Joe Biden denoncon Presidentin Trump për komentet që duket se nxisin votimin dy herë

Presidenti Donald Trump shkaktoi debat këtë javë, kur u duk se nxiti përkrahësit e tij të votojnë dy herë: me postë dhe në qendrat e votimit, për të vënë në provë sistemin zgjedhor dhe për të garantuar që vota e tyre llogaritet. Votimi më shumë se një herë është i paligjshëm dhe komentet e presidentit u denoncuan nga kritikët, përfshirë nga rivali i tij demokrat, Joe Biden. Korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton nga shteti i zotit Biden, Delauer.

Përkrahësit e zotit Trump ishin të entusiazmuar gjatë një tubimi në Uilmington të Karolinës së Veriut, ku presidenti amerikan u duk se bëri një sugjerim të debatueshëm, për të votuar me postë dhe për të shkuar më pas në një qendër votimi dhe ndoshta për të votuar përsëri.

“Dhe nëse ditën e zgjedhjeve apo votimet para datës së zgjedhjeve, vota nuk është llogaritur, shkoni votoni. Dhe nëse për ndonjë arsye, vota e dërguar arrin, nuk do të mund ta llogarisin sepse do të keni votuar njëherë. Por duhet të siguroheni që vota juaj llogaritet”, tha ai.

Zoti Trump, që ka thënë më parë se votimi me postë shkakton manipulim, e përsëriti mesazhin e tij, në disa postime në Twitter, për të cilat rrjeti social tha se shkelin politikën e tij për Integritetin Qytetar, pasi “nxit njerëzit që ndoshta të votojnë dy herë”.

Votimi më shumë se një herë është i paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Shumë shtete po nxisin votimin me postë, si një metodë e sigurt dhe e parrezikshme gjatë pandemisë.

LEXO EDHE  Tirana pa energji/ Defekt në kabllin elektrik pranë ‘Fabrikës së Miellit’, 6 kabina jashtë funksionit

Komentet e zotit Trump u dënuan nga kritikët, përfshirë kandidatin demokrat për president, Joe Biden, që e akuzoi Presidentin se po sabotonte sistemin zgjedhor amerikan.

“Mendoj se qëllimi është të krijohet aq shumë kaos saqë cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, ai të vihet në dyshim. Mendoj se kjo duhet të jetë arsyeja e tij, sepse ai thotë dhe bën gjëra që asnjë president amerikan në histori nuk i ka bërë. Dhe të gjithë ne mendojmë ‘ja edhe një gjë tjetër qesharake, e paligjshme që ai thotë”, tha zoti Biden.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany e mbrojti deklaratën e zotit Trump.

“Presidenti do që qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e votës, jo t’u mohohet ajo. Këtë kishte parasysh me komentet që bëri”, tha ajo.

Por zyrtarët e zgjedhjeve dhe analistët janë të shqetësuar për efektin e mundshëm tek qendrat e votimit.

“Mendoj se presidenti dhe sekretarja e shtypit nuk e kuptojnë se ç’kaos do të shkaktonte paraqitja në qendrat e votimit e atyre që kanë votuar njëherë. Sepse qendrat a votimit nuk e kanë mundësinë që të merren me një fluks votash që duhet verifikuar. Do të thotë një proces më i gjatë dhe radhë më të gjata. Dhe ata individë nuk do ta marrin dot atë informacion që duan gjithsesi”, thotë Matthew Weil, drejtor i projektit për zgjedhje në Qendrën Dypartiake për Politika.

Facebook tha se do t’i heqë nga postimet videot e komenteve të zotit Trump për votimin dy herë, nëse postimet nuk shoqërohen me sqarime për rrezikun e manipulimit./VOA/