasur në dorë certifikatë të vdekjes së saj në vitin 2011. Po ashtu edhe pse duhej ta kishte pushuar çështjen pasi e hetuara kishte vdekur, Gjati kishte kryer veprime hetimore dhe pushimin e kishte arsyetuar me “parashkrim të veprës penale”.
Gjatit i kaloi barrë prove për tre ankesa për zvarritje dhe hetime të paplota. Po ashtu asaj i kaloi barrë prove mbi tre kallëzime në Prokurorinë e Lezhës. Një kallëzues që kishte dy çështje penale ndaj Gjatit, pretendon se ajo e kishte kërcënuar në telefon. Tafa tha se e pyetur nga KPK Gjati kishte pretenduar se denoncuesi ishte ai që e kishte telefonuar, por KPK-së i kishte rezultuar se ishte ajo telefonuesja.
KPK vuri në dukje se në vitin 2018 Gjati kishte kërkuar në gjykatë zbutje të masës së sigurisë, nga arrest në burg në arrest në shtëpi, ndaj një personi të dënuar në Rijeka të Kroacisë, për plagosje dhe disa vepra të tjera penale. Sipas KPK vetë Gjati në seancën e datës 12 nëntor 2018, kishte paraqitur deklaratën e një pronareje hoteli e cila pranonte të strehonte të arrestuarin për qëllim ekstradimi në hotelin e saj. Personi në fjalë ishte arratisur në janar 2019. KPK tha se nuk kishte as rrethana dhe as provë pse masa e sigurisë duhej të ishte ndryshuar.
Në fund KPK tha se gjeti “gabime thelbësore” në dosjet e Gjatit dhe u shpreh se ajo dukej nuk plotësonte kriterin e aftësive profesionale. Seanca e njoftimit u caktua në 19 mars ora 9.00. /BIRN/