Të gjitha qytetet janë rrënoja në gjendjen e tyre fillestare. Dhe rrënojat ndodhen tashmë atje, nën rrugët plot shkëlqim. Kjo mund të shihet qartë në projektin e filozofit Valter Benxhamin mbi kalimet e nëndheshme të Parisit, që mbeti i papërfunduar kur autori vdiq në vitin 1940.
Benxhamin punoi për 13 vjet rresht mbi reflektimin e tij ndaj galerive të mbuluara me hekur dhe xham të Parisit të shekullit XIX (ka zëra se dorëshkrimi përfundimtar u zhduk nga çanta e Benxhaminit kur ai vdiq, gjatë arratisë nga Franca e pushtuar nga nazistët).
Duke qenë ndryshe nga një grup shënimesh dhe reflektimesh të skicuara, ato janë lexuar nga shuam njerëz si vepra themelore mbi qytetin modern. Ajo që ka ardhur deri tek ne është vetëm një lloj rrënoje:një kolazh i çuditshëm kujtimesh dhe erudicioni, citime dhe anekdota. Konceptimi i Benxhamin për qytetin merr formë në një bollëk detajesh.
Në bazë të frymëzimit të reflektimeve të Benxhaminit është bohemi i Bodlerit, njeriu që ecën përmes turmës, shikimi i të cilit përshkon sipërfaqen e qytetit dhe lidh fragmentet e tij. Parisi i Benjaminit është siç e thotë vetë ai“qyteti i hallakatur” i poezive të Bodlerit, me detin e tij të shtëpive të ngjashme me “dallgët gjigante”, “më shumë si një nëndetëse”.
Por ajo që grishi imagjinatën e tij, qëndronte e zhytur nën çatitë prej qelqi të galerive. Në një pasazh nga faqet e para, të shkruara gjatë viteve 1928-1929, Benxhamin kujton entuziazmin që ndjente si fëmijë mbi enciklopeditë, në veçanti për ilustrimet me ngjyra të peizazheve parahistorike: xhunglat e egra të Karboniferit, apo “Liqenet dhe akullnajat e Epokës së parë Akullnajore”.
Një panoramë e ngjashme shpaloset, sugjeron ai, kur mendojmë edhe për kalimet e nëndheshme pariziane, që për Benxhamin ngjanin me gjurmët e kohës së thellë. Konsumatori që e frekuenton galerinë shpellore është “dinosauri i fundit në Evropë”; dhe “në muret e këtyre shpellave, mallrat shumohet si një florë e paharrueshme” dhe qëndrojnë në “marrëdhënie më pak të rregulluara”.
Në bollëkun e galerive, shfaqet “një univers afinitetesh misterioze” shkruan Benjamin:“Pema e palmës dhe pluhuri, tharësja e flokëve dhe Venera e Milos, protezat dhe mbajtësjae kartës”, të lidhura në mënyrë të padukshme nga jetët nëpër të cilat kalojnë.
Ideja themelore e Benxhamin në librin mbi galeritë, është se secili qytet përbëhet nga sekrete të panumërta. Materialet nga e gjithë bota derdhen në qytet në beton, tullat dhe çelikun që përmbajnë godinat e tyre, apo në formën e filxhanëve të kafesë dhe kartave të kreditit, kabllove me fibra optike, xhamave të dritares, unazave prej diamanti dhe kapëses së letrës.
Sado të ndara të duken nga njëra-tjetra, këto objekte kanë një lidhje të përbashkët. Sekreti i tyre jemi ne, që i mbushim ato me jetë dhe me të cilët ndajmë intimitete.
Më shumë se të gjitha gjurmët e tjera që do të lëmë pas – rrugët gri të përhapura në Tokë si venat e gjakut, guroret e thella që gërmuam dhe mbetjet kimike që lamë në ajër, akullin dhe ujin, apo plastikat e qëndrueshëm dhe radionuklidet akoma më të qëndrueshme – qytetet tona do të jenë arkivi më gjithëpërfshirës dhe zbulues i asaj se kush ishim dhe si jetonim.
“Flora jonë e lashtë”, do të ngelet në mbetjet e fosilizuara të ndërtesave, në infrastrukturat e tyre të varrosura dhe në objektet e panumërta të vogla të hedhura tej, si një enciklopedi e gjerë e jetës dhe dëshirave njerëzore.
