Gareth Bale: Legjenda e paplotë e Real Madrid!

Gareth Bale është larguar nga Real Madrid . Ai i dha fund një agonie që ka vazhduar më gjatë nga sa shpresohej dhe ku të dyja palët mund të dalin fituese, të paktën në anën sportive. Nga ana sentimentale, mbase jo aq shumë.

Tifozët e Real Madrid tani mund ta kujtojnë uellsianin me nostalgji, me një shije të hidhur në gojë, duke menduar se çfarë mund të kishte qenë.

Bale nuk do të ishte kurrë Cristiano Ronaldo , thjesht sepse është si krahasimi i Formula 1 me MotoGP – dy automjete të shkëlqyera, të shpejta, të nivelit të lartë … por të ndryshme. Ajo foto e tyre në hyrje të Valdebebas u festua si një gol – dhe nuk është çudi. Po, njerëzit prisnin shumë më tepër nga Bale për shkak të shumës që u ble por edhe nga perfomancat e jashtëzakonshme me Tottenham.

Momenti kur Bale dhe Ronaldo takohen në hyrje të kompleksit stërvitor, Valdebebas.

Por, duke lënë mënjanë këto dy argumente, pse përkrahësit e Real Madridit u entuziazmuan kaq shumë dhe kërkuan kaq shumë prej tij? Kjo sepse Bale , i veshur me fanellën e bardhë dhe me numrin 11 mbi shpinë, u dha atyre mjaft arsye.

Sprinti legjendar në Valencia kundër Barcelonës, goditja me kokë në Lisbonë, penalltia në Milano dhe kryevepra e tij, goditja me rofishatë në Kiev. Këto janë imazhe që do të qëndrojnë në historinë e Real Madridit dhe do të mbushin dhomat e fëmijëve si postera. Disa mendojnë vetëm se Bale u shfaq “në ditë të caktuara”. Ndoshta është e vërtetë, por ato ishin ditët që Reali kishte nevojë për të.

LEXO EDHE  Video/ Man.United-Leipzig, Greenwood i jep avantazhin “Djajve”

Ishte pikërisht pas asaj nate në Kiev, gjatë së cilës Bale bëri të pamundurën kundër Liverpool-it , që ai dha përshtypjen se mund të ishte “komandanti” i ri në erën post-Cristiano. Ai kishte arritur pikërisht atë që kërkonte, kërkoi të merrte ekipin mbi supe dhe, një herë e përgjithmonë, të hiqte etiketën e padrejtë që i ishte vënë që kur ai mbërriti në Spanjë. Ajo për të qenë pasardhës i CR7.

Dy vjet më pas, shkronjat në atë etiketë janë zbehur. Ky uellsian i rezervuar madje nuk duket as pasardhësi i duhur për veten e tij, për atë që ishte dikur. Tashmë ai ka lënë pas një numër të madh fansash që nuk do ta harrojnë kurrë, por një grup fansash,  që në tërësi, nuk morën atë që pritej. Nga Real Madrid largohet një legjendë e paplotë.