Pamjet janë të kamerës së sigurisë vendosur jashtë ambienteve të lokalit, ku u ekzekutua 50-vjeccari Bujar Çela. Në to shihet viktima përtokë, pasi u qëllua me armë zjarri.
Burime pranë grupit hetimor thanë se kamera ka fiksuar momentin e atentatit, kur 50-vjeçari, vëllai i Talo Çelës, qëllohet me armë zjarri. Ekzekutorët besohet që kanë qenë 3 persona të cilët i janë afruar 50-vjeçarit dhe kanë qëlluar drejt tij. Dyshohet se janë përdorur pistoleta me silenciator.
Kamera ka fiksuar momentin kur Çela ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur. Gjithashtu, në tavolinë me 50-vjeçarin ka qenë dhe një person tjetër i cili nuk është dëmtuar.
Pas atentatit, makina e përdorur nga autorët, e tipit “Renault”, është gjetur e djegur në fshatin Murras.
Atentati ndodhi mëngjesin e djeshëm në Brandashesh, në lokalin që taksisti e frekuentonte shpesh. Si përherë, ai parkoi makinën para barit dhe shkoi të konsumonte kafen e mëngjesit. Rreth orës 05:45 të mëngjesit, drejt tip u shkrehën rreth 20 plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Lidhur me ngjarjen, foli për mediat pronari i lokalit, ku u qëllua Çela, i cili tha se ishte në banak kur dëgjoi të shtëna dhe pasi doli në pjesën e jashtme të biznesit, pa trupin e pajetë të 50-vjeçarit.
Një nga pistat e hetimet është se krimi ka ndodhur në vazhdën e konflikteve të autorëve me vëllanë e viktimës. Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës, aktualisht në kërkim për vrasje dhe grabitjen në Rinas.
Autorët, ndërkohë, mbeten ende të lirë dhe të paidentifikuar nga policia.