Më shumë se gjysma e botës jeton tani në qytete; deri në vitin 1800, ishte vetëm 3 për qind. Në vitin 2016, kishte 512 qytete me një popullsi mbi 1 milionë banorë. Kombet e Bashkuara parashikojnë që do të ketë 662 të tilla në vitin 2030, duke e shtuar çdo vit me 72 milion njerëz popullsinë urbane në mbarë botën.
145 milion njerëz jetojnë në brigje më pak se 1 metër mbi nivelin e detit. Shumica janë të vendosur në megaqytete të tilla si Xhakarta, Lagosi, Nju Jorku dhe Mumbai. Midis viteve 1995-2015, numri i këtyre megaqyteteve, me 10 milion banorë ose më shumë, është dyfishuar, dhe qëtë gjithë ato janë në rritje.
Deri në vitin 2030, popullsia e Shangait do të jetë rritur nga 24 në mbi 30 milion; ajo e Mumbai do të ketë arritur në 27 milion. 9 milion njerëz do të jetojnë në Daka; 11 milion në Lagos. Gjatë dekadave të fundit, qytetet janë zgjeruar nëpër shkretëtira, si për shembull pallatet plot shkëlqim të Dubait, duke kolonizuar mijëra hektarë tokë të rikuperuar nga deti. Në të ardhmen mund të gërmohen nën tokë, siç është qyteti nëntokësor me shumë nivele i projektuar nga Singapori.
Për një kohë të kufizuar, që të gjitha qytetet do të lënë pas gjurmë. Nuk është një panoramë e plotë:duke mos pasur një infrastrukturë shumë të qëndrueshme, afro 1 milionë njerëz që improvizojnë jetën e qytetit në Dharavi, nuk do të kontribuojnë në gjurmët e Mumbait si ata që jetojnë në rrokaqiejt e Nariman Point.
Por me struktura të mëdha dhe themele të thella, edhe qytetet bosh do të rezistojnë për mijëra vjet në formën e ishujve prej qelqi dhe betoni, të lidhur nga një rrjet hekurishtesh (hekurudha, rrugë, kanalizime dhe tuba).
Por nëse marrim parasysh fatin e qyteteve në një shkallë prej disa miliona vjetësh, përfundimisht ato që ndodhen në lartësi më të mëdha, ose aty ku ngrihet toka do të reduktohen në asgjë. Qytetet që do të ruhen do të jenë të mbrojtura nga erozioni falë bekimit të ujit dhe “balsamit” të baltës.
Megaqytetet me lartësi të ulët të vendosura në zonat bregdetare, grykëderdhjet detare apo fushat që sot përmbyten vazhdimisht, kanë shansin më të mirë të fosilizimit. Pasi të zhytet nën ujë, qyteti i braktisur do të mbulohet me një shtresë të trashë balte që do ta mbrojë atë nga orekset e klimës dhe oksidimit.
Përfundimisht, ndërtesat e tij do të shemben, por ajo që është varrosur, gjurmët nëntokësore – themelet e godinave dhe shtyllat prej betoni që mbajnë në këmbë qiellgërvishtësit e Nju Orlinsit, apo edhe shtyllat prej druri të veshura me gur të Venecias; metrotë, tubat dhe kabllo – përfundimisht do të formojnë atë që gjeologu Jan Zalasiviz, president i Grupit të Punës së Antropocenit, e quan “shtresa urbane”, një qilim i pasur me gjurmë njerëzore dhe afinitete të fshehta të ngjeshura në shkëmb.
Pas 100 milionë vjetësh nga tani, ajo që do të mbetet nga Nju Jorku ose Mumbai mund të jetë një depozitë jo më e trashë sesa fundi i cekët i një pishine. Ironikisht, uji që detyron braktisjen e qyteteve bregdetare, do të sigurojë gjithashtu të ardhmen e tyre.
Ndërkohë, humbja e qyteteve që njohim do të sjellë lindjen e qyteteve të tjera, ndërsa njerëzit do të largohen në kërkim të tokës së thatë:një Majemi apo një Nju Jork i ri. Ndërsa dallgët do të përplasen mbi qytetet e vjetra, qytetet e reja do të ngrihen mbi terrene më të larta, duke i shtyrë themelet e tyre në shtresat gjeologjike, dhe duke ndërtuar botën e tyre të afinitetit të fshehtë.