Atalanta e nis sezonin e ri me fitore, bergamezët mundin në transfertë Torinon

Atalanta zhvillon prej një kohe të gjatë një futboll zbavitës dhe pjesa ofensive e këtij ekipi është thjesht fantastike. Djemtë e Gian Piero Gasperinit u përballën me Torinon sot në transfertë, takim (i pari në Serie A për këtë sezon) që e fituan me rezultatin 2-4.

Vendasit kaluan në parët në avantazh në minutën e 11-të, por diagonalja e saktë e Belottit vetëm sa acaroi me keq ekipin mik. Atalanta nisi ofensivën dhe përmbysi gjithçka brenda 10 minuta. Kapiteni Gomez barazoi shifrat me një goditje shumë të bukur dy minuta pas golit të ekipit granata.

Më pas dhuroi një asist fantastik për Luis Muriel, i cili kaloi Atalantën në avantazh me një goditje shumë të bukur në minutën e 21-të. Zikaltrit nuk u ndalën dhe holandezi Hateboer finalizoi një kros të Gomez tre minuta para mbylljes së pjesës së parë.

LEXO EDHE  Liga e Futbollit nuk tërhiqet, Libohova: Qeveria me qasje kontroverse

Torino nuk u pajtua me këtë rezultat dhe Belotti gjeti golin e dytë personal një minutë më vonë. Kros i Mërgim Vojvodës (e luajti të plotë takimin e sotëm, ndërsa Berat Gjimshiti ishte i pezulluar me kartonë) dhe rrjetë e sulmuesit kryesor të Torinos.

Në minutën e 54-t erdhi edhe goli i katërt i Atalantës. Asist i Muriel dhe goditje e menjëhershme e De Roon. Ndeshja nuk prodhoi më gola dhe miqtë siguruan tre pikë të merituara në ndeshjen e parë të sezonit të ri.