Kur Kina i raportoi për herë të parë rastet me coronavirus tek Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 31 dhjetor të vitit 2019, virusi fillimisht ishte përshkruar si një lloj misterioz i pneumonisë – sëmundja nuk kishte as emër.
Sipas CNN, brenda dy javësh, shkencëtarët kinezë kishin identifikuar sekuencën gjenome të virusit, apo kodin gjenetik që përbën virusin.
Brenda tre javësh, ishin krijuar testet e para dhe më pas ishin shpërndarë nga OBSH-ja.
Dhe pak më shumë se 11 muaj që kur virusi u raportua në OBSH, u injektuan edhe njerëzit e parë kundër sëmundjes së COVID-19.
Kjo periudhë kohore e shpejtë që mësuam për coronavirusin është e paparë dhe shkencëtarët thonë se tashmë posedojmë një sasi të jashtëzakonshme të informacioneve.
‘Epoka’ e COVID-19
Edhe pse një vit më vonë, ku u infektuan më shumë se 81 milionë njerëz dhe vdiqën 1.7 milion të tjerë në të gjithë botën, ende ka shumë gjëra që nuk i dimë për sëmundjen e COVID-19.
Informacionet e panjohura variojnë nga ato bazike, të tilla se si filloi virusi – e deri tek pyetjet më të komplikuara se si do të përfundojë kjo pandemi.
“Ne kemi mësuar një sasi të jashtëzakonshme, por për të mësuar çdo detaj të çdo gjëje, ne duhet të bëjmë ‘rrugë’ me milje e milje të gjatë”, tha Maureen Ferran, një profesoreshë e asociuar e biologjisë në Institutin e Teknologjisë Rochester.
“Kjo do t’i mbajë të zënë për dekada, virologët dhe zyrtarët e shëndetit publik”, u shpreh ajo.
Origjina e koronavirusit
Derisa qeveritë garuan për të gjetur një vaksinë për mposhtjen e coronavirusit, një nga pyetjet më themelore që ra në radarin e publikut ishte se nga buroi virusi vdekjeprurës?
Origjina e virusit është pasuar nga konfuzionet dhe teoritë e konspiracionit.
Fillimisht, virusi dukej sikur ishte i lidhur me një treg të Wuhanit që shiste kafshë të gjalla, mirëpo, një studim i Lancet i botuar në janar zbuloi se një e treta e pacientëve fillestarë nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me atë treg.
Disa persona, përfshirë dhe presidentin në largim të SHBA-së Donald Trump, e vunë në dyshim nëse virusi ishte lëshuar pasi ishte studiuar, ose ndonëse ishte krijuar në një laborator në Wuhan.
Shkencëtarët thonë se ka prova mbizotëruese që tregojnë se virusi e ka origjinën nga ‘bota e egër’ dhe thonë se variantet e përafërta të coronavirusit janë shumë të ndryshëm gjenetikisht me këtë të fundit, për t’u ‘lansuar’ dhe për të shkaktuar më pas një shpërthim.
Studimet kanë gjetur prova se virusi mund të ketë qarkulluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë në dhjetor të vitit 2019, muaj më herët se sa mendohej. Mediet shtetërore kineze kanë raportuar se virusi mund ta ketë edhe origjinës jashtë Kinës.
Mirëpo, derisa Peter Collignon, një profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Kombëtar Australian, thotë se është mjaft e mundur që virusi të ketë qarkulluar në SHBA dhe në pjesë të Evropës para se të diagnostikoheshin rastet e para në ato vende, nuk ka asgjë përfundimtare për të treguar se virusi e ka origjinën jashtë Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila po heton origjinën e virusit, do ta hetojë nëse COVID-19 mund të ketë qenë duke qarkulluar në Kinë para se të identifikoheshin rastet e para në dhjetor.
Pavarësisht nga numri i teorive të konspiracionit, ka disa gjëra për të cilat shumica e shkencëtarëve bien dakord për sa i përket çështjes së sëmundjes.
COVID-19 është një coronavirus, një lloj i virusit që është përgjegjës për gjithçka, nga ftohja e zakonshme, deri tek SARS-i. Është zoonotik, që do të thotë se fillimisht erdhi nga një kafshë. Disa studime i emërojnë lakuriqët e natës si vektorë të mundshëm, të cilët dihet se bartin coronavirusë. Dhe shumica e shkencëtarëve, ende mendojnë se virusi u transferua tek njerëzit në Kinë, pasi aty u identifikuan rastet e para.
Ndërkohë ne ende nuk e dimë se ku virusi kaloi për herë të parë tek njerëzit, dhe nëse ai transferohet përmes një ndërmjetësi tjetër të kafshëve, të tilla si pangolina apo ndonjë mace civet, para se të infektojë njerëzit, raporton CNN.
Këto janë pyetje që mund të mos u përgjigjemi kurrë, sipas Ferran – në fund të fundit, në më shumë se 40 vjet që kur u zbulua Ebola, shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje ta thonë përfundimisht se nga cila kafshë ka ardhur.
Pse disa njerëz i prek më shumë dhe disa më pak?
Kur u identifikua për herë të parë sëmundja e COVID-19, ajo fillimisht cilësohej si një sëmundje respiratore. Por derisa muajt kaluan, një sërë simptomash dhe komplikimesh janë bërë të dukshme.
