Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka kërkuar transparencë dhe qëndrim të prerë në mbrojtje të integritetit territorial detar të Shqipërisë, një ditë pas deklaratës së kryeministrit grek se po zgjerohet 12 milje në detin Jon.
Deklarata e Mitsotakis për zgjerimin e Greqisë në Jon i hap rrugë aludimit se ose tashmë ekziston një draft marrëveshje a papublikuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ose Greqia po vepron njëanshëm, duke cenuar integritetin e territorit shqiptar dhe të drejtat që i takojnë Shqipërisë në Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE) në Detin Jon, thekson VV.
“Dje, më 26 gusht, kryeministri i Greqisë, Qirjakos Micotaqis, deklaroi në parlamentin e vendit të tij se Greqia po zgjerohet në Detin Jon me 12 milje. Nuk është hera e parë që bëhen deklarata të tilla nga pala greke. Këto deklarata nuk janë kurrë të parëndësishme, të rastësishme, spontane. Këto deklarata si urdhërdhënie janë të papranueshme, dhe kjo duhet thënë zyrtarisht. Duke qenë Deti Jon interes sovran i tre shteteve, Shqipërisë, Italisë e Greqisë, një deklaratë e tillë nuk mund të mos shkaktojë shqetësime për qytetarët e Shqipërisë. Vendimi i Greqisë për të zgjeruar hapësirën e saj detare në Jon nuk mund të ndodhë automatikisht. As nuk mjafton marrëveshja e Greqisë me Italinë. Madje, moskonsultimi i Shqipërisë, në rastin e asaj marrëveshjeje, duhet konsideruar si shenjë nënvleftësimi që nuk i ndihmon fqinjësisë së mirë, pasi në pjesën veriore të Detit Jon shtrihet edhe pjesë e sovranitetit të Shqipërisë dhe e të drejtave të shfrytëzimit ekonomik të vendit tonë. Pasiviteti i diplomacisë shqiptare, nuk mund të lexohet ndryshe pos si dështim. Deklarata e Micotaqisit për zgjerimin e Greqisë në Jon i hap rrugë aludimit se ose tashmë ekziston një draft marrëveshje a papublikuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ose Greqia po vepron njëanshëm, duke cenuar integritetin e territorit shqiptar dhe të drejtat që i takojnë Shqipërisë në Zonën Ekskluzive Ekonomike (ZEE) në Detin Jon”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
VV sjell në vëmendje deklaratat e kreut të qeverisë Rama, duke u shprehur se shefi i ekzekutivit i mendon qytetarët shqiptarë si të ishin të OSBE-së.
“Kryeministri e Ministri i Jashtëm Rama, po dje ka këshilluar publikisht qytetarët që para se të shprehen mbi këtë çështje të ndjekin radhën në vijim “…ulu lexo, rri dëgjo, informohu e pastaj shprehu…”. Si duket ai mendon se qytetarët nuk janë të Shqipërisë, por të OSBE-së, dhe e shohin deklaratën greke nga larg, si neutralë. Radha e veprimeve që propozon Edi Rama është e pamundur të ndiqet, pa bërë qeveria një herë transparencë mbi negociatat dhe mbi këtë çështje. Negociatat për këtë çështje kanë rinisur me Greqinë prej vitit 2018, dhe deri më sot publiku është lënë në terr të plotë informativ. Rifillimi i negociatave është mirë kur ato korrigjojnë gabimet e kryera në të kaluarën dhe jo kur i përsëritin ato. Një zyrtar i diplomacisë së Ramës, njëkohësisht anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë, Glevin Dervishi, ka deklaruar gjithashtu dje në mënyrë të papërgjegjshme se “Zgjerimi i mundshëm i Greqisë me 12 milje në Detin Jon, asgjë e re për Shqipërinë”. Edhe ky, si Micotaqis dhe si Rama, nuk thotë asgjë lidhur me kontestin kryesor, çështjen e ishujve grekë, të banuar dhe të pabanuar, përballë dheut kontinental të Shqipërisë që ndërhyjnë në hapësirën e territorit detar shqiptar”, vijon deklarata.
VV komenton edhe deklaratën e anëtarit të Grupit Negociator të Shqipërisë, Glevin Dervishi, se zgjerimi me 12 milje që kërkon Greqia s’ka nevojë për negociata me Shqipërinë, si të pavërtetë dhe të dëmshme.
