Vetingu/ Rasti “Spartak Çoçoli” ngre dyshime për cilësinë e raporteve të DSIK

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkoi nga detyra, në 16 Korrik 2020, prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, i cili u rrëzua në dy kriteret e hetuara-integritetin dhe profesionalizimin.

Por, përpara se të shkarkonte Çoçolin, trupa e përbërë nga kryesues Lulzim Hamitaj, relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, rrëzuan në mënyrë të njëpasnjëshme dy raporte të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), të cilat i gjeti fillimisht të paplotë dhe, më tej, të pambështur në prova e fakte.

Çoçoli u përfshi në procesin e Vetingut, në Nëntor 2019, pas një sugjerimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërkohë që ish-prokuroria për Krime të Rënda e kishte nën hetim për korrupsion.

Aktualisht, ai është marrë i pandehur nga Prokuroria Speciale-SPAK.

Pozita proceduriale e prokurorit Çoçoli duket se ia ka bërë më të lehtë punën Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij nga detyra.

Megjithatë, në vendimin e zbardhur, KPK ka evidentuar disa problematika në raportimet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, të cilat ngrenë dyshime për “naivitet” ose, edhe për “fiktivitet” në përpunimin e atyre që konsiderohen si “informacione operative”.

Dy raporte të rrëzuara të DSIK
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit informon se, në Nëntor 2017, DSIK e ka konsideruar prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, të përshtatshëm për të vijuar detyrën.

Ky raport, siç shkruhet në vendimin e Komisionit të Vetingut, është hartuar pa marrë informacionet e një prej tre agjencive ligjzbatuese që kontribuojnë për hartimin e tij.

Në janar të vitit 2020, kur në media ishte publikuar hetimi për korrupsion, i nisur ndaj Spartak Çoçolit nga Prokuroria për Krime të Rënda (më tej, SPAK), Komisioni i Vetingut kërkon nga DSIK një raport të përditësuar mbi figurën e prokurorit të Gjirokastrës.

Në raportin e dytë, DSIK konstaton “papërshtatshmërinë” e prokurorit për të vijuar detyrën.

Por, edhe në këtë rast, rezulton që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka kryer një verifikim “sipërfaqësor”, të pambështetur në prova, fakte apo edhe informacione të besueshme.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka rrëzuar edhe këtë raport të dytë të DSIK, duke arritur në konkluzionin se “nuk rezultoi asnjë nga rrethanat e parashikuara në ligj”, përfshirë kontakte me persona të krimit të organizuar, për të vendosur mbi papërshtatshmërinë e subjektit për të vijuar detyrën sa i përket kriterit të figurës.

LEXO EDHE  I shpallur në kërkim 9 herë, arrestohet Petrit Lazeri

Megjithatë, KPK ka shprehur qëndrimin se indicjet e marra nga raporti i DSIK janë analizuar në raport me verifikimet e kryera sa i përket aspektit profesional të prokurorit Çoçoli.

Në vijim, trupa gjyqësore ka analizuar kriterin profesional të subjektit Çoçoli, në të cilin ka konstatuar mangësi të shumta dhe në përfundim vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Si “operon” DSIK
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) është një ndër institucionet ndihmëse të procesit të Vetingut.

Ky institucion mbledh dhe përpunon informacionet “operative” të strukturave gjurmuese, përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.

Përfshirja e DSIK në procesin (Vetingut) është parë me pikëpyetje që në nisje të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi të gjitha strukturat informuese janë në varësinë politike të kryeministrit ose titullarët e tyre zgjidhen prej kreut të Qeverisë.

Dyshimet paraprake u forcuan edhe më shumë, kur media zbuloi se, menjëherë sapo filloi procesi i Vetingut në vitin 2017, Ministria e Brendshme që në atë kohë drejtohej nga Fatmir Xhafaj, udhëzoi strukturat e larta policore që të mbanin “nën monitorim” gjyqtarët e prokurorët për situata të dyshuara si korruptive.

Kjo “nismë” e Xhafajt u konsiderua si “presion policor dhe qeveritar” mbi sistemin e drejtësisë.

E megjithatë, kritikat publike nuk duket se e kanë frenuar Policinë për të “mbledhur informacione” mbi gjyqtarët e prokurorët, një pjesë e të cilave i referohen Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

“Boldnews.al” ka raportuar më parë se si drejtori i Policisë së Elbasanit, u ka shpërndarë së fundmi një mesazh vartësve të tij, ku u kërkon që të grumbullojnë informacione për ato që ata i konsiderojnë raste të dyshuara korruptive nga gjyqtarët e prokurorët.

Këto informacione, të mbledhura nga Policia, por jo vetëm, shërbejnë si bazë për raportimet që DSIK u dërgon strukturave të Vetingut.