Kush ia jep urdhërin RENEA-s, për ekzekutim?/ Ja si e shpjegon eksperti i policisë

Ngjarja e djeshme ku RENEA ekzekutoi 71-vjeçarin Lefter Zhidro që hapi zjarr ndaj policisë, nuk tronditi vetëm Elbasanin, por të gjithë vendin duke i mbajtur të mbërthyer pas ekranit për shumë orë deri kur i moshuari u eliminua fizikisht. RENEA tentoi përmes negocimit që të bindte të moshuarin që të dorëzohej, por ai thirrjeve iu përgjigj me zjarr dhe fundi ishte fatal.

Por si funksionon reparti RENEA në një situatë të tillë dhe kush janë hapat që ndiqen? Emri Vata, ekspert sigurie, i ftuar në studion e Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo shpjegoi të gjitha hapat dhe atë që ndodh në prapaskenë me efektivët e RENEA-s.

“E para, RENEA thirret nga policia lokale kur ka rrezikshmëri të lartë shoqërore si në rastin e djeshëm. Dje ishte rrezik për banorët. Kur mbërrin RENEA organizon dhe siguron perimetrin për të mos pasur viktima. Më pas bëhet paralajmërimi.

Reparti i RENEA-s ka grup negociatorësh, që kanë formim policor bazë, psikologjik, bëjnë të gjitha trajnimet që i duhen një negociatori. Policinë shqiptare e kanë ndihmuar shumë edhe policitë partnere. RENEA është një nga sukseset e policisë së shtetit”.

Por si negociohet, çfarë i ofrohet? “Të gjitha garancitë humane, negociatori është një person që edhe pyetjet i ka standarde, është tepër i specializuar për atë punë dhe gjithë problemi që bëhet, dhe puna e tij është për të ruajtur një jetë njeriu”.

LEXO EDHE  Koronavirus/ 15 humbje jete në 24 orë në Maqedoninë e Veriut, 628 raste të reja

I pyetur se kush e përcakton se negociatat dështuan dhe duhet ndërhyrë, ai tha “Ligji është i qartë. Në momentin që ka shkëmbim zjarri, e fundit është neutralizimi”. Urdhri për neutralizimin, sqaroi më tej Vata merret brenda strukturave të policisë.

Megjithatë, përtej asaj që pamë në ekran, Vata u shpreh se SHÇBA-ja kryen hetim për të analizuar punën e strukturave vendore të policisë nëse mund të ishte parandaluar ngjarja.

“Veprimet e policisë kanë qenë të kujdesshme, megjithëse se do të analizohen që kur është evidentuar, a ka pasur dijeni drejtoria vendore. Ngjarja mund të parandalohej në vijimësi nga momenti kur ka ndodhur ngjarja, ato 5 orë policia ka meritën e saj.

Kjo ngjarje mund të ndodhë kudo dhe në cdo vend të botës, pasi ka njerëz që për arsye depresioni apo probleme mendore. Por nëse personi më parë ka qenë i evidentuar dhe shoqëruar disa herë, atëherë policia vendore duhet të kishte marrë masa më para” përfundoi ai.