Nga Boldnews.al
Në ambasadën tonë në Greqi dhe Konsullatë qindra emigrant piqen në diell për të marrë një shërbim që nuk po ua afron kush. Radhë të gjata për të siguruar një pasaportë dhe dokumente tjera, korrupsion diplomatic me ndërhyrje e ca “evrove” në duar për të mbaruar një punë… Por telashet për emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi nuk kanë të sosur, edhe kur kthehen në atdhe dhe më pas tentojnë të futen në shtetin grek.
Për shkak të rritjes së frikshme të numrit të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, pala greke është detyruar që të mos lejojë të kalojnë kufirin asnjë qytetar shqiptar, pa kaluar më parë në testin e “Covid-19”. Me mijëra emigrantë shqiptarë, mes tyre gra, të moshuar dhe fëmijë, qëndrojnë prej 24 orësh në radhë kilometrike në pikën kufitare të Kakavijës.
Është një pamje dramatike që s’ka sy qeveritar që i qaset, kur kreu i qeverisë është me pushime në relaksin e tij në Dhërmi dhe ministrat janë të zënë me statuse në rrjetet sociale dhe postimet e “shqipërisë imagjinare”.
Është kaq absurde sa këtë situatë duhet ta zgjidhin dy ministra… Për fatin e keq të emigrantëve si fillim kjo çështje peshon në shpatullat e rinorit Gent Cakaj (ministër i jashtëm me autorizim kryeministri). Kushdo që e njeh dhe analizon punën që bën është i bindur se ende nuk e ka kuptuar që është ministër, madje me peshë të madhe. Ky 28-vjeçar përfaqëson diplomacinë tonë në botë dhe shquhet për gafa. Një peshqesh që na e la kryeministri Edi Rama, pasi në fillim ia “shiti” Baca Baton dhe tashmë e ka nxjerrë në “tregun politik” kryeministri ynë.
Faktet tregojnë vetë. Në arenën ndërkombëtare jemi dështim total dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nuk është në gjendje të sillet qoftë edhe si një burokrat i rëndomtë që të paktën në ambasadat tona në botë të ofrohet shërbimi i kërkuar për qytetarët. Është një nga rastet e shumtë që fare lehtë mund të behesh ministër kur Batoni dhe Edi janë në qejf, por denigrohesh publikisht nga paaftësia me problemin më të vogël që shfaqet.
Ministri 28-vjeçar nuk është i vetmi që mban përgjegjësi për situatën e krijuar ditët e fundit në kufirin Greko-Shqiptar, pasi “spaletat” e rënda të lëna në kasafortën e Rilindjes të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj nuk vlejnë më. “Procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese. Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar”-reagoi Lleshaj. Po çfarë duhet të bëjnë policët tanë në atë zonë? Një qëndrim qesharak pasi policia në këtë mes nuk mund të ofrojë asnjë zgjidhje.
Në një njoftim të dytë thuhet se: “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek”. Më tej policia nuk ka si të mos tregojë edhe forcën teksa shton -“për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore”.
Po, nuk i duhet ngrënë haku ministrit… Nëse është nevoja të përdorë gazin lotsjellës për të shpërndarë gra, fëmijë e burra të revoltuar aty në kufi është gati ta japë urdhrin, magazinat janë plot me gazin lotsjellës…
Çështja në kufi është mjaft e rëndë. Së pari duhet një marrëveshje me palën greke, e cila edhe ajo është në të drejtën e saj që pikërisht në këtë kohë pandemie dhe duke parë gjendjen skandaloze dhe katasrifike që po kalon Shqipëria nga koronavirusi, ka vendosur të kryejë vetë testimet për këdo person që shkel në tokën e tyre nga pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë.
Vendi ynë është në listën e kuqe të rrezikut, pasi testimet bëhen në numër shumë të ulët, rastet e shtrimeve janë alarmante, ndërsa vdekjet nga “COvid-19” deri ditën e djeshme kapën shifrën e lartë 213 persona.
Për të mos pasur këtë dramë emigrantësh që po përjetohet në kufi mes të diellit dhe pa ushqime dhe ujë, nevojitej që të pajiseshin me një “certifikatë shëndetësore” të lëshuara nga pala jonë, pasi të kishin kryer testin e Covidit, por kjo as nuk mund të mendohet për aq kohë sa pandemia e ka mbërthyer Shqipërinë sidomos nga mungesa e strategjisë, papërgjshmëria dhe babëzia qeveritare që edhe në “kohë kolere” mendojnë për tendera oligarkike miliona euro.
Radhët do shtohen edhe më shumë, bashkë me durimin që duket se po i vjen fundi, pasi si Genti “diplomati” ashtu edhe Sandër “gjenerali” nuk po japin asnjë zgjidhje!