Kryeqyteti do të prodhojë 2 mandate më shumë në zgjedhjet e 25 prillit, sipas vendimit të KQZ, çka e kthen Tiranën në fushëbetejën nga e cila do dalin 25 për qind e deputetëve të Kuvendit. Gazeta MAPO ka bërë një vëzhgim të zgjedhjeve që prej vitit 2009, ku vihet re se koalicioni opozitar ka një avantazh të dukshëm ndaj së majtës. Vetëm PD në rang qarku në 4 zgjedhje rresht ka marrë më shumë se 160 mijë vota, ulje shënoi vetëm në vitin 2017, për arsye që dihen. A do jetë Tirana ku Rama nisi karrierën qyteti që do sjellë fundin e tij politik, dhe pse Veliaj ka marrë përsipër një mision të pamundur për mbijetesën në politikë.
Tirana, e cila në zgjedhjet e 25 prillit do ketë 36 deputetë sipas vendimit të KQZ, do jetë dhe fushëbeteja, në të cilën kampet politike do zhvillojnë dhe betejën më të ashpër. Me heqjen e dy mandateve një në Dibër dhe një Gjirokastër, kryeqyteti do të prodhojë 25 për qind të mandateve dhe në rast se Partia Demokratike, arrin të rikuperojë votat e saj që i ka marrë së paku prej vitit 2009 zgjedhje pas zgjedhjesh atëherë rezultati do jetë dukshëm në favor të saj.
Rezultatet në zona të ndryshme të saj, tregojnë një avantazh të dukshëm, ndërsa dhe në kohën më të keqe siç ishin zgjedhjet e vitit 2017, koalicioni opozitar në bazë të përllogaritjeve ka marrë vetëm 6 mijë vota më pak dhe rezultati do ishte së paku 17 me 17 në zgjedhjet e kaluara, kur në Tiranë ndaheshin 34 mandate.
Zonat
Por si paraqitet situata në zgjedhjet e vitit 2021. Gazeta MAPO ka vëzhguar zgjedhjet dhe sjelljen e elektoratit që prej vitit 2009, rezultate zonë më zonë të nxjerra nga buletinët e KQZ. Në Tiranë PD e vetme dhe pa aleatët udhëheq në Vorë, Kamëz, Paskuqan, ndërsa e bashkuar udhëheq në njësitë 8-9-10 dhe 11, si dhe në Kavajë dhe Rrogozhinë.
Por i duhet jo pak punë për të rikthyer elektoratin në ish-komunat Farkë, Bërzhitë, Petrelë, si dhe në Yzberisht e Kashar, të cilat më parë ajo i ka fituar bindshëm zgjedhje pas zgjedhjesh, por në mënyrë paradoksale u shndërruan në vota të majta vetëm në një palë zgjedhje, ato të vitit 2017. Në jo pak qendra votimi vihet re një rritje e pajustifikuar votash për të majtën, që ndoshta mund të jenë objekt hetimi për institucionet.
Megjithëse pati një rënie të lehtë të votave në 2013, që ishte e justifikueshme, pati një gropë akoma më të madhe në vitin 2017, prej gati 1500 votash në zonën e Yzberishtit e Kasharit. Kjo për sa i përket PD sepse, në rast se merren të bashkuara votat e opozitës, sërish vihet re një avantazh i lehtë i opozitës së bashkuar në çdo komunë. Nga ana tjetër, opozita e bashkuar duhet të luftojë fort edhe në njësitë e qytetit.
Kështu në njësinë numër 1 duhet të rikuperojë rreth 1400 vota, në njësinë 2 rreth 2000 vota, në njësinë 3 po 2 mijë vota, 1800 vota në njësinë 4 e kështu me radhë. Duhet të rimarrë elektoratin në Laprakë të humbur nga PD, si pasojë e performancës së dobët të Rudina Hajdarit. PS në zgjedhjet e vitit 2017 arriti të merrte 10 mijë vota nga një mesatare 6 apo 7 mijë votash që merrte çdo zgjedhje. Rikuperim PD-ja duhet të bëjë dhe në njësinë 8 dhe njësinë 9 të cilën megjithëse e ka fituar në disa zgjedhje rresht ka një diferencë prej 1900 votash.
Për sa u përket Bashkive Kavajë dhe Rrogozhinë, atje është dukshëm përpara. Në Rrogozhinë për shembull opozita është gati 1700 vota përpara, ku vetëm PDIU ka marrë 2510 vota. E djathta shpreson të rikuperojë në këtë bashki dhe gati 800 vota me ikjen e Arben Ahmetajt drejt Durrësit. Në atë vit Ahmetaj shpenzoi shuma të konsiderueshme parash, çka solli një rezultat të pëlqyeshëm për PS.
