Nga Boldnews.al
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, është treguar tejet “pedant” me gjyqtarët e prokurorët të konfirmuar nga shkalla e parë e Vetingut, dhe për të cilët ai ka vlerësuar se kishin kryer deklarim të paplotë të pasurisë.
Mbi këtë argument, Ballhysa ka mbështetur pjesën më të madhe të ankimeve që ka dorëzuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Por, nëse ai vetë do të ishte përballur me procedurat e Vetingut, njëlloj si të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës, me shumë mundësi do të shkarkohej nga detyra, pikërisht për “deklarim të paplotë” të pasurisë.
“Boldnews.al” ka analizuar deklaratat e pasurisë ndër vite të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, në të cilat evidentohen një seri të dhënash të padeklaruara, të pasqaruara sipas ligjit, të cilat mund ta penalizonin atë.
Por, në rastin e tij, si edhe të kolegëve të tjerë në strukturat e Vetingut, qëndron pikëpyetja: “Po rojet, kush i ruan”?
Deklarim i paplotë
Në biografinë e tij zyrtare, Florian Ballhysa deklaron se ka pasur angazhime profesionale në Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe në Parlament, para se të emërohej Komisioner Publik.
Ai ka punuar në administratën e Ministrisë së Drejtësisë, kur institucioni drejtohej nga Fatmir Xhafaj. Por, në atë kohë, Ballhysa nuk ka pasur pozicion që mbarte detyrim për deklarim të pasurisë.
Ai plotëson formularin e pasurisë për herë të parë në vitin 2006, kur emërohet Këshilltar në Gjykatën e Lartë.
Ballhysa, djalë i ri dhe pa impenjime, në vitet 2006 dhe 2007 deklaron vetëm pagën. Në vitin 2008, ai deklaron 200 mijë lekë kursime cash, të krijuara nga paga në Gjykatën e Lartë, si edhe mësimdhënia në Universitetin privat “Justiniani I”.
Edhe në vitin 2009 ai deklaron të njëjtat të ardhura, si edhe kursime 200 mijë lekë, pa e specifikuar nëse janë shtesë mbi ato që ka deklaruar më parë apo është e njëjta shumë.
Në vitin 2010, Ballhysa deklaron sërish të ardhurave nga Gjykata e Lartë e “Justiniani I”, si edhe “kursime 200 mijë lekë”. Por, në këtë vit, deklarimi i tij ndryshon disi, pasi shtohet edhe një kredi.
Juristi Ballhysa deklaron se ka marrë një kredi 30 mijë euro, bashkë me të motrën, për blerje apartamenti. Kredia ishte me afat 5 vjeçar dhe me këst mujor në dy vitet e para 570 euro dhe më tej duke u rritur shifra.
Në vitet e mëpasshme, Ballhysa deklaron shlyerjen periodike të kësaj kredie. Por, në asnjë moment, ai nuk deklaron sa është pjesa takuese e kostos dhe, mbi të gjithë, nëse është përdorur kjo kredi për blerje apartamenti.
Pikëpyetjet mbi përdorimin e kredisë
“Boldnews.al” ka konstatuar se Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, në të gjithë formularët e pasurisë nga viti 2006 e deri në vitin 2018, nuk deklaron pronësi apo të drejta reale mbi ndonjë apartament banimi.
Në vitin 2010 ai deklaron se ka marrë kredi 30 mijë euro, së bashku me motrën, për blerje apartamenti, por nuk jep asnjë të dhënë tjetër.
Subjektet e deklarimit të pasurisë kanë për detyrë që plotësojnë çdo të dhënë të regjistruar apo të drejta reale mbi pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.
Në rastin e Ballhysës, ai ka pasur detyrim të deklarojë nëse me kredinë është blerë apartamenti, si edhe të dhëna, përfshirë sipërfaqen, çmimin e plotë, vendondodhjen, pjesën takuese, e të tjerë.
Në mungesë të të dhënave të deklaruara, tre janë variantet e mundshme që lidhen me kredinë;
- Kredia e marrë për apartament nuk është përdorur për këtë qëllim;
- Kredia është përdorur për një apartament të regjistruar (apo me kontratë porosie) në emër të motrës;
- Kredia është përdorur për të blerë apartament të regjistruar (apo me kontratë porosie) në emër të Florian Ballhysës apo në emër të tij dhe të motrës.
Në të tre rastet, deklarimi i Florian Ballhysës është i paplotë. Por, sidomos, nëse situata përfshihet në rastin e tretë, atëherë Komisioneri Publik është në kushtet e veprës penale të “fshehjes së pasurisë”.
– Në rast se kredia e marrë për apartament është përdorur për qëllime të tjera ose nuk është përdorur ende për qëllimin me të cilin është nënshkruar kontrata bankare që para 14 vjetësh, Florian Ballhysa ka pasur detyrimin ta deklarojë situatën, si edhe të shpjegojë në formularin e pasurisë se përse nuk është përdorur ende ose përse ka ndryshuar destinacion.
Por, në formularët e pasurisë së Ballhysës nuk shënohet asnjë shpjegim i tillë.
– Edhe nëse kredia është përdorur për blerje apartamenti, të regjistruar apo me të drejta reale vetëm në emër të motrës së tij, ai gjithashtu duhet të deklaronte këtë të dhënë, përsa kohë është bashkëkredimarrës.
Por, gjithashtu rezulton se ai nuk ka shënuar asnjë të dhënë të tillë në deklaratat e pasurisë ndër vite.
Dhe, së treti, në rast se kredia është përdorur për blerje apartamenti, ku regjistron në një formë juridike edhe emri i Florian Ballhysës, atëherë ai gjendet në kushtet e “mosdeklarimit të pasurisë”. Këto raste janë kompetencë e hetimit penal nga ana e Prokurorisë.
Pikëpyetjet mbi shlyerjen e kredisë
Florian Ballhysa ka deklaruar se kredia, e shënuar në emër të tij dhe të motrës, në shumën 30 mijë euro, e marrë në vitin 2010, do të shlyhej brenda 5 viteve. Gjithashtu, ai ka deklaruar pagesat e kryera ndër vite.
Por, në asnjë nga deklaratat e pasurisë, ai nuk ka shënuar nëse shuma e kësteve është paguar vetëm prej tij apo në mënyrë solidare, së bashku me motrën.
Po ashtu, Ballhysa nuk ka deklaruar se sa është pjesa që ka shlyer ai dhe sa është pjesa që ka shlyer e motra. Këto të dhëna të munguara, në rastin më të mirë, përbëjnë “deklarim të paplotë të pasurisë”.
Kursime të pambuluara?
Prej vitit 2011 e deri në vitin 2015, Komisioneri Florian Ballhysa nuk deklaron krijim kursimesh. Pra, ligjërisht, të ardhurat që ka krijuar ai dhe bashkëshortja e tij janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve familjare dhe kredisë.
Përgjatë kësaj kohe, Ballhysa ndryshon disa herë pozicionin e punës. Deri në Mars të vitit 2013, ai ishte Këshilltar në Gjykatën e Lartë.
Më pas, për vetëm një muaj, Maj-Qershor 2013, ai punësohet si Këshilltar në Gjykatën Kushtetuese.
Pesë muaj më pas, në Nëntor 2013, Ballhysa emërohet Këshilltar në Drejtorinë Ligjore të Parlamentit, në kohën që Komisioni i Ligjeve drejtohej nga Fatmir Xhafaj.
Nga Janari deri në Shtator 2015, Florian Ballhysa shërben edhe si Koordinator i Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, i cili drejtohej sërish nga Xhafaj.
Pas këtij momenti, Ballhysa ka një shkëputje nga angazhimet në institucione shtetërore. Deri në atë moment, ai kishte deklaruar vetëm të ardhurat nga paga dhe shlyerjen e kredisë. Asnjë kursim.
Në Qershor të vitit 2017, Florian Ballhysa rikthehet sërish të plotësojë deklaratën e pasurisë, kësaj radhe si Komisioner Publik në strukturat e Vetingut.
Në formularin përkatës, Ballhysa deklaron se, përgjatë periudhës 2015-2016 ka ofruar konsulenca juridike për OSBE-KE, etj, për të cilat është paguar në total 1690 euro. Ndërkohë, në pjesë e formularit të bashkëshortes, nuk deklarohen të ardhura nga punësimi.
Por, ndërkohë që deklaron se në dy vite (2015-2016) ka pasur të ardhura vetëm 1690 euro, ose rreth 200 mijë lekë të reja, Ballhysa deklaron se ai dhe bashkëshortja e tij kanë kursyer 300 mijë lekë të reja (200 mijë Ballhysa dhe 100 mijë bashkëshortja).
Nonsensi logjik dhe aritmetik me shifrat nuk është sqaruar as në formularët në vijim, duke ngritur pikëpyetjen se si ka arritur të kursejë 300 mijë lekë, kur të ardhurat kanë qenë 200 mijë lekë.