• Kontakt
Tuesday, May 13, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi BOTA

Si ndikon për republikanët vizita e presidentit në Xhorxhia?

22:37 : 01/12/2020
në BOTA

Disa republikanë me peshë po shprehin shqetësim se këmbëngulja e Presidentit Trump për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve mund të vërë në rrezik mundësinë e partisë për të siguruar shumicën në Senat, si garanci kundërpeshe ndaj administratës së ardhshme Biden.

Shqetësimet i paraprijnë vizitës së njoftuar të Presidentit Trump në Xhorxhia për të zhvilluar fushatë për dy kandidatët republikanë për Senat, David Perdue dhe Kelly Loeffler, të ndeshur me konkurrencë të fortë në balotazh nga pretendentët demokratë. Garat do të vendosin se cila parti do të kontrollojë Senatin gjatë presidencës Biden.

Republikanët pohojnë se Presidenti Trump është i rëndësishëm për të mobilizuar republikanët të dalin për të votuar, sidomos në Xhorxhia, ku rivali i tij demokrat, Joe Biden fitoi me një diferencë prej më pak se 13,000 votash nga 5 milionë vota gjithësej. Kjo nënkupton se entuziazmi që krijojnë tubimet e presidentit është shumë i rëndësishëm. Por disa republikanë shqetësohen se presidenti mund t’i shfrytëzojë këto tubime për të përsëritur akuzat për manipulim votash, gjë që është hedhur poshtë nga gjykata federale e shtetërore në mbarë vendin. Kjo mund ta bëjë më të vështirë për konkurrentët republikanë në garën e Xhorxhias të përqëndrohen tek mesazhi i tyre si dhe mund të bëjë që disa republikanë të mos shkojnë për të votuar.

“Presidenti e ka marrë peng këtë garë,” tha Brendan Buck, këshilltar në të kaluarën i ish-Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Sulmet e presidentit ndaj zyrtarëve republikanë në Xhorxhia dhe ndaj sistemit zgjedhor në këtë shtet kanë shkaktuar shumë shqetësim.

Lexo edhe:

Zelensky konfirmon praninë në Turqi: Do të ishte mirë nëse do të ishte edhe Trump

Meksika padit Google për shkak të “Gjirit të Amerikës”

“Komentet e zotit Trump po dëmtojnë imazhin e Partisë Republikane,” argumenton donatori republikan, Dan Eberhart, i cili shton se presidenti “po shfaq sjellje të shëmtuar” në vend që të përqëndrohet tek garat për të ruajtur kontrollin republikan në Senat.

Republikanëve u duhet edhe një vend tjetër në Senat për të fituar shumicën. Demokratëve u duhet të fitojnë të dyja garat në Xhorxhia për të arritur një balancë forcash 50-50 në Senat dhe në raste kur votat ndahen barazim, nënpresidentja e zgjedhur Harris, e cila do të jetë kryetare e Senatit, do të hedhë votën vendimtare.

Të hënën, presidenti sulmoi guvernatorin e Xhorxhias, Brian Kemp duke e quajtur të “mbaruar” që nuk kishte ndërhyrë për të anuluar çertifikimin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden.Një ditë më parë, presidenti tha në komentet për kanalin Fox News se i vinte turp që kishte mbështetur zotin Kemp në garën e 2018-ës për guvernator. Zyra e guvernatorit Kemp theksoi në përgjigjen e saj se ligji në shtetin e Xhorxhias nuk i jep guvernatorit autoritet për të anuluar rezultatin e zgjedhjeve, megjithë këmbënguljen e presidentit se zoti Kemp mund të përdorte “autoritetin emergjent”. Ndërkaq, sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, i cili është republikan, ka thënë se presidenti e ka sulmuar thjesht sepse ai po bën detyrën.

Kandidatët republikanë në zgjedhje janë përpjekur të qëndrojnë jashtë këtij debati. Ata kanë qenë përkrahës të zëshëm të Presidentit Trump prej kohësh dhe kanë përsëritur disa nga kritikat e zotit Trump për zgjedhjet e 3 nëntorit, duke kërkuar dorëheqjen e zotit Raffensperger. Por thelbi i argumenteve të tyre është nevoja për të mos lejuar që Senati të bjerë nën kontrollin e demokratëve, të cilët do të kenë nën kontroll Shtëpinë e Bardhë dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Në një aktivitet të ditëve të fundit, kandidati Perdue u takua me përkrahës, të cilët kërkuan nga ai të bëjë më shumë për t’ia kaluar votat elektorale të Xhorxhias Presidentit Trump.

Republikanët shohin tre aspekte negative nga këmbëngulja e presidentit në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.

Disa republikanë mund të mos dalin për të votuar nëse i besojnë pretendimet e presidentit se sistemi është i korruptuar. Republikanët më besnikë ndaj presidentit se sa ndaj partisë, mund të mos votojnë në shenjë proteste ndaj partisë që mendojnë se nuk e mbështeti presidentin. Ndërkaq, republikanët e moderuar që votuan për zotin Biden të zhgënjyer nga udhëheqja e Presidentit Trump, mund të jenë edhe më të motivuar për të votuar në balotazh.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, në komente për emisionin “Fox & Friends” të martën përsëriti disa nga pretendimet e paprovuara të presidentit se zgjedhjet u manipuluan, duke theksuar se presidenti kishte paralajmëruar për muaj me radhë për rreziqet e votimit me postë. Ajo tha se presidenti beson gjithsesi se është me rëndësi që njerëzit të votojnë.

