Xhensila Pere ka realizuar këtë verë një video sensuale, ku i jep motorit në mesnatë me bikini në bregdetin e Durrësit.
Ish-lojtarja e “Big Brother” nuk njeh limite as në lirinë shpirtërore e as në adrenalinën e shpejtësisë, ku ekstremi i saj i aventurës është pikërisht ekstremi i kilometrazhit.
Shpesh e keqkuptuar për botën e saj të veçantë dhe natyrën e çlirët, për “Panorama Plus” Xhensila rrëfen jetën sipas rregullave që i vendos vetë ajo. Sërish na surprizon me një video ku shfaq sensualitetin sipër një motori “Harley-Davidson”.
Me çfarë qëllimi e realizove këtë video natën në breg të detit?
Xhensila Pere: Ka lindur shumë spontanisht, ashtu si gjithmonë. Kohët e fundit kam vuajtur nga komentet mbi peshën time. Për shkak të një problemi shëndetësor pësova një humbje në peshë. Por njerëzit nuk arritën ta kuptojnë këtë gjë, edhe për faktin se unë nuk e kam shfaqur asnjëherë si problem. Dhe mbi të gjitha kam treguar se sa e bukur është edhe një femër 90-60-90. Dhe meqenëse “ekspertët” e internetit gjykojnë edhe për photoshop, erdha me një video të tillë.
Duket sikur e trajton motorin si një qenie mashkullore. A je dominante me ta?
Xhensila Pere: Varet për ku po flasim … Jam aty ku duhet, sa duhet dhe si duhet. Në fund të fundit, nuk dua të humbë ai feminiliteti që më karakterizon.
Ç’është ky pasion i yti për makinat dhe motorët dhe deri ku shkon ekstremi yt i shpejtësisë?
Xhensila Pere: E kam zbuluar tepër e vogël këtë pasion. As vetë nuk e kam kuptuar se si më ka lindur kjo dëshirë. Por di të them që shpejtësia është adrenalina ime më e madhe, por edhe problemi im më i madh, pasi më ka hapur shumë punë me shtetin, sepse jam kudo duke shkelur rregullat e qarkullimit. Ekstremi im është pikërisht ekstremi i kilometrazhit.
Duhet ta themi që nuk është hera e parë që realizon video të tilla. Si do ta përshkruaje profilin tënd publik si showgirl?
Xhensila Pere: Ajo që luan me limitet, aq sa njerëzit nuk dinë si të më quajnë e ku të më kategorizojnë. Por nëse profili im do ishte në formën e një piramide, në majën e saj qëndron provokimi sepse më pëlqen të luaj, për të parë deri ku arrin gjykimi i një personi.
Ke provokuar gjithmonë mentalitetin shqiptar me daljet e tua apo deklaratat e lirshme. Kur je ndierë vërtet e keqkuptuar?
Xhensila Pere: Gjithmonë. Njerëzit e kanë shumë të vështirë të kuptojnë dhe atë që s’e kuptojnë, jo vetëm që e keqkuptojnë, por edhe e paragjykojnë.
Lirinë tënde shpirtërore e përdor për të gjetur më të mirin që mund të të robërojë një ditë, apo për lirinë ti e fal dashurinë?
Xhensila Pere: Kam vite që pres dikë të më robërojë, pa më humbur liria ime shpirtërore.
Ndihesh aq e bukur sa mos të të shkojë kurrë mendja për bisturi?
Xhensila Pere: Arma ime më e fortë është vetëbesimi, kështu që në çdo lloj situate apo paraqitje, sido të dukem, unë ndihem mirë me veten. Dhe me vetëbesimin që kam, arrij të dominoj edhe mes një bukurie.
Një mashkull i pashëm për shijet e tua, si duhet të jetë në pamje e prezencë?
Xhensila Pere: Për sa i përket pamjes së jashtme te një mashkull, një nga gjërat që më bën për vete janë sytë. Pjesa tjetër nuk ka shumë rëndësi. Ajo që s’duhet të mungojë është sensi i humorit, të dijë të më bëjë për të qeshur sepse për mua është shumë e rëndësishme, pasi është edhe një tregues inteligjence. Njerëzit që dinë të bëjnë për të qeshur janë më inteligjentë. Absolutisht duhet të jetë i formuar dhe me një karrierë të tijën, jo të mamit apo babit.
Çfarë duhet të bëjë në jetë dhe si duhet ta bëjë propozimin?
Xhensila Pere: Propozimi?! Mjafton të jetë i sinqertë dhe plot dashuri dhe këtë gjë të arrijë të ma transmetojë edhe pa folur. Të tjerat pak rëndësi kanë.
Ndërkohë ke folur për një projekt televiziv tëndin. A je afër realizimit dhe ç’tabu mund të thyesh kësaj here?
Xhensila Pere: Kam gati dy vite që flas, por fatkeqësisht nuk kam arritur ta konkludoj, sidomos tani me situatën e pandemisë. Ky projekt do thyejë çdo rregull dhe do jetë në garë me kohën.
Duke qenë se synon televizionin, cilët do të veçoje si prezantuesit që të kënaqin kur i sheh?
Xhensila Pere: Ikona ime e gazetarisë ka qenë dhe do të ngelet Adi Krasta. Për sa i përket epokës së re televizive, fatkeqësisht, rrethi është ngushtuar dhe gjithçka vërtitet rreth 2-3 emrave. E kam paksa të vështirë të përgjigjem, por një emër që ia vlen të përmendet sepse gjithçka e ka arritur me punë të palodhshme, është Luana Vjollca. Ajo sot ka arritur ta kthejë emrin e saj në një brand.
Duke qenë pjesë e këtij realiteti meadiatik, arma jote më e fortë dhe pika e dobët që ke si vajzë showbizi?
Xhensila Pere: Siç e thashë më sipër, vetëbesimin që kam e përdor si armën time të fortë. Ndërsa, për aq sa mund të quhet pikë e dobët, është sinqeriteti.
/Panoramaplus.al