“Për shembull, Shqipëria ka përballë një ishull thuajse të pabanuar si Otoni, i cili nëse merr fuqi të plotë për ujërat territoriale duke i zgjeruar ato në 12 milje rrezikon, nga një anë, mbivendosjen në verilindje me ujërat territorialë shqiptarë, dhe, nga ana tjetër, me zgjerim në drejtim të Italisë, ndikon negativisht në zonën ekskluzive ekonomike që i takon Shqipërisë në veri të Detit Jon, duke i dhënë Greqisë edhe qasje në Kanalin e Otrantos, që deri sot ka qenë i trajtuar midis Shqipërisë dhe Italisë. Duhet sqaruar publikisht dhe zyrtarisht, ndër të tjera, se cila është vija bazë e drejtë e bregdetit shqiptar me të cilën ka hyrë në negociata pala shqiptare dhe cili është statusi i gjirit të Sarandës në këto negociata, që mos të përfundojmë sërish duke humbur territor si në marrëveshjen e vitit 2009. Prandaj, deklarata si ato të Dervishit, që pretendon se zgjerimi i ujërave territoriale në 12 milje që kërkon Greqia nuk ka nevojë për negociata me Shqipërinë, janë edhe të pavërteta edhe të dëmshme. Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme (MEPJ) në deklaratën e saj të djeshme ka lënë të kuptohet se nuk e shqetëson marrëveshja Greqi-Itali për Detin Jon edhe pse aty mund të vendoset një precendent që rrezikon të ketë pasoja në integritetin territorial detar shqiptar gjatë negociatave me Greqinë si dhe për ZEE-në që i takon Shqipërisë në pjesën veriore të Detit Jon. Njëkohësisht MEPJ vazhdon të mos bëjë asnjë transparencë lidhur me negociatat me Greqinë”, thuhet në deklaratë.
“Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shpalli antikushtetuese marrëveshjen Shqipëri-Greqi të vitit 2009, e cila përmes mangësive serioze në përmbajtje dhe moszbatimit të parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, i kalonte Greqisë pjesë të ujërave territoriale të Shqipërisë si dhe pjesë të zonës ekskluzive ekonomike që i takon Shqipërisë. Të gjithë e kanë të qartë se kjo temë po riaktualizohet tani me ngulm nga pala greke për shkak të tensionit ushtarak Greqi-Turqi të krijuar në Detin Egje për përcaktimin e kufijve detarë dhe të të drejtave të zonave ekonomike. Në një situatë të tillë, do të duhej të ndiqeshin hapat në vijim:
Qeveria e Shqipërisë duhet të zbatojë udhërrëfyesin e përcaktuar nga vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, dhe të mos veprojë në kundërshtim me këtë vendim. Madje më mirë të mos veprojë fare, në mungesë të një Gjykate funksionale Kushtetuese.
Qeveria e Shqipërisë duhet të sqarojë opinionin ndërkombëtar se interesat e Shqipërisë në Detin Jon nuk do të preken, pavarësisht deklaratave greke dhe cilatdo qofshin arsyet e atyre deklaratave. Njëkohësisht duhet të bëjë transparent për publikun çdo draft marrëveshje të dakordësuar gjatë negociatave Shqipëri-Greqi që kanë rinisur prej vitit 2018.
Marrë parasysh tensionet në Detin Egje për kufijtë detarë Greqi-Turqi, qeveria e Shqipërisë nuk duhet të nxitohet për një marrëveshje të re me Greqinë, duke marrë kosto prej konfliktit mes Greqisë dhe Turqisë. Një marrëveshje e nxituar në një situatë ndërkombëtare konfliktuale do të lexohej, në mënyrë të padobishme, si rreshtim në njërin apo tjetrin krah”, vijon në VV.
Në fund i bëhet një apel qeverisë së Shqipërisë të mbajë një qëndrim korrekt dhe kombëtar mbi këtë çështje.
“I bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të mbajë qëndrim korrekt kombëtar mbi këtë çështje, të heqë dorë nga komunikimi evaziv dhe i intepretueshëm. Po ashtu i bëjmë thirrje të gjithë ekspertëve që kanë folur kundër marrëveshjes së vitit 2009 të mos heshtin sot, por të kërkojnë me ngulm të vërtetën, të demaskojnë çdo shkelje të mundshme dhe të vendosen në mbrojtje të integritetit territorial detar të Shqipërisë”, mbyllet deklarata.