Votat e PD
PD ka të paktën që prej vitit 2009, që ka një numër konstant votash, prej më shumë se 161 mijë në rang qarku në Tiranë. Në këtë vit arriti të merrte 161 mijë vota ndërsa bashkë me aleatët pa LSI në atë kohë numri shkonte në gati 178 mijë vota, dhe në rast se do i bashkoheshin dhe votat e LZHK dhe LSI që sot janë në krahun e saj kjo shifër do shkonte në rreth 200 mijë vota në rang qarku.
Këtë rezultat në Tiranë opozita e përsëriti dhe në vitin 2011 ku arriti t’i merrte bashkinë Edi Ramës. Së bashku me aleatët në rang qarku ajo mori 203 mijë vota. Në vitin 2013, pas tetë vitesh në pushtet, dhe me ikjen e LSI që mori pas 35 mijë vota PD arriti të merrte së bashku me PR më shumë se 161 mijë vota ndërsa si koalicion 184 mijë vota, kundrejt 250 mijë që mori e majta.
Në rast se votat e LSI do ishin në krahun e mazhorancës së asaj kohe atëherë dhe në vitin më të keq të saj e djathta dilte fituese në Tiranë me të paktën 5 mijë vota më shumë se e majta. Kjo u vu re dhe në zgjedhjet e vitit 2015, ku vetëm në Bashkinë e Tiranës pa komunat Vorë, Kamëz apo Bashkitë Rrogozhinë e Kavajë dhe pa votat e LSI-së, kandidati Halim Kosova arriti të merrte 113 mijë vota. Në rast se votat e LSI-së do ishin në krahun e opozitës sot në krye të Bashkisë do ishte doktor Kosova dhe jo Veliaj.
Por çfarë ndodh në rast se opozita rimerr elektoratin e saj, dhe aleatët ruajnë pozitat që kanë. Duke pasur parasysh se mandati tashmë fitohet me diçka më shumë se 11 mijë vota atëherë, vetëm PD do kishte një rritje me së paku tre deputetë në Tiranë, LSI do merrte sërish pesë deputetë dhe PDIU do siguronte mandatin e saj që nuk arriti ta merrte në vitin 2017, ose gjithsej 20 deputetë nga 36 gjithsej.
Misioni i Veliajt
Gjithsesi se çfarë do ndodhë në 25 prill mbetet për t’u parë dhe shifrat e mësipërme u referohen dy zgjedhjeve të fundit ku PS ka pasur dhe rezultatet më të mira dhe PD rezultatet më të dobëta. Është në kufijtë e të pamundurës që e majta të përsërisë të njëjtin rezultatet në Tiranë, dhe kjo për shumë arsye. Duke qenë zemra ekonomike e vendit, kryeqyteti ka përjetuar një menaxhim skandaloz të punëve si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal.
Në nivel qendror janë gjobat dhe persekutimi që qeveria Rama i ka bërë biznesit të çdo lloj niveli, papunësia e lartë, menaxhimi i pandemisë dhe varfëria në rritje. Në nivel lokal përgjatë epokës Veliaj, Tirana njohu një deformim si në aspektin urbanistik dhe arkitektonik dhe në atë kulturor. Lejet e ndërtimit të dhëna në formë abuzive dhe me sfond korruptiv, kanë prekur çdo cep të saj, ku qendra e Tiranës është ajo që e ka pësuar më shumë. Mjaft të përmendim prishjen e Tetarit Kombëtar, dhe kullat që po zënë nën vete sahatin simbol të qytetit.
Dhe nuk mjafton kjo, por Rama, si për karshillëk ndaj qytetarëve ka vënë në krye të fushatës për Tiranën pikërisht Erion Veliajn, i cili në rrekjen e tij për mbijetesë politike, ka marrë përsipër një mision thuaj të pamundur, atë të fitores në kryeqytet përballë opozitës së bashkuar. Qyteti ku Rama nisi karrierën, s’është çudi që të shënojë dhe fundin e tij politik.
Si ndahen mandatet sipas 12 qarqeve në zgjedhjet e 25 Prillit
KQZ ka miratuar caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të datës 25 Prill 2021. Tiranës i janë shtuar dy mandate, të cilat i hiqen Dibrës e Gjirokastrës, për shkak të lëvizjeve të popullsisë. Shpërndarja e mandateve është si më poshtë:
Qarku Berat – 7 (shtatë) mandate
Qarku Dibër – 5 (pesë) mandate
Qarku Durrës – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Elbasan – 14 (katërmbëdhjetë) mandate
Qarku Fier – 16 (gjashtëmbëdhjetë) mandate
Qarku Gjirokastër – 4 (katër) mandate
Qarku Korçë – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Kukës – 3 (tre) mandate
Qarku Lezhë – 7 (shtatë) mandate
Qarku Shkodër – 11 (njëmbëdhjetë) mandate
Qarku Tiranë – 36 (tridhjetë e gjashtë) mandate
Qarku Vlorë – 12 (dymbëdhjetë) mandate./Mapo