Nga Ilir Kalemaj
Përtej lajmit për ministra të jashtëm që ikin dhe që vijnë, për Ministri edhe të Europës ku kjo e fundit na largohet çdo ditë e më shumë, e vetlavdërimeve pa sens apo qortimeve presidencës portugeze me megalomani kur kjo ende nuk ka nisur punën, pyetja më e rëndësishme dhe më kryesorja është në ç’kah duhet të orientohet diplomacia në të ardhmen për të qenë sa më rezultative në shërbim të interesit kombëtar?
Së pari, vlen të theksojmë parimin e efiçencës dhe racionalizimit të burimeve, duke maksimizuar suksesin. Nëse kjo do të arrihet me anë të një zëvendëskryeministri ekzekutiv me staf të plotë për të mbuluar ish-funksionet e Ministrisë së Integrimit dhe udhëhequr negociatat me BE-në, kjo ngelet për t’u parë. Reduktimi nga një ministri me ekip të plotë ose një zv.kryeministri që do të mbulonte këtë aspekt si në rastin e Maqedonisë fqinje, natyrisht është një handikap që në nisje, por jo i patejkalueshëm. Nga ana tjetër, ishte totalisht pa vend struktura e mëparshme e një sektori të papërfillshëm për diasporën dhe krijimi i një ministrie të mëvetshme për diasporën të paktën në letër duket se e justifikon “raison d’etre” të saj, por ngelet e papërcaktuar se ç’nënkuptohet te atributet që do të ketë kjo ministri, për shembull, cili do të jetë roli dhe funksionet e saj në lidhje me shqiptarët e trevave dhe, nëse do të ketë ndonjë rol në çështjet e emigracionit, si mundësimi i votës së emigrantëve etj. Së dyti, por jo më pak e rëndësishme, me cilin staf, buxhet dhe infrastrukturë do të punojë dhe cili do të jetë bashkëpunimi institucional që mos të ketë mbivendosje me ministri të tjera si Ministria e Jashtme, ajo e Brendshme etj.
Nga ana tjetër, vlen të theksojmë disa drejtime mbi të cilat duhet të fokusohet diplomacia për të përvijuar konturet e një politike të jashtme në fazat e saj të maturimit dhe me një politikë-bërje pro-aktive dhe jo reaktive në mënyrë që të orientojë dhe agjentët diplomatikë në terren. Disa ide modeste mund të ishin për shembull si më poshtë:
Fuqizimi i diplomacisë “network”, e cila nënkupton bashkëveprimin në organizata të ndryshme ndërqeveritare, duke maksimizuar interesin shtetëror, duke përfshirë këtu diplomacinë shumë-vektoriale si vend anëtar i organizmave rajonalë, trans-atlantikë, globalë e me radhë.
Rritja e potencialit të “fuqisë së butë”, me anë të eksportimit dhe ekspozimit të resurseve kulturore, elementeve të traditës, folklorit, kinematografisë, teatrit, muzikës. Kjo na bën të dukshëm në skenën rajonale dhe botërore me pak investim, duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese dhe me anë të një reklamimi të më të mirë dhe efikas.
Rritja e potencialit për diplomaci publike nëpërmjet trajnimit të stafit diplomatik dhe konsullor për organizimin e workshop-eve, konferencave dhe seminareve të bashkërenduara me dhomat e tregtisë dhe industrisë në vendet pritëse, në universitete etj. për një prezantim më të mirë të vendit. Kjo mund të arrihet, për shembull, me një rekrutim më adekuat të specialistëve si teknikë të rrjeteve të informimit, strategjistëve të komunikimeve dixhitale dhe specialistë të marketingut.
