Në vendimin e arsyetuar, KPK ngre dyshime se gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha kreu veprime fiktive për të justifikuar investimet në pasuri të paluajtshme –ndërsa balancat negative llogariten në dhjetra milionë lekë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 10 shtator të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Artur Gaxha pas mungesave financiare në vlera të mëdha për të justifikuar krijimin e pasurive apo kryerjen e shpenzimeve ndër vite.
Në vendimin e zbardhur, Komisioni e bazon vendimin e shkarkimit me deklarimin e pamjaftueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë, ndërkohë që Gaxha mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizmin.
Sa i përket vlerësimit të pasurisë, Komisioni arsyeton se Gaxha nuk i ka pasqyruar burimet e krijimit të pasurive në deklaratat periodike, ndërkohë që pretendimet e tij konsiderohen kryesisht deklarative dhe të pabesueshme. Gjithashtu, Komisioni ngre dyshime se subjekti është përpjekur të justifikojë investimet dhe shpenzimet me burime të deklaruara më vonë si dhe në një rast, është munduar të fshehë ekzistencën e një automjeti.
Gjyqtari Gaxha është gjetur në pamundësi financiare për pagesën e këstit të parë për një apartament me sipërfaqe 180 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2010 për vlerën 200 mijë euro. Në deklaratën e vitit 2010, Gaxha nuk e ka pasqyruar burimin e këstit të parë në vlerën 60 mijë euro, ndërsa në atë veting ka shënuar si burime shumën 41 mijë euro nga shitja e një apartamenti në Golem; 1.5 milionë lekë nga shitja e një autoveture dhe kursime familjare. Në deklaratën veting ka shënuar se këstin e dytë e ka shlyer me një kredi 120 mijë euro dhe këstin e tretë me kursimet.
Duke iu referuar kontratave ku përcaktohet se pagesa e këstit të parë do të kryhej në momentin e nënshkrimit të kontratës së porosisë, Komisioni konkludon se shuma 60 mijë euro është shlyer më datë 5 tetor 2010, kur edhe është nënshkruar kontrata.
Për të justifikuar shlyerjen e këstit të parë, Gaxha ka depozituar në Komision dy mandat pagesa të muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2010, të cilët nuk janë konsideruar nga KPK, pasi ka rezultuar të mos jenë dokumente zyrtare të parashtypura nga shtypshkronja e letrave.
Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare vlerën 41 mijë euro të rimarrë si pasojë e revokimit të një kontrate porosie për një apartament në Golem të Durrësit, pasi ka rezultuar se i është dorëzuar subjektit një muaj pasi ishte paguar kësti i parë. Po ashtu, nuk është përfshirë gjysma e vlerës 1.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e një automjeti tip Suzuki – Vitara në maj të 2010-ës, pasi ka rezultuar se makina është shitur dy herë më shumë nga vlera e blerjes dhe nuk është paguar tatimi për fitimin. Gaxha nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor edhe të ardhurat në vlerën 9000 USD të përfituar nga vëllezërit në emigrim.
Për shkak të mospërfshirjes së këtyre vlerave, nga analiza financiare për vitin 2010, deri në momentin e pagesës së këstit të parë, ka rezultuar balancë negative në vlerën 7.8 milionë lekë.
KPK nuk ka gjetur probleme për pagesën e këstit të dytë nëpërmjet kredisë së marrë në vlerën 120 mijë euro, si dhe konkludon se familja e gjyqtarit Gaxha ka pasur mundësi financiare të shlyejë këstin e tretë në shumën 20 mijë euro në vitin 2015.
Për blerjen në vitin 2014 të një garazhi me sipërfaqe 25 m2 në Tiranë në vlerën 3 milionë e 325 mijë lekë dhe të një toke me sipërfaqe 900 m2 në Bathore për shumën 2 milionë lekë, gjyqtari Gaxha ka deklaruar si burim krijimi të ardhura të përfituara nga shitja e një apartamenti në Tiranë, që e kishte blerë shoqëria ku bashkëshortja ishte ortake.
Nga hetimi administrativ i Komisionit ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit nuk ka paguar asnjë shumë për këtë apartament. Ndërsa një kredi individuale në vlerën 175 mijë e 250 euro e marrë prej saj në shtator të vitit 2012 me qëllim pagesën e kredisë së shoqërisë që kishte shërbyer për apartamentin, është shlyer me të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj pasurie. Sipas KPK, të ardhurat nga shitja e apartamentit janë përfituar para se të akordohej kredia individuale e bashkëshortes së subjektit.
“…Duket se për një periudhë të shkurtër kohore personi i lidhur – në mënyrë të dyshimtë ka përfituar të ardhura nga shitja e pasurive në shumën prej 450,000 euro, pa kryer asnjë pagesë paraprake për blerjen krijimin e tyre, si dhe pa u evidentuar/dokumentuar asnjë kontribut ndër vite në këtë shoqëri – përveç kuotës së kapitalit fillestar prej 49,000 lekë”, citohet në vendim.
