Gjyqtari Bib Ndreca përballet me probleme për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për tre ngastra toke që zotëron gjyqtari Bib Ndreca, për blerjen e të drejtave reale të një apartamenti dhe një Benzi të dhuruar nga vëllezërit. Për krijimin e këtyre pasurive, Ndreca kishte deklaruar si burime krijimi të ardhura nga vëllezërit nga emigracioni dhe aktiviteti privat dhe një hua 5.5 milionë lekë të marrë po prej tyre. Ndreca i kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe kërkoi rishikimin e analizës financiare.

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u identifikuan probleme vetëm për kriterin e pasurisë, për të cilat dha shpjegime dhe tha se kishte dorëzuar dokumente provuese. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimin për gjyqtarin Ndreca përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonçi Petkoviç.

Në seancën dëgjimore të 26 shkurtit 2020, Ndreca kërkoi më shumë kohë për përgatitjen e mbrojtjes dhe rihapjen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Kryesuesja Xhensila Pine sqaroi se ishte pranuar kërkesa e gjyqtarit Ndreca dhe se hetimi administrativ ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit.

Gjyqtari Bib Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013, ai është emëruar kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 është dekretuar si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Problemet me pasurinë

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk kishte gjetur probleme në deklarimin e pasurisë së gjyqtarit Bib Ndreca, Komisioni identifikoi disa gjetje për të cilat i ishte kaluar barrë prove.

Në seancë u evidentuan pasaktësi në deklarimin e tre ngastrave tokë-arë në Fushë-Mamurras për të cilat gjyqtari Ndreca ka pasqyruar si burim krijimi të ardhurat e vëllezërve nga emigracioni dhe një aktivitet.

Relatorja Qirko shpjegoi se në këto sipërfaqe toke fillimisht kanë qenë në bashkëpronësi të vëllezërve Ndreca dhe se në vitin 2011 është kryer përpjesëtimi i pjesëve takuese në mënyrë të barabartë për secilin.

Gjithashtu, në këto sipërfaqe toke janë ndërtuar një stallë për derra, një maternitet po për këtë specie dhe një mulli. Qirko tha se në deklaratën veting, Ndreca ka shënuar tokë-arë, truall dhe ndërtesë.

Komisioni konstaton se vëllezërit e gjyqtarit Ndreca nuk kanë pasur mundësi për kryerjen e këtyre investimeve.

Gjatë fjalës së tij në seancën dëgjimore gjyqtari Bib Ndreca kërkoi rishikimin e analizës financiare. Ai e konsideroi të pabazuar përfshirjen e tij si investitor në blerjen e ngastrave të tokës dhe investimet e kryera, duke sqaruar se në atë periudhë kishte qenë student; se nuk kishte pasur asnjë kontribut financiar dhe për pasojë këto pasuri nuk kishin asnjë lidhje me aktivitetin e tij si gjyqtar.

Sipas Ndrecës, në vitet 2004 dhe 2005 ishte bërë bashkëpronar i tokës. Ai tha se në vitin 2007 vëllezërit kishin nisur të kryenin investimet dhe në vitin 2008 kishin marrë një kredi duke vendosur tokën si kolateral. “Vetëm në vitin 2011 banka e lejoi përpjesëtimin e pasurisë. Unë përfitova vetëm tokë bujqësore. Nuk kam investuar as 10 lekë të vjetra në pjesën takuese të tokës bujqësore. Përllogaritja si aset e pasurisë së vëllezërve është gabim dhe duhet të korrigjohet”, kërkoi ai.

Ndreca këmbënguli se vëllezërit e tij kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e tokave dhe kryerjen e investimeve. Ai shpjegoi se deri në vitin 1998 emigrantëve nuk u jepej leje qëndrimi në shtetin grek. “Ju kam sjellë lejen e qëndrimit për një prej vëllezërve për periudhën 1998-2001. Gjithashtu ju kam sjellë fatura se vëllai ka përfituar 1.5 milionë dhrahmi gjatë viteve 1966 dhe 1997”, pohoi Ndreca.