Josh Holmes, këshilltar për udhëheqësin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha se republikanët “nuk kanë parë prova të mungesës së entuziazmit për balotazhin për Senat”.

Në Xhorxhia Brian Robinson, ish-këshilltar i zotit Kemp gjatë garës për guvernator, tha se presidenti duhet të “përcjellë një mesazh të fortë, të përqëndruar tek e ardhmja” për rëndësinë që kanë këto zgjedhje për bazën republikane.

“Gjëja më e mirë që mund të bëjë për partinë është të theksojë rëndësinë e ruajtjes së shumicës republikane në Senat për të mbrojtur arritjet e tij dhe për të garantuar që demokratët nuk anulojnë shumë nga politikat që miratoi ai me mbështetjen e Senatit republikan”.

I pyetur se çfarë duhet të shmngë presidenti, zoti Robinson theksoi përsëri mesazhin që duhet të përcjellë zoti Trump.

Ish-ligjvënësi republikan, Jack Kingston, aleat i Presidentit Trump, nuk u kushtoi rëndësi shqetësimeve se mund të ketë përçarje brenda partisë, duke i cilësuar përplasjet si të dorës së dytë krahasuar me pasojat e mëdha që shoqërohen me garën në Xhorxhia.

“Pasuesit e zotit Trump do ta ndjekin, por jo me sy mbyllur. As ai vetë nuk është i verbër. Ai di si të mbrojë arritjet e tij. Ai do të punojë për të rizgjedhur republikanët,” thotë zoti Kingston, duke shtuar se presidenti është shumë i aftë të mobilizojë bazën, gjë që është shumë e rëndësishme për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Zoti Robinson shtoi se demokratët ballafaqohen me sfidat e tyre në përpjekjet për të përsëritur pjesëmarrjen rekord që u regjistrua më 3 nëntor.

“Cili faktor ishte motivues? Frika. Para nëntorit, demokratët i trembeshin një mandati të dytë të Presidentit Trump. Tani republikanët janë ata që i tremben një kontrolli të plotë të Uashingtonit nga demokratët,” thotë zoti Robinson.

Kjo, thotë ai, mund të jetë faktori më i rëndësishëm që dikton pjesëmarrjen.

Ndërkaq, senatorët vazhdojnë të shpalosin mbështetjen për Presidentin Trump:

“Nuk ka si të jem më e gëzuar që do ta mirëpresim” presidentin përsëri në Xhorxhia, shkruante zonja Loeffler në Twitter, pasi presidenti konfirmoi vizitën. Ajo shtoi se në këto momente duhet mobilizim i përgjithshëm. Nuk është e qartë nëse të gjithë republikanët do të mobilizohen.

Guvernatori Kemp, i cili e emëroi zonjën Loeffler për vendin e Senatorit Johnny Isakson pas daljes së tij në pension vjet, ka dalë në të kaluarën ta presë presidentin në aeroport sapo mbërrinte. I pyetur nëse të shtunën do të ketë një pritje të ngjashme, zëdhënësi i guvernatorit, Cody Hall tha se “ende” nuk mund të komentojë.

Etiketa: TrumpXhorxhia

Lajme të lidhura

BOTA

Zelensky konfirmon praninë në Turqi: Do të ishte mirë nëse do të ishte edhe Trump

20:58 : 12/05/2025
BOTA

Meksika padit Google për shkak të “Gjirit të Amerikës”

22:40 : 09/05/2025
AKTUALITET

Berisha nga mitingu: Nesër në pushtet do bashkëpunojmë ngushtë me Trump dhe Merz

21:24 : 09/05/2025
BOTA

SHBA/ Administrata e Trump planifikon të reduktojë tarifat ndaj Kinës

19:38 : 09/05/2025
BOTA

Trump dhe Merz premtojnë bashkëpunim për fundin e luftës në Ukrainë

19:08 : 09/05/2025
BOTA

Krisje mes Trump dhe Netanyahut? Sekretari amerikan i Mbrojtjes anulon udhëtimin në Izrael

16:32 : 09/05/2025
Para

Champions/ Spektakël në Gjermani! Lukaku gjen dopietën personale, por Monchegladbach ngushton shifrat

TË GJITHA

Horoskopi ditor, e Martë 13 Maj 2025

22:59 : 12/05/2025

Numërohen 75% e votave, Lapaj i merr vendin e tretë Tom Doshit në rang kombëtar

22:58 : 12/05/2025

Katër bajame në ditë, 6 përfitime direkte në organizëm

22:48 : 12/05/2025

“Në këtë finale fitoi eksperienca”, Brdaric: I zhgënjyer, por do ta provojmë sërish!

22:47 : 12/05/2025

Kukësi ngjyroset blu! Deputeti demokrat: Ia dolëm falë fushatës dhe programit

22:41 : 12/05/2025

Fitorja e thellë e PS-së, gazetari: Presioni shtetëror dhe patronazhimi penguan partitë e reja

22:38 : 12/05/2025

Video/ Egnatia rikonfirmohet kampione, tifozët dhe lojtarët “bëhen një”

22:28 : 12/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com