Franca dhe Holanda mbesin shtetet, të cilat e pamundësuan liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, e cila mbaron më 31 dhjetor. Më 1 janar, presidencën e BE-së e merr Portugalia.
Presidenca gjermane nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a ka plane që çështja e liberalizimit të vizave të vendoset në rend dite të Këshillit të BE-së.
Burimet diplomatike në BE kanë thënë për mediumin se pengesa kryesore për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdon të jetë Franca, e cila aktualisht nuk e mbështet liberalizimin e vizave. Qëndrimin aktual të Francës e ka mbështetur edhe Holanda.
Sipas këtyre burimeve diplomatike në BE, ka edhe disa shtete që hezitojnë por, po të pajtoheshin Franca dhe Holanda, atëherë do të ishte më e lehtë të merrej vendimi pozitiv për Kosovën, për të cilin në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mjaftonte edhe shumica e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së.
Arsyet që përmenden nga Franca dhe Holanda, siç kanë përcjellë burimet diplomatike evropiane, kanë të bëjnë edhe me numrin e azilkërkuesve nga Kosova dhe nga vendet për të cilat tashmë janë hequr vizat, por edhe me vlerësimin e tyre se Kosova duhet të bëj më shumë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Disa diplomatë kanë thënë se “Franca e Holanda, vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e shohin si tepër të nxituar”.
Qeveria e Kosovës: Nuk ka premtim konkret nga Macroni për liberalizimin e vizave
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk ka marrë ndonjë premtim konkret nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për mundësinë që brenda këtij viti të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Në takimin virtual që kryeministri Hoti dhe presidenti francez Macron e kanë zhvilluar më 19 nëntor, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku, janë diskutuar tema të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
“Mirëpo, sa i përket liberalizimit të vizave, nuk ka pasur ndonjë premtim konkret që ky proces do të përmbyllet brenda këtij viti dhe nuk janë dhënë afate konkrete. Janë pajtuar (Hoti dhe Macron) që të vazhdojë komunikimi midis Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës lidhur me çështjen e migracionit dhe çështjet e tjera që bëjnë pjesë në shqetësimet që i ka konkretisht Franca lidhur me procesin e liberalizimit”, theksoi Baxhaku.
Ajo shtoi se tashmë ekziston mekanizmi për adresimin e këtyre shqetësimeve dhe verifikim, ku zhvillohen takime në nivel të ekspertëve, e të cilat pasohen me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.
Sipas saj, një takim i këtij lloji tashmë është mbajtur dhe “ka qenë shumë i suksesshëm”, ndërkaq që pritet që deri në fund të vitit të mbahet edhe një takim tjetër. Ky takim siç theksoi ajo, i ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu me homologut të tij francez, pritet të jetë online, marrë parasysh situatën me pandeminë e koronavirusit.
A është pengesë natyra e raporteve kontraktuale Kosovë-BE?
Por, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson që çështja kritike për marrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk qëndron vetëm te Franca dhe Holanda. Sipas tij, kjo çështje duhet parë në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve Kosovë – BE. Ai thekson se problemet e Kosovës me BE-në, por sa i përket liberalizimit të vizave, nuk janë të natyrës teknokratike, por për shkak se marrëdhënia Kosovë-BE nuk është definuar në kontekstin kontraktual, sikurse me të gjitha vendet tjera të Evropës Juglindore.
Mazreku thotë se Kosova e ka Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, por kjo marrëveshje nuk ka kaluar procesin e ratifikimit nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së dhe nuk e bën atë ligjërisht të obligueshme për shtetet e BE-së. Rrjedhimisht, sipas tij, BE-ja nuk e ka definuar qartë statusin e palës kontraktuale të Kosovës, gjë që është pasojë e asaj që 5 vende të BE-së nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ato janë Greqia, Rumania, Qipro, Sllovakia dhe Spanja.
“Problemi i mosliberalizimit të vizave për Kosovën është çështje e mungesës së unitetit të BE-së dhe mënyrës se si funksionon BE-ja. Kjo e dekompozon tash raportin e Kosovës me BE-në, si në raport me liberalizimin e vizave, si në raport me procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, tha Mazreku.
“Unë nuk dua që ta margjinalizoj rolin e Francës, që është një nga shtete më të mëdha dhe më të fuqishme ekonomikisht të BE-së, si dhe me ndikim shumë të madh në vendimmarrjen politike të BE-së. Njëjtë vlen edhe për Holandën, si vend i BE-së. Nuk po i margjinalizoj rolin dhe shkallën e negativitetit që e shkakton një ‘jo’ e tyre. Por, mendoj që problemi i Kosovës me BE-në është më i thellë se një ‘jo’ e Holandës dhe Francës në këtë proces”, shtoi ai.
