Nga Boldnews.al
Në Ditën e Verës, e cila festohet prej të paktën 20 vitesh si një festë kombëtare në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të tregojë muskujt.
Natyrisht jo vetë personalisht, por muskujt e atyre që e shoqërojnë kudo, me dhe pa uniformë, me armë të ligjshme ose jo, trupmëdhenj apo jo. Rama thjesht orkestroi një provë force dhe zgjodhi pikërisht Elbasanin, atë që njihet si kryeqyteti i ditës së verës.
U tha se u mërzit shumë nga thirrjet e një grupi qytetarësh që e pritën jo me krahëhapur, as me buzëqeshje, por me koret “Rama ik”.
Ky ishte sebepi, pasi edhe nëse nuk do të ndeshej me një situatë të tillë, aspak kërcënuese për sigurinë fizike të Kryeministrit, djemtë problematikë që e shoqëronin sërisht mund të jepnin një shfaqje.
Ata ishin përgatitur për të treguar muskujt, madje për të tërhequr vëmendje sa më të madhe, me një skenar të parapërgatitur për të mbjellë frikë.
Rama nxitoi të akuzonte opozitën se kishte dalë me flamuj partiakë në një ditë feste, pastaj tregoi arrogancën se ai nuk pyet për orarin se kur duhet të shkojë në Elbasan dhe as për ato thirrjet që duket se i shkatërrojnë nervat kur i dëgjon.
“S´jemi armiq, por kundërshtarë që përballemi në gara elektorale”, tha Rama, i cili gjithashtu bëri një krahasim mes qytetarëve që e pritën me thirrjet “Rama ik” dhe Presidentit Ilir Meta të dy ditëve më parë kur u shfaq duke mbrojtur selinë e FRD-së që kërkon t´a marrë Erion Veliaj për të vendosur zyrat e bashkisë.
Në anën tjetër, Lulzim Basha, paralajmëroi Kryeministrin që të heqë dorë nga rruga e tij me kërcënime ndaj qytetarëve dhe mbajtjen rreth e rrotull të njerëzve të armatosur.
Pas shkëmbimit të replikave në distancë, drejtuesit e dy partive vijuan agjendat e tyre politike, ndërsa policia tha se kishte shoqëruar 5 persona, mbështetës të PD dhe PS, që ishin përfshirë në përplasjen fizike.
I gjithë ky incident mund të shmangej deri diku, por në fakt ai tregon se 25 prilli nuk do të jetë një ditë edhe aq e qetë. Nuk do të jetë një ditë ky qytetarët do të mund të vërshojnë në qendrat e votimit për të ndëshkuar me votë Edi Ramën në Durrës apo Taulant Ballën në Elbasan, Edi Ramën në Vlorë apo Arben Ahmetajn, Etilda Gjonajn apo Ogerta Manastirliun në Tiranë.
Data 25 prill do të jetë edhe përballja me çunat problematikë të Edi Ramës, jo thjesht këta që u shfaqën sot në Elbasan, por edhe ato që shfaqen në Durrës, Shijak, Vlorë, Fier, Shkodër apo Lezhë. Këta janë skalioni që i jep garancinë Ramës për të pretenduar mandatin e 3-të si Kryeministër, por njëherazi janë edhe ata që komandojnë më pas ministrat, deputetët, drejtorët dhe çdo hallkë tjetër të këtij shteti. Dhe ky skalion muskujsh nuk ndalet as me fjalë, as me edukatë, as me paralajmërime.
Sot Edi Rama preferoi të tregojë se çfarë mund t´i ndodhë atyre që mendojnë të shprehin revoltën e tyre me disa thirrje, pas 41 ditësh do na tregojë se si këta djemtë problematikë mund të mbushin kutitë. Dhe në një situatë të tillë paralajmërimet me edukatë ndaj një Kryeministri që ditën për diell tregon muskujt, mund të tregojnë qytetari, por vetëm kaq.
Nëse për vite me rradhë thuhet se Edi Rama ka ngritur një regjim që duhet përmbysur, me një polici që vështron se si djemtë problematikë të Rilindjes dhunojnë qytetarët dhe më pas shoqërojnë ata që dhunohen, atëherë opozita duhet të dalë pak nga “kostumi qytetar”, të lërë mënjanë edhe xhelin e flokëve apo buzëqeshjen, dhe ti japë garanci atyre qytetarëve që s´janë vetëm përballë horrave me apo pa uniformë, me apo pa armë me leje.
Beteja me regjimin nuk mund të konsiderohet thjesht si një përballje te kutitë, kur njëra palë prish rregullat e lojës, dhe nxjerr skalionet e dhunës, ndërsa pala tjetër luan rolin e një besimtari të mirë që kthen faqen kur e godasin.