Ai shtoi se vëllai i madh kishte paguar taksa që prej vitit 2003 kur ishte regjistruar si person fizik. Ndreca renditi disa derdhje që ishin kryer për llogari të vëllait, përkatësisht tre në vitin 2004, nga të cilat dy në vlerat 1.3 milionë lekë dhe një në shumën 165 mijë lekë. Gjithashtu, Ndreca tha se në vitin 2000 në llogarinë e vëllait kishin mbërritur 10 mijë marka gjermane dhe se ai kishte kryer tërheqje në vitin 2003 në vlerën 10 mijë euro.

“Vëllezërit kanë pasur mundësi për të blerë tokat dhe për të kryer investimet. Unë kam kontribut zero lekë. Kontributi im është social pasi jetoja me prindërit”, shpjegoi Ndreca dhe shtoi se kishte gjetur e dorëzuar dosjen për ndërtimin e stallës dhe maternitetit për mbarështimin e derrave.

Relatorja Pamela Qirko konstatoi të fund të seancës dëgjimore se ishte e paqartë se si një familjar bëhej bashkëpronar pa dhënë asnjë kontribut. “Risqaroj se në vitet 2004 dhe 2005 kam qenë student dhe vëllezërit kishin punuar si emigrant në Greqi. Sipas rregullave zakonore, e gjithë pasuria që përfitohet kur anëtarët e një familje janë bashkë, ndahet në mënyrë të barabartë. Gjithashtu, ka të bëjë edhe me marrëdhëniet funksionale mes meje dhe vëllezërve”, pohoi Ndreca.

Ndreca u pyet gjatë seancës dëgjimore edhe për një automjet tip Benz me vlerë 12 mijë euro të dhuruar nga vëllai i madh në fillim të vitit 2009, dy javë pasi ai kishte nisur detyrën si gjyqtar. Qirko tha se subjekti e ka shitur këtë makinë disa vite më vonë në vlerën 1.2 milionë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Ndreca ka deklaruar të ardhurat e vëllait të madh nga aktiviteti i tij privat.

Sipas Komisionit, vëllai i gjyqtarit Ndreca, Sh.N., nuk ka pasur burime të ligjshme në vitin 2008 për të blerë makinën 12 mijë euro.

Ndreca deklaroi se automjeti i ishte dhuruar nga vëllai dy javë pasi kishte nisur punën si gjyqtar. Ai kërkoi që kjo pasuri të konsiderohej edhe si e ardhur në analizën financiare. “Bie në kundërshtim me vlerësimin për autoveturën tip Smart që është konsideruar edhe si aset, edhe si e ardhur – ndërsa autovetura tip Benz është vlerësuar vetëm si aset, domethënë si shpenzim”, pohoi Ndreca.

Ai shtoi se balanca negative -1 milion e 190 mijë lekë e konkluduar nga KPK për vitin 2009 nuk qëndronte, pasi autovetura tip Benz ishte vlerësuar si shpenzim. Ndreca deklaroi se, sipas përllogaritjes së ekspertit të pajtuar prej tij, në vitin 2009 rezultonte me balancë pozitive në vlerën 502 mijë lekë.

Relatorja Qirko e pyeti se cila ishte arsyeja që vëllai i kishte dhuruar një mjet luksoz që e kishte blerë 12 mijë euro kur ai ishte në stazh dhe jepte vendime në emër të Republikës së Shqipërisë. Ndreca deklaroi se në kohën kur është blerë mjeti prej vëllait, ishte në stazh pasiv dhe se nuk jepte vendime.

Komisioni evidenton probleme edhe për blerjen e të drejtës reale të një apartamenti 84 m2 në Tiranë në vitin 2012 kundrejt vlerës 40 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Ndreca ka deklaruar një hua të marrë nga vëllai, 5 mijë euro kursime dhe një kredi.

LEXO EDHE  Poezia që Vasili ia dedikoi Ramës: Kungull mos të plastë fara…

Nga hetimi administrativ, ka rezultuar se Ndreca ka blerë të drejtën reale për këtë pasuri nga porositësi i parë Sh.A. . Ky i fundit e ka porositur apartamentin në fjalë në vitin 2007, ndërsa në vitin 2012 është lidhur kontrata për kalimin e të drejtave reale tek gjyqtari Ndreca, kundrejt vlerës 40 mijë euro të paguar jashtë zyrës noteriale.

