Këngëtarja e njohur shqiptare, Bleona Qereti, në një intervistë për “PolitikOn” në RTV Ora, ka treguar se e ka vuajtur për një kohë të gjatë ndërhyrjen e medies në jetën private e cila sipas saj i ka shkatërruar martesën e parë.
“Unë jam rritur në media dhe jam rritur përpara kamerës. Ndihem sikur gjithë jetën time kam jetuar në një shtëpi xhami dhe punët e mia janë ditur publikisht nga të gjithë njerëzit. Sigurisht unë jam djegur dhe jeta ime private ka vuajtur pikërisht nga media në Shqipëri. E dini të gjithë për kë e kam fjalën, për martesën time të mëparshme kështu që tani jeta ime private është e shenjtë, nuk ka arsye absolutisht të përmendet nëpër media dhe dua të vazhdoj ta mbaj sa më private të jetë e mundur aq më mirë është për mua.
Këngëtarja e konsideron të tmerrshëm faktin që emri i saj të kategorizohet në atë që ajo e cilëson si prototipi i modeleve të Instagramit.
“Është e tmerrshme që emri im bëhet prototip i kategorisë së gabuar kur në Shqipëri ke të gjitha modelet e instagramit, artistet me famë botërore të instagramit me like dhe followersa fallco që financohen nga lekët e drogës. Ke shumë emra të tjerë që mund të përmendësh si prototip në atë lloj kategorie, por mos përmend emrin tim sepse unë nuk kam qenë asnjëherë pjesë e këtyre gjërave.”
Tani ajo rrëfen se bën një jetë shumë të shëndetshme private dhe se ndihet e plotësuar.
“Ju si medie keni për detyrë të verifikoni lajmet e tipit të jetës që bëj unë në Amerikë që siç dihet nga miqtë e mi të ngushtë dhe gazetarët, bëj një jetë shumë të shëndetshme private dhe jam shumë e lumtur për këtë. Kam bërë shumë punë me veten për të qenë e mbushur brenda vetes sime. Kur çohem në mëngjes dhe shoh veten në pasqyrë jam shumë krenare për çdo gjë që kam bërë në jetën time.”