Sipas FMN, paketa e mbështetjes COVID në Shqipëri – më e ulët se mesatarja e vendeve të Ballkanit

Në një periudhë 1-vjecare, FMN ka bërë disa vlerësime të kushteve ekonomike dhe financiare të Shqipërisë, si dhe ka adresuar disa problematika në vëmendje të Qeverisë Shqiptare.

Nga Elivar Golemi*

Nëse do të bëjmë një hartë të fjalëve të përdorura më së shumti në secilin raport, në pamje të parë duket se:

Në muajin nëntor 2019, përpara se Shqipëria të përballej me dy goditjet e njëpanjëshme, tërmeti dhe pandemia Covid-19, vëmendja e ekspertëve të FMNsë ka qenë e fokusuar në problematikat e politikave fiskale.

Në vlerësimin e muajit mars 2020, kryefjala ishte stabiliteti ekonomik, pasi e gjendur midis dy goditjeve të njëpasnjëshme, tkurrja ekonomike për Shqipërinë vlerësohej të ishte më e lartë se në vendet e rajonit dhe kujdesi duhej të ishte i shtuar nga ana e autoriteteve shqiptare për të menaxhuar situatën dhe krizën ekonomike.

Në muajin prill 2020, FMN ofron kredinë prej 190.5 milion $, si një mbështetje financiare për bilancin e pagesave, duke u dhënë një asistencë financiare emergjente shtetit shqiptar për të përballuar efektet e pandemisë. Sigurisht që kryefjala e këtij raporti do të ishte termi tashmë shumë i njohur për të gjithë COVID-19.

Në muajin nëntor 2020, në kuadrin e monitorimit të kushteve ekonomike dhe financiare në Shqipëri, pas dhënies së asistencës financiare emergjente (First Post-Program Monitoring), FMN duket se nuk adreson vetëm një tregues specifik, por rreziqet e shtuara në tërësi, të cilat mund të ndikojnë negativisht aftësinë shlyerëse të shtetit shqiptar. Pra, kryefjala tashmë është RREZIQE.

Por le të shohim më në detaje vlerësimet dhe rekomandimet që FMN i ka adresuar shtetit shqiptar gjatë një viti, si dhe ecurinë e tyre gjatë kësaj periudhe.

Deklarata e FMN-së në datë 26 Nëntor 2019. Mbi vlerësimin e ekonomisë përpara goditjes së tërmetit të Nëntorit të kaluar => Vlerësimi i pergjithshëm:

Rritja ekonomike e vitit 2019 u ndikua negativisht nga rënia e prodhimit të energjisë elektrike, situata ekonomike e vendeve kryesore partnere, si dhe pasiguria e krijuar nga kriza politike në vend.

E ardhura për frymë në Shqipëri nevojitet të rritet në nivele të konsiderueshme, theksohet në raport, pasi mbetet në një nivel kritik sa 25% e të ardhurave mesatare për frymë të BE-së.

Mungesa e infrastrukturës dhe institucionet e dobëta pengojnë përmirësimin e kushteve të jetesës në Shqipëri. Një qeverisje më e mirë mund të ndihmojë në tërheqjen e inestimeve, reduktimin e emigracionit dhe kufizimin e rreziqeve të krizave.

Rekomandimet kryesore:

Borxhi publik duhet të jetë nën 65% e GDP-së në 2020. Objektivi => reduktimi në 45% në periudhë afatmesme.

Rritja konomike prej 3.7% në terma afatmesme vlerësohet poshtë potencialeve për të përmirësuar standardin e jetesës në Shqipëri. Buxheti i 2020 nuk ka adresuar problamatikën e ngritjes së kapitalit human (arsim, shëndetësi) referuar peshës ndaj GDP.

Kompleksiteti i sistemit të taksave dhe ndryshimet e shpeshta kanë kufizuar mundësitë për rritjen e të ardhurave fiskale. Domosdoshmëri reduktimi i informalitetitit dhe përgatitja e një strategjie të qendrueshme të të ardhurave afatmesme (MTRS).

Shlyerja e detyrimeve të prapapambetura për TVSH deri në gjysmën e parë 2021, për të lehtësuar biznesin dhe si një shembull konkret për luftën ndaj informalitetit.

