Gjykata Speciale do t’i çojë jashtë Hagës ata që do t’i dënojë me burgim. Për të akuzuarit mund të ketë edhe gjoba, ndërsa dënimet e tyre mund t’i ndryshojë ose t’i falë vetëm kryetarja e Dhomave të Specializuara në konsultim me gjykatësit.
Shtete të ndryshme janë pajtuar që t’i pranojnë në burgjet e tyre personat që potencialisht mund të dënohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Forma e tillë e transferimit të të dënuarve të Speciales parashihet me rregulloren e punës së kësaj gjykate, por edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ligji dhe rregullorja specifikojnë se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova është ajo që do të duhet të vendos se në cilin shtet do ta vuajnë dënimin ata që marrin aktgjykim dënues.
Dhomat e Specializuara nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express se cilat janë shtetet, në të cilat parashihet të dërgohen ata që mund të dënohen nga kjo gjykatë.
Pika 1 e rregullit 166 të rregullores së punës së Gjykatës Speciale thotë: “Në përputhje me nenin 50(1) të Ligjit, pasi të ketë dëgjuar të akuzuarin, Kryetari vendos në cilin shtet i akuzuari do të kryejë dënimin nga një listë e shteteve që janë pajtuar të pranojnë personat e dënuar”.
Ndërsa pika 2 e këtij rregulli, thotë se vendimi për këtë çështje nuk i nënshtrohet rishikimit gjyqësor, ndërsa specifikohet edhe koha kur duhet të bëhet transferimi i të dënuarve.
“Ky vendim nuk i nënshtrohet rishikimit gjyqësor. (2) Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë”, thuhet në rregullore.
E Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar mbështet rregulloren e Speciales.
“Vuajtja e burgimit bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave tëë Specializuara cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara për kohëzgjatjen e dënimit të shqiptuar, në pajtim me aranzhimet e bëra nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në pikën e parë të nenit 50 të këtij ligji.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar thotë se kushtet e burgimit rregullohen sipas ligjit të shtetit që e ekzekuton dënimin me burgim, nën mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara ose sipas Aranzhimit të Dakorduar, nëse një i tillë ekziston.
Sipas ligjit, falja ose ndryshimi i dënimeve të Speciales, është kompetencë ekskluzive e Dhomave të Specializuara, përkatësisht kryetares Ekaterina Trendafilova, e cila për këtë do të konsultohej me gjykatësit.
“Dhomat e Specializuara, apo Aranzhimi i Dakorduar, kërkojnë njoftim nga shteti përkatës nëse sipas ligjit të zbatueshëm të shtetit në të cilin personi i dënuar është i burgosur, ai ka të drejtë për ndërrimin të dënimit. Dënimi mund të ndërrohet vetëm nëse Kryetari i Dhomave të Specializuara, në konsultim me gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, vendos për një gjë të tillë në bazë të interesave të drejtësisë dhe parimeve të përgjithshme të së drejtës”, thuhet në nenin 51.
“Vendimet e Dhomave të Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë faljeje dhënë sipas nenit 84 (29) të Kushtetutës, apo ndonjë person i dënuar nga Dhomat e Specializuara, pavarësisht se ku e shërbejnë dënimin e tyre”, thuhet pikën 1 të këtij neni.
Të akuzuarit e Speciles mund të dënohen edhe me gjobë
Rregullorja e Dhomave të Specilizuara parasheh që të akuzuarit të dënohen edhe me gjobë. Rregulli 165, thotë se një person i shpallur fajtor për një shkelje të Ligjit dhe i dënuar me gjobë, atë ia paguan Administratorit.
Në pikën 2 të këtij rregulli thuhet se “pas dhënies së dënimit me gjobë, trupi gjykues i lejon personit të dënuar një periudhë kohore të arsyeshme për pagimin e gjobës”.
Ky trup gjykues, me të njëjtën pikë të këtij rregulli, lejohet ta përcaktojë mënyrën e pagesës së gjobës. Ajo, siç thuhet, mund të lejohet të bëhet edhe me këste.
Në rast se i dënuari nuk e paguan gjobën brenda afatit të përcaktuar, rregullorja thotë se “trupi gjykues mund të nxjerrë një urdhër për paraqitjen e atij personi para trupit gjykues”. E trupi gjykues mund t’i kërkojë të dënuarit shpjegim me shkrim, ku ai do ta arsyetonte mospagesën e gjobës.
Megjithatë, trupi gjykues mund edhe t’ia zgjasë të dënuarit afatin e pagesës së gjobës, por mund edhe të urdhërojë sekuestrimin e pronës, fitimeve dhe kapitaleve të të të dënuarit në masën e nevojshme për shlyerjen e gjobës.
Gjoba e papaguar, mund të konvertohet edhe në dënim me burgim që “nuk tejkalon dënimin më të rëndë në fuqi në Kodin Penal të Kosovës për atë shkelje”.
Aktualisht, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është i pari dhe i vetmi person që ka aktakuzë të konifmruar nga Dhomat e Specializuara. Por, në paraburgim në Hagë po mbahen si të dyshuar edhe udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj.