Një 25 vjeçar shqiptar, i cili sapo ishe diplomuar si inxhinier ka mbetur i vdekur për shkak të një aksidenti automobilistik.
Ngjarja ka ndodhur në Ekali të Athinës.
Mediat greke bëjnë me dije se shkaktar i aksidentit është një 19-vjeçar, djali i një pronari të njohur të anijeve në Greqi, i cili shkeli rregullat e qarkullimit rrugor teksa drejtonte një makinë luksoze me shpejtësi.
I riu shqiptar ishte duke drejtuar një motorçikletë kur u përplas nga një makinë “Mercedes GLE”, ku në timon ishte djali 19-vjeçar i një pronari të njohur të anijeve në Greqi.
19-vjeçari ishte duke u kthyer nga palestra kur ka shkelur shenjën “STOP” duke ecur me shpejtësi në drejtim të motorçikletës së drejtuar prej të riut shqiptar.
Pas aksidentit, 19-vjeçari u arrestua dhe policia ka marrë monstrat e gjakut për të kuptuar nëse adoleshenti grek ishte apo jo nën efektin e drogërave dhe alkoolit.
Për “Protothema”, familja e të riut shqiptar është shprehur se presin përfundimin e hetimeve për ngjarjen tragjike.
“Ai ishte tepër i ri për t’u përballur me vdekjen. Kishte ëndrra që u prenë në mes. Presim përfundimin e hetimeve për të dalë më pas me një qendrim për atë që na ka ndodhur”, shprehen familjarët e shqiptarit që humbi jetën tragjikisht në Athinë.