Forcimi i institucioneve ekonomike dhe fiskale për të adresuar rreziqet e shtuara, kryesisht nga rritja e shpejtë e partneriteteve publike e private (PPPve).

Ritheksohet kërkesa për të krijuar një procedurë të unifikuar për përgatitjen, prioritizimin dhe vlerësimin e të gjithë projekteve të investimeve publike.

Roli i Korporatës Shqiptare të Investimeve vlerësohet jo qartësisht i rregulluar dhe mund të mbart rreziqe të shtuara nëse nuk trajtohet si një strukturë me qëllime tregtare, pa mbështetjen me kapital nga fondet buxhetore.

Problematikat e vazhdueshme financiare në sektorin e energjetikës dhe nevoja e përsëritur për reformim.

Rritje e kreditimit dhe fuqizim i sektorit financiar. Monitorimi i nivelit të borxheve me probleme në sistem bankar (NPL-ve).

Rritja e konkurueshmërisë në sektorin financiar si dhe mbikëqyrja dhe rregullimi i sektorit financiar jo-banka. Legjislacioni për promovimin e aseteve kripto duhet të jetë në përputhje me kërkesat kundër pastrimit të parasë (AML/CFT).

Deklarata e FMN-së në datë 30 Nëntor 2020. Në vijim të përfundimit të misionit mbi monitorimin e parë pas asistencës financiare (First Post-Program Monitoring Mission) =>

Vlerësimi i pergjithshëm: Kapaciteti i Shqipërisë për të ripaguar Fondin është i mjaftueshëm, por me rezerva të konsiderueshme përsa i përket kursit fleksibël të këmbimit si amortizues.

Rreziqet janë rritur dukshëm nga pandemia, si nivelet e larta të deficitit fiskal dhe borxhit publik, dobësitë në administrimin e financave publike dhe një nivel relativisht i lartë i huave me probleme (NPL), si dhe niveli i lartë i euroizimit.

Pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara shoqërojnë procesin e rimëkëmbjes në periudhën 2021-22, prandaj FMN thekson rëndësinë që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Rekomandimet kryesore:

Ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7.5% në 2020. Deficiti fiskal parashikohet të rritet në 7% të PBB-së dhe borxhi publik mbi 80% për qind e PBB-së në fund të vitit 2020.

Mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë e përkohshme dhe e targetuar, subjekt i transparencës dhe llogaridhënies. FMN i kërkon autoriteteve të evitojnë sa më shpejt që të jetë e mundur masat e jashtëzakonshme në menaxhimin e financave publike (MFP) të marra gjatë emergjencës dhe t’i nënshtrojnë fondet e rindërtimit kontrolleve adekuate.

Gjatë vitit 2021, autoritetet duhet të kufizojnë shpenzime jo-prioritare për të siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe për të ruajtur likuiditetin e nevojshëm për të përballuar rreziqet e shtuara.

Fondet e rindërtimit të tërmeteve t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të MFP, përfshirë planifikimin përmes procesit të rregullt të buxhetimit. Të sigurohet prokurimi i duhur, monitorimi adekuat dhe raportimi në kohë, mbikëqyrja adekuate dhe auditimet e pavarura post-post.
Forcimi i kornizës dhe strkturave për luftën Kundër Pastrimit të Parave / Luftimi i Financimit të Terrorizmit (LPP / LFT). FMN rithekson qëndrimin kundër një amnistie të mundshme të taksave, duke adresuar problematikat në lidhje me deformimin e sistemit të taksave, si dhe ndikimin negativ në pastrimin e parave dhe rreziqet e qeverisjes.

Adresimi i dobësive strukturore në financat publike mund të mbështesë më mirë investimet në kapital njerëzor dhe fizik. Ritheksohet rëndësia për të përfunduar, miratuar dhe filluar zbatimin e një Strategjie të shëndoshë të të Ardhurave Afatmesme (MTRS) në 2021, pas konsultimit të duhur publik.

