Zgjedhja e “sekretarëve” në Gjykatën e Lartë, konkurenti akuza USAID-it: Mashtruesa, si shqiptarët (Foto)

Nga Boldnews.al

Një jurist i ri, i identifikuar në rrjetin social “Facebook” me emrin Bruno Mebelli, ka hedhur akuza të rënda për procesin e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe USAID për përzgjedhjen e 12 “sekretarëve gjyqësore” për Gjykatën e Lartë, të cilën Ambasada Amerikane në Tiranë e konsideron si “histori suksesi”.

Djaloshi Mebelli, i cili duket se ka qenë një prej konkurentëve në këtë proces, ka akuzuar organizatorët e konkursit, përfshirë KLGJ dhe USAID, për paracaktim të fituesve.

Provimi me skandaloz që kam marrë pjesë ndonjëherë. Kur do i bëni publike emrat e fituesve dhe pikët e marra, të paktën për transparencë. Pyetjet e provimit ishin të nivelit për vitin e parë juridik. Shkurt, vendosët kë donit ju, personat ishin të paracaktuar, pa mundësi për të rishikuar tezën nëse vërtet nuk ishin marrë pikët për kualifikim”, shkruan ai me nota revolte.

Më tej, i riu nuk ka asnjë kompleks për të vënë një shenjë barazimi mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, kur i konsideron të dyja palët mashtruesa.

Sa na harxhuat kohë kot dhe lekë për plotësim dokumentash. Prandaj nuk bëhet ky vend, sepse dhe ndërkombëtarët janë bërë mashtruesa, më keq se shqiptarët”, e përfundon komentin e tij Bruno Mebelli, në një status të USAID-it në rrjete sociale, ku reklamohej si një risi e rëndësishme përzgjedhja e 12 juristëve të rinj, të cilët do të stivosin rreth 35 mijë dosje stok në Gjykatën e Lartë.

6 muaj për 12 sekretarë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe USAID-Albania e kanë vlerësuar procesin e “përzgjedhjes së 12 juristë të rinj e të zotë shqiptarë në rolin e Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura (NUNÇP)”.

Sipas organizmave që financohen nga Uashingtoni, “Të dymbëdhjetë (juristët) punojnë tashmë në gjykatë dhe aktualisht janë përqendruar në krijimin e një inventari të hollësishëm të afro 35,000 çështjeve të pazgjidhura të gjykatës”.

Procedura për përzgjedhjen e NUNÇP-ave ka nisur në Prill 2020 dhe duket se është finalizuar vetëm së fundmi, pas një serie të gjatë procedurash konkuruese.

LEXO EDHE  Kufiri detar me Greqinë/ Rama: Pa marrëveshje nuk ka zgjerim, jam i bindur që do gjejmë zgjidhje

Megjithatë, koha e gjatë e përzgjedhjes së NUNÇP-ave dhe shprehjet me nota superlative të Ambasadës së SHBA dhe USAID për këtë proces, nuk duket se justifikohet me punën konkrete që do të kryejë kjo “trupë e përzgjedhur juristësh”.

Detyra e 12 juristëve të rinj është stivosja dhe arkivimi i stokut të dosjeve të Gjykatës së Lartë, një punë që e kanë bërë deri më tani dhe vijojnë ta kryejnë edhe sekretarët gjyqësore të këtij institucioni.

Aktiviteti i Gjykatës së Lartë nuk ka çaluar dhe, aq më tepër, nuk është bllokuar për shkak të arkivës.

Problemi aktual i Gjykatës së Lartë është që nuk ka numër të mjaftueshëm gjyqtarësh për të formuar kolegje gjyqësore e për të shqyrtuar mijëra çështje që presin prej vitesh të dalin në seanca.

Gjykata e Larta ka aktualisht në detyrë vetëm 3 anëtarë, i cili përbën numrin më minimal, të nevojshëm për shqyrtimin e një kategorie të vogël rastesh që paraqiten pranë saj.

Nga të dhënat publike të raportuara nga Gjykata e Lartë, deri më tani kanë marrë zgjidhje rreth 250 raste, ndërkohë që stoku i dosjeve të depozituara pranë saj e ka kaluar shifrën 35 mijë.

Gjykata e Lartë për dy vite ka qenë tërësisht jashtë funksionimit, pasi ajo u “zbraz” nga të gjithë ish-anëtarët, një pjesë e të cilëve u larguan në përfundim të mandatit, ndërsa të tjerë për shkak të Vetingut.

Zëra kritikë në Shqipëri kanë identifikuar procedurat me standarte të shumëfishta të Vetingut, si një ndër arsyet kryesore të paralizimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Faktorët ndërkombëtarë në Tiranë, bashkëpërgjegjës për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, janë munduar të sfumojnë këto kritika, duke premtuar se rezultatet në të ardhmen do të jenë shumë të mira.

Si rast suksesi përmendet edhe përzgjedhja e 12 NUNÇP-ave, të cilët, edhe nëse do të kenë angazhimin maksimal në 6 muajt e punësimit të tyre, deri në Mars 2021, sërish nuk do të mund të ulin stokun e dosjeve, të cilat shqyrtohen nga gjyqtarë dhe jo “sekretarë gjyqësorë”.