Vetingu/ Skandali, KPK “fsheh” shkeljen e gjyqtares Irena Brahimi

Nga Boldnews.al

Një “harresë e vogël”, në dukje si lapsus në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi, mund të fshehë një tentativë falsikimi të dokumentave zyrtarëve nga treshja me kryesuese Brunilda Bekteshi, relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici.

Në vendimin e 21 Korrikut 2020, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtares Brahimi, duke shpallur se do i përcjellë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për inspektim një rast të vitit 2015.

Por, në vendimin e zbardhur, KPK nuk e ka përmendur faktin që ka përcjellë dosjes për inspektim pranë ILD.

Për më tepër, rasti i cituar në shpalljen e konkluzionit për Brahimin, nuk gjendet fare i arsyetuar në vendimin e zbardhur.

Kjo “harresë” u bë publike dhe trupa e KPK-së vendosi të korrigjonte vendimin. Por, edhe në vendimin e korrigjuar, çështja që thuhet se është përcjellë për inspektim pranë ILD nuk gjendet as e arsyetuar dhe as e përmendur në vendimin e plotë.

Kjo situatë është marrë në shqyrtim nga shoqata “Drejtësi për Drejtësi”, e cila, nëpërmjet një “informacioni për fillimin e ndjekjes penale” kërkon nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, nisjen e hetimeve penale kundër komisionerëve Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, nën dyshimet për falsifikim dokumentash.

Skandal?

Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi, u përball me një seri denoncimesh për konflikt interesi, gjatë procesit të rivlerësimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi i mori në shqyrtim të gjitha rastet, konkludoi se gjyqtarja Brahimi nuk ka kryer shkelje të natyrës që të arrinin në konkluzionin e shkarkimit nga detyra.

Megjithatë, për një rast konkret të vitit 2015, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi në seancën e shpalljes së vendimit se do ia përcillte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ky rast nuk gjendet i zbardhur në arsyetimin e vendimit, duke ngritur dyshimet se mund të jetë hequr qëllimisht, për të shmangur një ankimimin të mundshëm pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rastit të subjektit Brahimi.

Në 9 Tetor 2020, pasi kjo “harresë” u bë publike, trupa e KPK-së rimblidhet sërish, për të bërë “korrigjimin e vendimit”.

LEXO EDHE  Sa shtëpi do rindërtohen? Artan Shkreli: S'ka shifër konkrete

Në përfundim të kësaj mbledhjeje, treshja Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici vendosin të shtojnë në dispozitivin e vendimit shprehjen: “Transferimin e çështjes civile – me palë ndërgjyqëse: paditës A. Ç, e të paditur: Zyra Përmbarimore “***” sh.p.k., dhe me objekt: “Kundërshtim i veprimeve përmbarimore”, – të shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe të përfunduar me vendimin nr. ***, datë 12.5.2015, pranë organit kompetent….”.

Boldnews.al” verifikoi të dy vendimet, pra edhe zyrtarin, edhe atë të korrigjuarin. Në asnjërin prej tyre, komisioni i Vetingut nuk rezulton të ketë arsyetuar çështjen e vitit 2015, për të cilën u deklarua se do i përcillet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Shkelje?

Krahas dyshimeve se “lapsusi” nuk mund të jetë thjeshtë i tillë, por një veprim i qëllimshëm, shoqata “Drejtësi për Drejtësinë” kërkon nga SPAK-u të hetojë më thellë, përfshirë edhe atë që e konsideron shkelje ligjore në zbatimin e “korrigjimit të vendimit”.

Kodi i Procedurave Administrative, në nenin 112 të tij, parashikon se “organi publik, në çdo kohë, kryesisht apo me kërkesë, mund të korrigjojë gabimet e shkrimit, gabimet në përllogaritje dhe pasaktësi të tjera të dukshme, në një akt administrativ”.

Pikërisht, këtij neni i është referuar treshja e KPK-së për të “korrigjuar” vendimin për gjyqtaren e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi.

Por, trupa e KPK-së duket se ka tejkaluar të gjithë parashikimin ligjor. Në vendimin e “korrigjuar”, Komisioni i Vetingut nuk ka “korrigjuar” thjeshtë një harresë apo lapsus.

Në dispozitivin e atij vendimi është shtuar një pikë, pra dërgimi i dosjes për inspektim, ndërkohë që sipas arsyetimit të vetë KPK-së, kjo çështje nuk është marrë aspak në shqyrtim. Ose, është shqyrtuar, por nuk ka asnjë gjurmë në vendimet zyrtare.

“Fshehja” e kësaj situate ka bindur shoqatën “Drejtësi për Drejtësi” se anëtarët e Komisionit të Vetingut, të cilët kanë kryer rivlerësimin e Irena Brahimit, mund të kenë konsumuar elementët e veprës penale të “falsifikimit të dokumentave”.