Deri në momentin e kalimit të të drejtave reale për këtë pasuri, faturat e energjisë dhe të ujit kanë qenë në emër të xhaxhait të porositësit të parë. Ndreca ka dorëzuar edhe një deklaratë noteriale të xhaxhait të porositësit të parë të apartamentit, ku thuhet se subjekti i’a ka dhënë atij në dorë vlerën 40 mijë euro.

Ndërkohë, nga verifikimi i TIMS ka rezultuar se ditën e nënshkrimit të kontratës tripalëshe për kalimin e të drejtave reale, porositësi i parë, Sh.A., nuk ka qenë në Shqipëri. “Ka shkelje etike dhe dyshime për ligjshmërinë juridike të kësaj kontrate”, tha Qirko e cila shtoi se subjekti ka dorëzuar shpjegime dhe dokumente për të provuar se Sh.A. kishte qenë në Shqipëri ditën e nënshkrimit të kontratës.

Në fjalën e tij, Ndreca shpjegoi se Sh.A. kishte qenë i pranishëm në nënshkrimin e kontratës. Ai shtoi se Sh.A. është laborant-dentist dhe se udhëton shpesh në Kosovë për të marrë produktet që i nevojiten për profesionin që ushtron.

Ndreca pohoi se kishte vendosur së fundmi në dispozicion të Komisionit disa kartela për punimet e kryera në Shqipëri nga Sh.A., po në datën që ishte nënshkruar kontrata. “Madje ka kryer edhe ndërhyrje kiurgjikale”, tha Ndreca duke fajësuar pikat kufitare për gabimet që kryjnë ndonjëherë në sistemin TIMS për shkak të ngarkesës, kur sipas tij ka raste kur regjistrohet dalja dhe jo hyrja. Ai shtoi se shumën 40 mijë euro ja kishte lënë xhaxhait të Sh.A, pasi ky i fundit ja kishte lënë atij menaxhimin e apartamentit pasi nuk kishte kohë të kujdesej vetë.

Sipas KPK, Ndreca ka qenë në pamundësi financiare për të kursyer vlerën 5 mijë euro të deklaruar si një prej burimeve për blerjen e të drejtës reale mbi apartamentin në Tiranë. Ndreca tha se gjatë dasmës i ishin dhuruar rreth 500 mijë lekë dhe se këtë vlerë e kishte pasqyruar edhe në deklaratën periodike.

Komisioni ka hetuar për mundësinë e vëllait të Ndrecës për dhënien e huasë 5.5 milionë lekë në vitin 2012. Si burim krjimi të kësaj vlere gjyqtari Ndreca ka deklaruar të ardhurat e vëllait në cilësinë e ortakut të biznesit që zotëron, si edhe nga një overdraft që ka marrë kompania e tij. Nga analiza financiare e KPK ka rezultuar se vëllai i subjektit nuk ka patur burime të ligjshme për dhënien e kësaj huaje, ndërkohë që nuk është konsideruar marrja e overdraftit.

KPK i ka kaluar Ndrecës barrën e provës për mungesën financiare të vëllait për dhënien e huasë 5.5 milionë lekë.

Ndreca shpjegoi se nuk kishte arritur të merrte kredi në kohën kur kishte rëndë dakord për të blerë të drejtën reale të apartamentit, pasi nuk kishte kolateral. Sipas tij, në këto kushte kishte marrë huanë 5.5 milionë lekë nga vëllai. Ai këmbënguli se shoqëria që administrohej nga vëllai kishte marrë overdraft dhe mund ta përdorte kur të donte.

Bazuar në konkluzionet e arritura nga audituesi ligjor, Ndreca tha se vëllai i tij, sipas librave të shitjes për periudhën janar-maj 2012, kishte pasur 6.7 milionë lekë arkëtime dhe 1 milion e 350 mijë lekë të përfituara nga TVSH. Ai tha se vlera totale e përfituar nga vëllai për këtë periudhë kishte qenë rreth 8.1 milionë lekë nga të cilat 7 ishin depozituar në arkën e shoqërisë dhe pjesa tjetër në bankë.