Po ashtu, mund të rritej aksesi reciprok me organizatat e diasporës, ku mund të përmendim si masa konkrete, promovimin e një sërë personalitetesh si konsuj nderi, veçanërisht në shtetet e pambuluara me shërbime diplomatike/konsullore, mbështetjen e rrjeteve të specializuara (kulturore, shkencore etj.) të krijuara ndërkohë nga shqiptarët nëpër botë, fuqizimin ose transformimin e Institutit të Diasporës, duke krijuar një Komision Ndërministror nën autoritetin e zv. kryeministrit të quajtur Komisioni i Integrimit të Mërgimtarëve etj.
Kanalizimi i informacionit për tregjet e huaja investitorëve vendas nga njëra anë, ndërkohë që nëpërmjet kombinimit të një strategjie koherente me taktika bindëse të maksimizohet tërheqja e investitorëve të huaj, jo nëpërmjet sloganeve abstrakte për atë çka ofrojmë, por me theks mbi avantazhet krahasuese që kemi në rajon e më gjerë.
Diplomacia tregtare duhet njëkohësisht të krijojë dhe zgjerojë oportunitetet jashtë, duke u bazuar te praktikat më të mira të vendeve me madhësinë dhe peshën specifike të Shqipërisë.
- Një propozim konkret në këtë drejtim mund të ishte krijimi i një Agjencie të Tregtisë me Jashtësi ana tjetër e medaljes e AIDA-s ekzistuese që shërben për thithjen e investimeve të huaja, si dhe për negocimin, bashkëpunimin, koordinimin dhe implementimin e projekteve të bashkëpunimit teknik me vendet me të cilat vendi ka marrëdhënie të konsoliduara diplomatike dhe tregtare, por dhe me vende të rëndësishme ku këto marrëdhënie nuk janë ende në pikun e tyre.
- Një rol tjetër, që Ministria e Jashtme mund ta ndërmerrte në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, mund të ishte bashkërendimi për financimin e eksporteve për të bërë të mundur prioritizimin e dy-tre sektorëve të bujqësisë dhe industrisë.
- Një tjetër angazhim i koordinuar nga politika e jashtme mund të ishte bashkë-rendimi i financimit të projekteve;
- Një tjetër angazhim do të ishte një bashkëpunim me Agjencinë e Turizmit, koordinimi për një marketing ndërkombëtar më efikas.
- Duhen orientuar eksportet nga vendet e CEFTAS drejt BE në përputhje me fazat e integrimit, veçanërisht pas hapjes se kapitujve të negociatave.
- Krijimin e një bordi për këshillimin teknikdhe ofrim ekspertize për investimet shqiptare jashtë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financave etj.
- Fuqizim të prezantimit në ekspozitat ndërkombëtare dhe panairet ku prezantohen prodhimet vendase, ku roli i diplomacisë dhe diplomatëve shqiptarë është zbehur së fundmi dhe duhet të ketë qasje prioritare.
- Ngritjen e një departamenti për analizën e riskut(si komplimentar me atë ekzistues që shërben për prognozën), që në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend, të analizojë risqet që vijnë nga krizat rajonale dhe globale dhe të këshillojë qasjen e integruar të rekomandimeve trupit tonë diplomati të akredituar veçanërisht në vendet e prekura nga kriza apo ku marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë pësojnë lëkundje të pritshme, në mënyrë që të parandalohen ose minimizohen kostot.
- Kjo mund të ndërlidhej me një sektor apo departament analog për studimin e tregjeve ose së bashku mund të ishin pjesë e një agjencie qeveritare nën varësinë e ministrit të Jashtëm ose kryeministrit.
Pra, e përmbledhur, politika e jashtme dhe agjentët e saj diplomatikë duhet të arrijnë të përdorin suksesshëm diplomacinë tregtare dhe informacionin e agreguar nga OJF të specializuara, duke përdorur influencën dhe lidhjet politike për të influencuar tregtinë me jashtë dhe investimet, për të përmirësuar funksionimin e tregjeve, adresimin e kostove dhe minimizimin e riskut në transaksionet ndërkufitare, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave pronësore.
*Shkruar enkas për BoldNews.al