“Hileja” në Kushtetutë/ “Xhafaj” vuri nën kontroll politik Inspektorin e Lartë të Drejtësisë

Nga Boldnews.al

Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ka përdorur në mënyrë hileqarë një sugjerim paraprak të Komisionit të Venecias, të dhënë në Mars 2016, për të vendosur nën kontroll të plotë politik Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, autoriteti që inspekton të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.

Shtuar këtu edhe faktin që maxhoranca zgjodhi në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë Artur Metanin, një investim thellësisht politik i kryeministrit Edi Rama, institucioni që do të kryejë hetimet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve është plotësisht nën ndikimin e maxhorancës qeverisëse.

Keqpërdorimi i raportit të “Venecias”

Komisioni i Venecias, bazuar në draftin paraprak të ndryshimeve kushtetuese, sugjeroi një procedurë “impeachment”, pra nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e mundshëm disiplinor ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Qëllimi i këtij sugjerimi ishte shmangia e konfliktit të interesave ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Tribunalit të Drejtësisë, si edhe shmangia e ndikimit të qeverisë mbi atë institucion, nëpërmjet rolit determinant të Ministrit të Drejtësisë.

Komisioni “Xhafaj” kishte parashikuar të paktën dy pika shumë kontraverse për aktivitetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Sipas draftit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vendosej në lëvizje vetëm nga Ministria e Drejtësisë, duke krijuar dyshimet se qeveria mund të ndikonte mbi vendimmarrjen e gjyqësorit, nëpërmjet presionit dhe shantazhit të nisjes së hetimeve disiplinore.

Nga ana tjetër, drafti i Komisionit “Xhafaj” parashikonte që hetimi disiplinor ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) të zhvillohej nga Tribunali i Lartë i Drejtësisë, një strukturë ku duhet të bënin pjesë disa gjyqtarë të lartë, të cilët nga ana e tyre do të ishin vetë subjekt i hetimit disiplinor nga ILD.

Përpara këtij drafti me pikëpyetje të mëdha, Komisioni i Venecias sugjeroi shmangien e rolit të Ministrit të Drejtësisë mbi aktivitetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe parashikimin e një procedure “impeachment” ndaj Kryeinspektorit, duke qenë se ai pozicion ishte në konflikt interesi me Tribunalin e Lartë të Drejtësisë.

Zgjidhja e ofruar nga “Venecia” duket se ishte më e mira e mundshme, referuar draftit që iu vendos në dispozicion nga autoritetet shqiptare.

Por, pas “leximit” të Opinionit të Venecias, Komisioni “Xhafaj” përdori një truk, i cili u duk se përmbushi rekomandimet ndërkombëtare, por në fakt e vendosi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë nën një kontroll absolut politik.

ruku i Komisionit “Xhafaj”

Bazuar në Opinonin e Venecias dhe sidomos me këmbënguljen e fortë të opozitës së djathtë, maxhoranca ridimensioi rolin e Ministrit të Drejtësisë në aktivitetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Por, energjitë e shumta të shpenzuara nga opozita, për të shmangur kontrollin total politik të maxhorancës mbi të gjithë institucionet e reja të drejtësisë, ndikuan në uljen e vigjilencës për detaje specifike dhe “truket” e maxhorancës së drejtuar në komisionin e posaçëm nga Fatmir Xhafaj.

Nga ana tjetër, opozita nuk arriti të luante rolin e saj kontrollues dhe kontribuues maksimalisht, për shkak edhe të presionit të dy ambasadorëve të rëndësishëm në atë kohë në Shqipëri, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilët e shihnin miratimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, pavarësisht mangësive të mëdha, si “kalin e betejës” për forcimin e pozitave para shefave të tyre në Uashington dhe Bruksel.

Pasi zbuti rolin e ministrit të Drejtësisë mbi inspektimet e gjyqtarëve, Komisioni “Xhafaj” hoqi dorë nga krijimi i Tribunalit të Lartë të Drejtësisë.

Pra, në këtë mënyrë u rrëzua edhe konflikti i mundshëm i interesave ndërmjet Tribunalit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pasi njëri prej tyre nuk do të ekzistonte.

LEXO EDHE  "Rama refuzoi Varahelyi"/ Bardhi: Dëshmi se për PS-në, interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë

Por, megjithëse “konflikti i interesave” ra, e bashkë me të edhe sugjerimi i “Venecias” për parashikimin e një procedure “impeachment” për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, komisioni “Xhafaj” nuk hoqi dorë nga hetimi disiplinor parlamentar mbi personin që do të udhëhiqte inspektimet e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i vetmi institucion kushtetues i drejtësisë së pas-Reformës, i cili do të hetohet disiplinarisht nga Parlamenti, pra nga një pushtet thellësisht politik.

Kushtetuta, në nenin 147/e të saj parashikon se “Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit, … Komisioni hetimor, në rast se konstaton shkelje.. i propozon Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit”.

Pra, Kushtetuta e ka bërë të qartë që shkeljet e mundshme disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë në vullnet të politikës.

Ky parashikim kushtetues bie ndesh jo vetëm me qasjen ndaj institucioneve të tjera, por edhe me frymën e Reformës në Drejtësi, e cila kishte si qëllim primar shkëputjen e ndikimit politik në sistemin gjyqësor.

Për institucionet e tjera të drejtësisë, Kushtetuta ka parashikuar një sistem vetërregullimi dhe vetëkontrolli.

Kështu, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i nënshtrohen hetimit disiplinor nga vetë ajo gjykatë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për hetimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjithë niveleve, përfshirë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Po ashtu, Kushtetuta parashikon që anëtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shkarkohen nga Këshillat përkatës, ai Gjyqësor dhe i Prokurorisë.

Ndërsa anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së shkarkohen nga Gjykata Kushtetuese.

Pra, duket qartë se kushtetut-bërësi ka vendosur dispozita të mirëpërcaktuara për shmangien e ndikimit politik mbi institucionet e drejtësisë.

Përjashtim ka bërë vetëm për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Dhe, këtu, pikëpyetjet janë shumë të mëdha.

Ndikimi politik

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka një rol thelbësor në karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Hetimi disiplinor i zhvilluar prej tij mund të pasohet me largimin nga detyra të magjistratëve.

Nga ana tjetër, vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka karrierën e tij të varur nga vullneti politik, pra nga komisioni i posaçëm parlamentar, në rastet kur ai vendoset nën hetim disiplinor.

Ky raport e vendos Inspektorin e Lartë të Drejtësisë nën kontrollin e plotë politik dhe, me shumë mundësi, e dikton për nisjen e hetimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u binden apo u krijojnë probleme eksponentëve qeveritarë dhe personave të lidhur me ta.

“Hileja” e përdorur nga komisioni “Xhafaj” për vendosjen nën kontroll politik të personit që do të hetojë administrativisht gjyqtarët dhe prokurorët është problemi i radhës në një Reformë Drejtësie tejet të rrëmujshme.

Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 dhe sidomos keq-zbatimi i tyre në praktikë, nën ndikimet politike të maxhorancës, ka sjellë si pasojë mungesën e gjatë të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si edhe prag-paralizimin e gjykimeve në nivelin e Apelit.

Nga ana tjetër, institucionet e reja të drejtësisë janë mbushur kryesisht me persona që njihen për lidhje të fortë me Partinë Socialiste në pushtet ose që kanë probleme me integritetin e tyre dhe që, për shkak të kësaj, janë lehtësisht të manipulueshëm.