Shqipëria do të vendosë rikthimin e karantinës vetëm nëse shifrat e të prekurve kapërcejnë shifrën 200 për një periudhë 10 ditore.
Në një prononcim për gazetën “Shqip”, epidemiologu dhe zv/drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku u shpreh se nisur nga raportimet ditore, vendi ynë është ende larg këtij pragu.
Ndonëse rajoni dhe vendet fqinjë, si Greqia e Italia po mendojnë një rikthim në karantinë, Shqipëria duket se nuk ka asnjë vendimmarrje të tillë megjithëse numri ditor i të prekurve po mbetet pothuajse i njëjtë mbi 130 raste dhe 3-4 viktima në ditë.
Ulqinaku thotë se fluksi i shtrimeve në të dy spitalet Covid ka rënë dhe kjo ka shtyrë hapjen e planifikuar të dy spitaleve të reja 3 dhe 4.
Epidemiologu Dritan Ulqinaku thotë se shifra 200 raste pozitive në ditë përgjatë një periudhe 10 ditore është e vështirë për t’u arritur ndaj karantina ende shihet larg mundësisë për t’u vendosur.
“Ajo çka duhet të bëjmë është shtojmë vëmendjen për t’u kujdesur për veten, higjiena personale, mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancës fizike”, tha Ulqinaku.
Sa i takon situatës së krijuar në shkolla, ku në dy javët e para janë evidentuar dhjetëra raste pozitive, Ulqinaku tha se mësuesit sikurse të gjithë të tjerët që punojnë në profesione të ndryshme, duhet të kenë kujdes dhe të ruhen nga koronavirusi me qëllim që të mbrojnë veten, nxënësit e familjarët e tyre.