Huaja për blerjen e apartamentit dhe shpenzimet e pajustifikuara/ Ja çfarë rrezikon karrierën e gjyqtarit të Shkodrës

Gjyqtari i Gjykatës së Shkodrës, Albano Çepele do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Gjyqtari Albano Çepele i Gjykatës së Shkodrës do të përballet të mërkurën më 18 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Z. Çepele po kryhet nga trupa e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Etleda Çiftja dhe Genta Tafa Bungo.

Albano Çepele e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar më së shumti si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në prill të vitit 2014, Çepele u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pas një inspektimi që zbuloi shkelje të ligjit dhe 34 çështje gjyqësore të zvarritura.

Çepele u rikthye në detyrë në vitin 2016, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Albano Çepele nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtari Albano Çepele nuk deklaronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria e tij llogaritet në vlerën e 6.4 milionë lekëve.

Pasuria e tij përbëhet nga një apartament me vlerë 3.7 milionë lekë, likujditete të akumuluara në cash prej 2.6 milionë lekësh dhe likujditete bankare prej 56 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.4 milionë lekë, të cilat burojnë në 92% të tyre nga paga e Z. Çepele. Të ardhurat nga pensioni i babait apo të tjera llogariten në masën 7%.

LEXO EDHE  Transportonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 29-vjeçari

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.

Z.Çepele rezulton me burime financiare të pamjaftueshme për të justifikuar shpenzimet në vitet 2008 dhe 2010, respektivisht në vlerat e 371,800 lekë dhe 428,926 lekëve. Në këtë analizë nuk janë llogaritur shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimet e paqarta të z.Çepele ndër vite si dhe një hua prej 30 mijë eurosh të marrë për blerjen e një apartamenti.

Huaja është marrë në vitin 2005 dhe është përdorur për blerjen e një apartamenti një vit më pas. Ajo deklarohet e shlyer plotësisht deri në vitin 2011.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016  /BIRN/