Padia në gjykatë/ Etilda Gjonaj, shantazh Përmbaruesve Privatë me “veting ministror”

Nga Boldnews.al

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka paditur në gjykatën administrative Etilda Gjonaj, duke kundërshtuar urdhërin e ministres së Drejtësisë për atë që ata e konsiderojnë si “veting të paligjshëm” ndaj tyre.

Me një Urdhër të firmosur në Qershor 2020, Ministria e Drejtësisë kërkon nga Përmbaruesit Privatë që të vetëdeklarojnë të dhënat e tyre personale dhe aktivitetit profesional, sipas parashikimeve të ligjit 26/2019 “Për Shërbimin e Përmbarimit Gjyqësor Privatë”.

Por, siç konstaton Dhoma e Përmbaruesve Privatë, Urdhëri i Ministres ka tejkaluar kërkesat ligjore, duke parashikuar që ata  të vetëdeklarojnë edhe për aktivitetin e tyre para se të licensoheshin përmbarues, si edhe masat disiplinore apo gjendjen gjyqësore.

Për më tepër, konstatojnë Përmbaruesit Privatë në padinë drejtuar gjykatës, Ministria e Drejtësisë parashikon penalitete në rast se formularët e vetëdeklarimit nuk janë plotësuar saktë.

Për Dhomën e Përmbaruesve Privatë, formulimi i Urdhërit të Etilda Gjonaj është një lloj “vetingu ministror”, i cili është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe mund të përdoret si shantazh ndaj tyre gjatë ushtrimit të profesionit.

Në foto: Pjesë nga padia e Dhomës së Përmbaruesve Privatë kundër Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj

Shkeljet proceduriale

Fillesa e përplasjes ligjore është një Urdhër nr.190, i Ministres së Drejtësisë për “rifreskimin e dosjeve personale të përmbaruesve”, firmosur në 22 Qershor 2020.

Përmbaruesit Privatë vlerësojnë se, Ministrja e Drejtësisë, nën petkun e një veprimtarie rutinore për plotësimin e Regjistrit përkatës, ka vendosur disa detaje, të cilët përmbajnë elementët e një procesi Vetingu ndaj tyre, në tejkalim të parashikimeve ligjore.

Për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë, Urdhëri i Paligjshëm i ministres Gjonaj, i hartuar në shkelje proceduriale, mund të përbëjë shkak për të ushtruar presion dhe shantazh mbi profesionistët e lirë të këtij sektori.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë i ka renditur argumentat e saj në një padi prej 14 faqesh, në të cilën kërkon nga gjykata, fillimisht pezullimin e urdhërit dhe më tej shfuqizimin e tij si akt që vjen në kundërshtim me ligjin.

Padia pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit.

“Boldnews.al” ka siguruar padinë e Dhomës së Përmbaruesve Privatë kundër Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Padia nis me konstatimin e paditësve se Urdhëri i Ministres është kryer në shkelje proceduriale, gjë që e bën aktin absolutisht të pavlefshëm.

Ministria e Drejtësisë nuk është konsultuar me Dhomën e Përmbaruesve Privatë për hartimin e këtij urdhëri, siç përcaktohet në ligjin 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Për Përmbaruesit Privatë, kjo shkelje proceduriale, e cila e shndërron urdhërin në akt “nul” është një veprim i qëllimshëm i Ministres së Drejtësisë, për të realizuar objektivin kryesor-“Vetingun” e paligjshëm.

Pse është Veting i paligjshëm

Ligji 26/2019 nuk parashikon, në asnjë pikë të tij, kryerjen e një procesi rivlerësimi për Përmbaruesit Privatë.

LEXO EDHE  Studentët e ‘Ekonomikut’ në Tiranë protestë, kërkojnë ulje të tarifave

E vetmja kërkesë e ligjit është rifreskimi i të dhënave, edhe kjo, për shkak të problemeve administrative të Ministrisë së Drejtësisë, e cila nuk ka mbajtur një Regjistër të saktë mbi dosjet e përmbaruesve privatë.

Ligji ka të parashikuar shprehimisht se në dosjen e Përmbaruesve duhen, kryesisht dokumenta personalë të profesionistëve të fushës, si edhe të dhëna mbi aktivitetin privat, përfshirë regjistrimin, licensimin, etj.

Por, Ministria e Drejtësisë ka tejkaluar parashikimet ligjore në Urdhërin e saj për “rifreskimin e dosjeve personale të përmbaruesve”, duke kërkuar dokumenta shtesë, si edhe penalitete në rast se vetëdeklarimi i Përmbaruesve është i pasaktë.

Dhoma e Përmbaruesve Privatë konstaton se “në këto formularë vetëdeklarimi janë kërkuar të dhëna, të cilat administrohen nga vetë Ministria e Drejtësisë, si vetëdeklarimi i masave disiplinore, e të tjerë”.

Çfarë do të provojë Ministria e Drejtësisë me kërkesën për vetëdeklarim, mbi dokumente që i ka nxjerrë, njoftuar apo arkivuar vetë?” ngrenë pyetjen Përmbaruesit Privatë në padinë e tyre.

Në vijim, padia e Përmbaruesve Privatë shoqërohet me një tjetër pyetje: “Për çfarë duhen të dhënat për statusin familjar apo për librezën e punës para licensimit si përmbarues, të cilat janë të dhëna personale dhe nuk lidhen aspak me ushtrimin e profesionit?”.

Për Përmbaruesit Privatë, dyshimet e mësipërme, si edhe të tjera të renditura në padi, “forcojnë konstatimin e Dhomës se qëllimi i Aktit të Ministres së Drejtësisë nuk orientohet në përditësimin e të dhënave të dosjes përmbarimore, por drejt një procesi Vetingu, i cili, nëpërmjet formularëve të vetëdeklarimit synon kontrollin në formë shantazhi të përmbaruesve gjyqësorë privatë”.

Të njëjtin proces “Vetingu”, Ministria e Drejtësisë kreu edhe me noterët. Procesi, i cili ka filluar në Janar 2019 me një urdhër të ngjashëm, nuk ka përfunduar ende.

Në foto: Urdhëri për “Vetingun” e noterëve, Janar 2019

Noterë të shumtë ankohen se u është bërë shantazh nga individë të ngarkuar me detyrën e rishikimit të dosjeve personale.

Asnjë noter, deri më sot, nuk ka dalë “me probleme”. Kjo ngre dyshimin se procesi i “Vetingut” është hartuar për arsye krejt të tjera.

Janë të njëjtat arsye, për të cilat përmbaruesit deklarojnë sot se “Nuk do t’i lejojmë”.

Pas parashtrimit të argumentave, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë kërkon nga gjykata pezullimin e menjëhershëm të Urdhërit nr. 190, dt. 22.06.2020 të Ministres së Drejtësisë, pasi pasojat e zbatimit të tij mund të jenë të pariparueshme.

Më tej, Përmbaruesit Privatë kërkojnë shfuqizimin e Urdhërit, për arsye se ai është miratuar në kundërshtim me ligjin.