Autoritetet në Kosovë, optimiste për një vendim pozitiv të shpejtë nga BE-ja
Disa burime diplomatike në Bruksel kanë thënë se Kosova e kishte fituar mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, pasi që disa komisione dhe grupe punuese të përbashkëta kishin punuar në terren dhe i kishin sqaruar të gjitha çështjet që shqetësonin palën gjermane.
Të njëjtat burime diplomatike thonë që tash pritet që Kosova në mënyrë bilaterale të punoj edhe me Francën dhe në këtë mënyre mbase të sigurojë heqjen e pengesave që Parisi i bën vendimit për liberalizim vizash në BE. Vlerësohet se kjo do të merr më shumë kohë, prandaj edhe nuk mund të parashikohet se kur do të mund të ndodhë liberalizimi i vizave.
Por, siç ka thënë zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Baxhaku, mungesa e një premtimi konkret nga presidenti Macron për një afat kohor për liberalizimin vizave për Kosovën, nuk nënkupton që kryeministri Hoti nuk beson që liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë së shpejti.
“Nuk mund të themi se nuk besojmë. Kryeministri është optimist se për këtë proces, pasi që tani është më shumë proces politik dhe vendimi për të do të merret në Këshillin e Evropës. Shpresojmë që do të marrim një përgjigje pozitive së shpejti. Mirëpo, është vendim i cili i takon institucioneve të Bashkimit Evropian. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e kërkuara”, theksoi Baxhaku.
Lidhur me shqetësimet që disa anëtare të BE-së i kanë shprehur se procesin e liberalizimit të vizave mund ta dëmtojë shuarja e task forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, Baxhaku ka theksuar se tashmë kryeministri Hoti e ka sqaruar këtë përmes paraqitjeve në Kuvendin e Kosovës dhe komunikimeve të drejtpërdrejta me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Sipas saj, pas sqarimeve të kryeministrit Hoti, “kjo çështje më nuk përbën shqetësim për asnjë kryeqytet të vendeve të BE-së”.
Mazreku: Nuk e bëri Gjermania, vështirë se mund ta bëjë Portugalia
Por, sa mund të ketë vend për optimizëm, që vitin e ardhëm, kur Portugalia do ta ketë presidencën e BE-së, të ketë lëvizje pozitive drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën?
Profesor Mazreku shpreh mendimin që shpresat e qytetarëve dhe zyrtarëve institucional të Kosovës, kanë qenë që Gjermania do të jetë shtytësi i procesit të vendimmarrjes politike në Këshillin e Bashkimit Evropian, për një unanimitet eventual brenda strukturës vendimmarrëse të BE-së.
“Udhëheqja dhe presidenca e BE-së nga ana e Portugalisë, së paku nuk e ka prioritet politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor aq sa e ka Gjermania. Nuk po them që shteti i vetëm që e ka udhëheqjen e BE-së, ai e përcakton edhe agjendën e Këshillit të BE-së, sepse ajo agjendë përcaktohet nga vendi paraprak që ka pasur presidencën, nga vendi aktual dhe ai që do ta pasojë presidencën e radhës”, tha Mazreku.
“Gjermania si kryesuese e radhës që ishte e BE-së, ka mundur të ndikojë më tepër që çështja e Kosovës të futet në agjendën e Këshillit të BE-së. Por, siç dihet çështja e Kosovës nuk është futur as në agjendë të shqyrtimit nga ana e Këshillit të BE-së. Sa do të jetë në gjendje Portugalia që të ndikojë që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendë, situata nuk është shumë premtuese dhe optimiste”, vlerësoi Mazreku.
Aktualisht, ajo që thuhet zyrtarisht nga Këshilli i BE-së është se “janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, si dhe rikujtojnë që Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kishte rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni Evropian aktualisht vazhdon të mbetet në qëndrimin e njëjtë, pra, që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe mban në fuqi rekomandimin për liberalizimin e vizave.
Parlamenti Evropian vazhdimisht ka përsëritur mbështetjen për liberalizim vizash për Kosovën dhe ka kërkuar nga Këshilli që vendimi për këtë të merret sa më shpejtë.
Në prag të nisjes së kryesimit gjerman të BE-së parlamentarët evropian patën kërkuar angazhimin e këtij shteti që të sigurohet liberalizimi i vizave për Kosovën, duke rikujtuar se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin që nuk e gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në vendet e BE-së dhe ato të Schengenit.