Sistemi i taksave në Shqipëri është kompleks dhe i fragmentuar dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc kanë dëmtuar stabilitetin dhe transparencën e saj. Një sistem taksimi i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund të nxisë mbledhjen e të ardhurave duke përmirësuar gjithashtu klimën e investimeve dhe uljen e informalitetit.
FMN rithekson nevojën urgjente për të forcuar menaxhimin e investimeve publike dhe cilësinë e shpenzimeve. Projektet e investimeve publike duhet të kalojnë një proces rigoroz të përgatitjes, vlerësimit dhe prioritizimit, përfshirë Partneritetet Publiko-Private (PPP).

Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar në mënyrë rigoroze jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë buxhetor por edhe detyrimet e kushtëzuara që vijnë nga PPP-të. Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të përmirësuar performancën e sektorit shtetëror të energjisë elektrike. Adresohet përsëri shqetësimi se Korporata e Investimeve e Shqipërisë (AIC), pasi të jetë funksionale, do të sjellë rreziqe të reja fiskale.

Duhen shmangur krijimi i shpenzimeve të reja dhe krijimi i detyrimeve të prapambetura të TVSH-së. Këto borxhe dëmtojnë klimën e biznesit dhe besimin tek qeveria, si dhe dëmtojnë flukset e parave të bizneseve në një kohë kur ata janë të stresuar nga goditjet.

Ruajtja e stabilitetit financiar ndërsa mbështeten huamarrësit e goditur nga krizat. Monitorimi nga afër dhe menaxhimi me kujdes i rreziqeve, përfshirë udhëzimet për ristrukturimin e portofoleve të kredisë bankare. Përmirësimi i kornizës së NPL dhe harmonizimi i kornizës rregullatore me standardet ndërkombëtare. Nivele relativisht të larta të NPL-ve ka të ngjarë të rriten për shkak të ndikimit të pandemisë tek huamarrësit. Në përputhje me mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë nga afër pozicionin e kapitalit të bankave në nevojë.

Pasiguria e pandemisë nxjerr në pah rëndësinë e planifikimit për situata të paparashikuara. Autoritetet duhet të jenë të gatshëm të marrin masa shtesë që të garantohet ruajtja e stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Nëse do i referohemi dy vlerësimeve të mjëpasnjëshme të FMN-së, borxhi publik pritej të ulej nën nivelin 65% të PBB-së gjatë vitit 2020, por përshkak të dy krizave të njëpasnjëshme, vlerësimet për fundin e vitit 2020 janë që borxhi publik të kapërcejë normën prej 80% te PBB-së. Pra, një rritje prej 15% e borxhit publik ndaj PBB-së pritet që të jetë kosto e dy krizave me të cilat po përballet vendi ynë, ndikuar ky tregues edhe nga tkurrja e konsiderueshme ekonomike prej 7.5% e PBB-së për vitin 2020.

Sic eidentohet edhe në raportin bashkëlidhur deklaratës së FMN, buxheti fillestar i vitit 2020 përfshinte një fond për rindërtimin pas tërmetit prej 1.2 përqind të PBB-së, e cila u rrit në vijim.

Qeveria ka bërë tre rishikime të buxhetit gjatë vitit 2020, ku dy të parat janë përqendruar në rritjen e shpenzimeve shëndetësore dhe mbështetjen e bizneseve dhe familjeve të godituar nga kriza pandemike, fonde që në total përbëjnë rreth 1.2% të PBB-së sipas grafikut në vijim.

Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik, FMN vlerëson se paketa e mbështetjes COVID-19 në Shqipëri rezulton të jetë më e ulët se mesatarja e paketave mbështetëse në vendet e tjera të Ballkanit.

Ndryshimi i tretë në buxhetin e vitit 2020 u krye për rritjen e fondit të rindërtimit dhe investimeve, i cili raportohet nga Ministria e Financave të jetë në total rreth 31 miliard lekë nga buxheti i vitit 2020 (rreth 2% e PBB-së).

Natyrshëm lind pyetja, nëse paketat e mbështetjes së ekonomisë dhe sistemit shëndetësor vlerësohet të jenë në total rreth 3.2% e PBB-së, po diferenca në total prej 15% e PBB-së cfarë përfaqëson përtej rënies ekonomikë të pritshme?

*Eksperte në çështjet financiare, të pagesave dhe bankingut. Opinionet janë personale të autorit/Marre nga MONITOR

LEXO EDHE  Albpetrol në krizë financiare, i kërkon ERE-s tolerime