“Si përfundim…, kam marrë nga vëllai 5.5 milionë lekë hua që ai i ka përfituar nga aktiviteti i ligjshëm që zotëron dhe njëkohësisht kanë pasur një overdraft që mund ta tërhiqnin kur të donin gjendjen”, deklaroi Ndreca.

Relatorja Qirko i kërkoi Ndrecës të shpjegonte nëse kishte patur ndonjë vendim mes ortakëve të shoqërisë për dhënien e huasë 5.5 milionë lekë. Gjyqtari Ndreca pohoi se kishte dorëzuar dokukmentacion që vërtetonte se në kohën kur ishte dhënë huaja, vetëm një prej vëllezërve ishte ortak, ndërsa tjetri ishte administrator, në cilësinë e të punësuarit. “Nëse është ulur vëllai me veten e tij për të marrë vendim, nuk di të them”, pohoi Ndreca.

Anëtarja e trupit gjykues, Etleda Çiftja e pyeti nëse vëllai ja kishte dhënë vlerën nga depozita bankare apo gjendja cash. “Ka qenë nga likujditeti i arkës”, pohoi Ndreca.

Për një autoveturë tip Smart të blerë për vlerën 2800 euro nga bashkëshortja e Ndrecës në vitin 2011, Komisioni konstaton se nuk është vërtetuar ligjshmëria e një prej burimeve financiare të deklaruara. Si burim krijimi për këtë pasuri, Ndreca ka deklaruar një dhuratë nga vëllai i tij në shumën 1000 euro që ka rezultuar e justifikuar, ndërsa vlera 1800 euro e dhuruar nga vëllai i bashkëshortes nuk është vërtetuar nga burime të ligjshme.

Ndreca shpjegoi se kishte sjellë dokumentacion ligjor nga institucionet e shtetit Italian, me vulë apostile, që sipas tij vërteton së vëllai i bashkëshortes ka pasur të ardhura në vlerën 15.971 euro gjatë vitit 2011.

Një tjetër pasuri e deklaruar nga Ndreca ka qenë edhe një sipërfaqe trualli dhe një ndërtesë në fshatin Petoq të Mirditës, me pjesë takuese 1/6-ën. Sipas Komisioni, toka ku është ndërtuar banesa është përfituar nga ligji “Për Tokën”.

Ndreca shpjegoi se babai e kishte fituar tokën-truall në vitin 1991 dhe se objekti kishte nisur të ndërtohej në vitin 1920 nga gjyshi i tij dhe ishte përfunduar në vitin 1964. Sipas subjektit, ndërtesa ishte braktisur që prej vitit 1997 dhe se tashmë ishte amortizuar krejtësisht.

Komisioni nuk identifikoi probleme për disa hua dhe dhurime që kanë shërbyer për kurimin e bashkëshortes së gjyqtarit Ndreca. Gjatë seancës dëgjimore ai sqaroi se kishte sjellë dokumente edhe për të ardhurat e një kolegeje që i kishte dhënë hua vlerë 300 mijë lekë. Ndreca theksoi se kolegia që i kishte dhënë hua ishte konfirmuar në detyrë nga KPK.

Gjyqtari Bib Ndreca u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në fund të fjalës së tij, Ndreca tha se u qëndronte të gjithë parashtrimeve. “Ritheksoj se, pavarësisht se si duken disa numra pasurie apo pasaktësi, deklaroj me përgjegjësi ligjore se pasuria ime përbëhet nga një kredi për banesë 84 m2 në periferi të Tiranës për të cilën do të paguaj këstet deri në vitin 2032; tokë bujqësore dhe një hua të marra për arsye shëndetësore… . Këto kam. Në bindjen time kam arritur nivel të besueshëm dhe kërkoj konfirmimin në detyrë”, pohoi gjyqtari Ndreca.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 18 shtator ora 09:45.