Shumë njerëz e humbin nuhatjen e tyre. Disa njerëz vjellin ose kan diarre, disa marrin njollë në gishtërinjët e këmbëve; një pjesë e tyre dëmtim të trurit.
Ne tani e dimë që ata që shërohen nga COVID-19 mund të përjetojnë efekte afatgjata, përfshirë ankthin, dëmtimin e trurit dhe lodhjen kronike.
Një studim i botuar në British Medical Journal në muajin gusht zbuloi se 10 për qind e pacientëve kishin sëmundje të ‘zgjatur’ nga COVID-19, që zgjati më shumë se 12 javë.
Mirëpo, shkencëtarët nuk e dinë se sa zgjasin këto efekte nga COVID-19 – dhe nuk mund ta shpjegojnë pse disa njerëz vuajnë më shumë se sa të tjerët.
Një letër e botuar në revistën ‘Annals of Internet Medicine’ në muajin nëntor, përshkroi një rast kur dy vëllezër binjakë identikë, 60-vjeçarë, ishin të dy të infektuar me COVID-19, por kishin rezultate të ndryshme.
Njëri prej tyre u lëshua nga spitali pas dy javësh pa ndonjë ndërlikim, dhe tjetri u transferua në kujdesin intensiv dhe kishte nevojë për ventilator.
Rasti demonstroi atë që studiuesit e kishin vëzhguar për muaj të tërë; duket se pothujase ekziston një rastësi se sa rëndë coronavirusi prek njerëz të ndryshëm – edhe pse ka disa njerëz që janë më të rrezikuar për shkak të kushteve ekzistuese kronike ose të moshës së shtyer, ndër faktorët e tjerë.
“Ne të gjithë kemi gjenetikë pak më të ndryshme”, tha Collignon.
“Shpesh, për disa arsye që nuk i kuptojmë plotësisht, disa njerëz përballen më mirë me infeksionet se sa të tjerët”, vazhdoi ai, raporton CNN.
Për sa kohë zgjatë imuniteti?
Në muajin gusht, studiuesit nga Universiteti i Hong Kong-ut thanë se një 33-vjeçar ishte ri-infektuar me COVID-19 4.5 muaj pasi ishte infektuar për herë të parë.
Kjo dukej se konfirmonte atë që disa njerëz ia kishin frikën – se ishte e mundur të infektoheshe dy herë nga virusi.
“Rreth 99 për qind e njerëzve të infektuar me virus, nuk duket se infektohen përsëri për të paktën gjashtë muaj”, theksoi Collignon.
Pyetja e madhe pra, është se sa zgjatë imuniteti natyror nga virusi? Shkencëtarët nuk mund t’i përgjigjen ende kësaj, pasi virusi nuk ka qenë me ne për aq kohë sa duhet.
E njëjta gjë nuk dihet edhe sa zgjatë imuniteti pasi të jemi vaksinuar.
Shkencëtarët supozuan se vaksina do të siguronte një formë të imunitetit për disa vite, tha Collignon. “Por përfundimi është se, ne nuk e dimë akoma”, shton ai.
Kur do të përfundojë pandemia?
Të gjitha këto pyetje implikojnë në pyetjen e madhe. Kur do të përfundojë e gjithë kjo?
Shumë njerëz në botë po i mbajnë shpresat e tyre tek vaksina, mirëpo, edhe vaksina nuk do të jetë një rregullim i shpejtë.
Me gjasë do të duhen vite për të vaksinuar shumicën e popullsisë së botës – diçka që do të ishte e nevojshme për të ndaluar përhapjen dhe sondazhet tregojnë se disa njerëz mund të mos jenë të gatshëm të vaksinohen. Edhe nëse njerëzit do të jenë të gatshëm vaksina nuk është një shkop magjik.
“Unë mendoj se vaksinat ndihmojnë, por njerëzit duket se kanë një pikëpamje se kjo të sigurojë 100 për qind mbrojtje – asnjë vaksinë nuk e bën këtë”, deklaroi Collignon.
Dhe, nëse dikush vaksinohet, shkencëtarët nuk e dinë ende nëse është e mundur që ata ta marrin virusin dhe ta përhapin, edhe nëse nuk sëmuren vetë.
Sipas asaj që shkruan CNN, është e mundur që edhe kur të ketë vaksinim të gjerë, ne ndoshta do të jemi të detyruar të jetojmë me virusin. Mbi të gjitha, vetëm një virus në historinë njerëzore është deklaruar i zhdukur nga një vaksinë – lia e vogël.
Ka edhe disa çështje të tjera që duhet të dihen për sa i përket sëmundjes gjatë kohës që është me ne, të tilla nëse virusi pëson mutacion ose zhvillon një variant të ri.
Është e mundur që virusi të bëhet më pak vdekjeprurës ose infektues – por është gjithashtu e mundur që virusi të bëhet më virulent. Kjo mundësi është përmendur nga varianti i ri i identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar që duket të jetë 70 për qind më infektues.
Problemi thotë, Collignon, është se nuk shpenzohen mjaft para për t’ju përgjigjur gjërave bazike
“Ne hargjojmë miliarda dollarë për vaksina dhe ilaçe, por nuk mund të marrim fonde për të bërë kërkime mbi bazat se sa e efektshme është kjo maskë kundrejt maskës tjetër”, u shpreh ai.