Pavarësisht këtyre konstatimeve, Komisioni konkludon se Gaxha ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht blerjen e garazhit dhe tokës në fshatin Mjull Bathore.
Ndërkohë, Komisioni evidenton pamundësi financiare për blerjen e një zyre me sipërfaqe 40 m2 për vlerën 54 mijë e 150 USD dhe të garazhi për shumën 10 mijë USD, si edhe të një automjeti tip “Merzedes Benz” në vitin 2005. Gaxha ka pasqyruar si burim në deklaratën veting të ardhurat dhe një hua në shumën 60 mijë USD, që nuk rezulton ta ketë deklaruar në vitin 2005.
Për të provuar huanë 60 mijë USD, Gaxha ka dorëzuar një deklaratë në formën e shkresës së thjeshtë të mbajtur mes bashkëshortes së tij dhe shtetasit N.P. në korrik të vitit 2005. Ai ka shpjeguar se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak të neglizhencës, pasi në atë periudhë dispononte të ardhura në vlera të mëdha të fituara nga lotaria amerikane.
Në rubrikën “të dhëna konfidenciale” në deklaratën veting, Gaxha ka shënuar se në vitin 2005 ka pasur të ardhura të përfituara nga lotarisë amerikane në shumën totale 500 mijë USD, ku pas pagesës së tatimit ka përfituar 335 mijë USD. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se më datë 1 prill 2005, në llogarinë e subjektit të rivlerësimit është transferuar shuma prej 84 mijë e 866 USD, me burim të pretenduar të ardhurat e përfituara nga lotaria e fituar në SHBA.
Komisioni i cilëson jo bindëse dhe kontradiktore qëndrimet e gjyqtarit Gaxha.
“…Megjithëse pretendohet se shkak i mosdeklarimit të kësaj huaje në DPV-në e vitit 2005 është neglizhenca lidhur me faktin se dispononte mjete monetare, të cilat mundësonin shlyerjen e saj (nga lotaria e fituar), nga ana tjetër për rreth 10 vjet nuk është deklaruar ekzistenca/shlyerje e huasë…”, citohet në vendim.
Sipas trupi gjykues, nuk evidentohet asnjë gjurmë, indicie apo provë direkte ose indirekte që të vërtetojë marrëdhënien e huasë.
Komisioni vlerëson se gjyqtari Gaxha nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e pasurive, si dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera të deklaruara dhe të evidentuara për vitin 2005, pasi ka rezultuar me balancë negative në vlerën 9 milionë e 747 mijë lekë.
Gjithashtu, Komisioni ngre dyshime se gjyqtari Gaxha është pëpjekur të fshehë një automjet tip “Toyota Rav 4” që është targuar në emër të tij në vitin 2014. Ai ka pretenduar se mjeti i përket familjes së motrës së tij, L.G., e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gaxha ka deklaruar se targimi është kryer në emër të tij, pasi motra nuk dispononte dokumente shqiptare. Ndërkohë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti e ka shitur këtë automjet në qershor të 2016-ës për vlerën 5 mijë euro.
Në vendim thuhet se makina është blerë më 29 shkurt të vitit 2008 në SHBA nga kunati i gjyqtarit Gaxha dhe se i është dërguar këtij të fundit dy javë më pas. Ndërkohë, ka rezultuar se bashkëshortja e subjektit ka transferuar në llogarinë e kunatit të gjyqtarit vlerën 13 mijë e 488 USD, dy ditë para blerjes së mjetit në SHBA.
Subjekti ka shpjeguar se në çdo dokument ligjor që prej datës 29 shkurt 2008 kur është blerë mjeti, deri më datë 29 gusht 2014, kur është kryer zhdoganimi, si pronar njihet kunati L. H.. Ai ka depozituar si provë të re gjatë hetimit administrativ një kontratë huapërdorje të dhjetorit 2010, ku L. H., në cilësinë e huadhënësit deklaron se ia ka lënë në përdorim subjektit për një vit.
Nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se kunati i subjektit nuk ka qenë në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës. “Duket se kemi të bëjmë me një kontratë fiktive huapërdorjeje, qëllimi i së cilës është mbështetja e deklarimeve të subjektit lidhur me këtë automjet,” citohet në vendim.
Komisioni nuk është bindur nga shpjegimet e gjyqtarit Gaxha se një autoveturë tip “Mercedes Benz” e ka blerë në vitin 2011 në bashkëpronësi me motrën që jeton në SHBA, për vlerën 55 mijë USD. Komisioni vëren se nuk dokumentohet pagesa e ndonjë vlere monetare nga bashkëpronarja tjetër e automjetit dhe në analizën financiare përfundimtare ka reflektuar vlerën e plotë të makinës, prej nga ka rezultuar balancë negative në vlerën 1 milion e 739 mijë lekë.
Po ashtu, konstatohet pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Golem të Durrësit në vitin 2006, pasi ka rezultuar balancë negative në vlerën 4 milionë e 355 mijë lekë./BIRN/