Vala e dytë e Covid-19 rikthen debatin: A pati të drejtë Suedia që evitoi karantinën?

Që në krye të herës, Suedia ka pasur një qasje tjetër nga pjesa më e madhe e vendeve të botës lidhur me strategjinë e ndjekur në përballjen me pandeminë. Shpesh kjo qasje është kritikuar nga zyrtarë të lartë të shëndetit publik në vende të tjera. Por ajo që po shihet si vala e dytë e Covid-19 në Europë, duket se do të konfirmojë se strategjia e Suedisë ishte e duhura.

Të dhënat e reja që vijnë nga Stokholmi sugjerojnë pikërisht këtë. Ndërsa në shumë vende evropiane, si Spanjë, Francë dhe Britani e Madhe – infeksionet nga Sars-Cov-2 janë rritur në mënyrë eksponenciale, në Suedi ato mbeten të ulëta. “Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në 14 ditët e fundit në vendet skandinave të martën tregonin një incidencë 22.2 për 100 000 banorë, krahasuar me 279 në Spanjë, 158.5 në Francë. 118 në Republikën Çeke, 77 në Belgjikë dhe 59 në Britaninë e Madhe, të gjitha vende që vendosën karantinën në pranverë, shkruan “The Guardian”. Njëzet e dy nga 31 vendet evropiane të analizuara nga ECDC kishin norma më të larta infeksioni. Rastet e reja, të raportuara në Suedi vetëm nga e marta në të premte, janë afërsisht me ritmin e fundit të marsit, ndërsa të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Shëndetit treguan se vetëm 1.2% të 120 000 testeve të javës së kaluar ishin pozitive”.

Strategjinë suedeze anti-Covid e ka drejtuar epidemiologu Anders Tangell. Shifrat e javëve të fundit duket se i japin të drejtë. “Nuk kemi rikthimin që po shohim te vendet e tjera”, thotë ai për France 24.

“Në fund do të shohim ndryshimin mes një strategjie më të qëndrueshme, e cila mund të ruhet për një kohë të gjatë, dhe strategjisë së mbylljes, hapjes dhe mbylljes sërish”, shtoi ai. Në total Suedia ka regjistruar 5 800 vdekje që i atribuohen Covid-19, nga 10 milionë banorë. “Kjo është, një vdekshmëri prej rreth 0,06%, praktikisht e barabartë me atë të Italisë”, shpjegon Ugo Bardi, profesor në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Firences.

Megjithatë, Suedia ka bërë edhe gabime dhe këtë e pranon edhe vetë kryeepidemiologu Tegnell. Një prej tyre është mungesa e mbrojtjes për azilet, ku u shënua numri më i madh i viktimave.

Suedia nuk iu dorëzua krejtësisht asaj që njihet si imuniteti i tufës. Ajo zgjodhi një strategji që minimizon ngarkesën mbi sistemin shëndetësor. Për të arritur këtë, mbylli shkollat për nxënësit mbi 16 vjeç, ndaloi grumbullimet me mbi 50 njerëz dhe u kërkoi të moshuarve mbi 70 vjeç të mos dilnin nga shtëpia. Asnjë prej këtyre nuk e imponoi me dekret, por thjesht këshilloi. Dhe suedezët u bindën.

Edhe pse nuk pati mbyllje totale, suedezët qëndruan më shumë në shtëpi, më pak njerëz u panë rrugëve dhe u respektuan distancat fizike. Ndërkohë që në vendet e tjera të Europës dhe botës, karantina i kishte boshatisur rrugët e mbushur ndërtesat, në Suedi kjo strategji u ndoq me muaj të tëra.

A mund të themi se të tjerët gabuan me imponimin e karantinës?

Ndoshta jo plotësisht, por mësime mund të nxirren. Siç shkruan Walter Münchau në “Financial Times”, një leksion që na dha Suedia është se ka alternativa të vlefshme në raport me mbylljen kineze që u praktikua fillimisht në Vuhan, nga e cila u frymëzua më pas e gjithë bota. Münchau e cilëson “refleksin automatik të mbylljes” si “kërcënimi më i madh për demokracitë kapitaliste perëndimore” në këtë moment.

Leksioni i dytë është se nuk mund të nxjerrim përfundime të nxituara. E bëmë këtë kur e dënuam strategjinë suedeze në fillim, por nuk duhet të nxitohemi tani. Kjo sepse po përballemi me një fenomen shumë kompleks që zhvillohet në një periudhë mesatare deri në të gjatë. Ndërkohë, prioritet mbetet mbajtja funksionale e sistemeve shëndetësore. Më e qartë se çdo gjë tjetër në të gjithë këtë mbetet fakti se askush nuk e do një mbyllje tjetër dhe pasojat në planin ekonomik, social e politik që ajo do të sillte. / Corriere.it