Bizneset shqiptare po ikin jashtë/ Investohen 1.3 mld euro në përiudhën 2013–2019

Nga prilli 2019 në mars të vitit 2020, kompanitë shqiptare kanë investuar 62 milionë euro jashtë vendit, ndërsa stoku i investimeve shqiptare jashtë për periudhën 2013-2019 ësht ë1.3 mld euro. Investimet po udhëhiqen nga tre projekte të mëdha në Maqedoni, të cilat po realizohen nga kompanitë Balfin, Agna dhe Fufarma. Balfin eksporton modelin e qendrës tregtare TEG, ndërsa lehtësitë fiskale tërheqin projektet shqiptare për prodhimin e ilaçeve dhe biskotave në Maqedoni. Ministri i investimeve, Hisen Xhemaili, shpjegon lehtësitë për tre investimet shqiptare dhe etapat e punimeve. Grupet e mëdha kërkojnë diversifikim jashtë vendit, ndërsa sipërmarrje të tjera po nxiten nga mjedisi më i favorshëm i biznesit që ofrojnë fqinjët dhe lehtësitë fiskale

Nga Blerina Hoxha

Maqedonia e Veriut është bërë vitet e fundit mjaft tërheqëse edhe për disa biznese shqiptare, të cilat janë maturuar në tregun e brendshëm dhe po ndërtojnë strategji zgjerimi në rajon. Tendenca e fundit tregon se, përveç sektorëve të tregtisë dhe ndërtimit, tani bizneset shqiptare po transferojnë edhe linjat e prodhimit jashtë vendit.

Kompania e farmaceutikës Fufarma, vitin që vjen pret të aktivizojë linjën e prodhimit të medikamenteve në Maqedoni, një investim prej 20 milionë eurosh; Agna Group, përveç distribucionit, ka aktivizuar fabrikën e prodhimit të biskotave që do të jetë nga më të mëdhatë në Ballkan.

Skojpe East Gate (SGE) një investim i ngjashëm me qendrën tregtare TEG, po ndërtohet me ritme të shpejta nga grupi Balfin në Maqedoni, kurse në Kosovë ka një zgjerim të mëtejshëm në sektorët e ndërtimit dhe energjisë nga kompanitë shqiptare. Burimet zyrtare nga Balfin Group pohuan se gjatë vitit 2019 janë investuar gjithsej 112 milionë euro, 50% e të cilave ishin jashtë vendit.

Banka e Shqipërisë përllogariti se në vitin 2019 u investuan nga bizneset vendase 42 milionë euro jashtë vendit. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015, por tendenca vijoi edhe në tremujorin e parë të vitit 2020, me 12 milionë euro investime jashtë. Në harkun kohor të një viti, nga prilli 2019 në mars 2020, kompanitë shqiptare investuan jashtë vendit 62 milionë euro.

Pas një rënie prej gati tre vitesh, stoku i investimeve jashtë u rrit ndjeshëm gjatë vitit 2019 dhe ka vijuar të njëjtin trend edhe për vitin 2020. Në vitin 2019, stoku i tyre arriti në 1 miliardë e 303 milionë euro, me një zgjerim prej 4% në krahasim me vitin 2018. Ministri i investimeve Vendore në Maqedoni, Hisen Xhemaili, tha për “Monitor” se Balfin Group ka përfunduar rreth 60% të investimit prej 300 milionë eurosh.

Ai shpjegoi se linjat e prodhimit në farmaci dhe industri ushqimore subvencionohen 50% nga shteti dhe përfitojnë një seri lehtësish. Burimet nga kompania Fufarma pohuan se zgjodhën Maqedoninë, për shkak se 50% e investimit subvencionohej, teksa u krijuan shumë lehtësi në lidhje me infrastrukturën mbështetëse. Të njëjtat burime thanë se investimi është në fazën përmbyllëse dhe vitin tjetër, linjat e prodhimit do të vihen në punë.

Me pandeminë e COVID-19, tregu i farmaceutikës po përballet me kërkesë jo të zakontë për barna dhe vitamina, ndaj Fufarma e shikon me optimizëm investimin në Maqedoni. Për arsye të ngjashme ka investuar edhe AGNA Group, në hapjen e fabrikës së prodhimit të biskotave.

Ministri Xhemaili: Lehtësitë që morën investimet shqiptare në Maqedoni

Maqedonia e ka pikë të fortë të zhvillimit të saj thithjen e investimeve të huaja dhe për të realizuar këtë synim, ka lehtësuar procedurat burokratike, ofron subvencione për kompanitë e huaja që hapin vende pune deri në 50% dhe taksat më të ulëta në rajon, tha Hisen Xhemaili, ministër për investimet Vendore në Maqedoni.

Ai tha se, deri më tani, investimet nga Shqipëria janë duke u realizuar me ritme pozitive, sidomos investimi nga Balfin Group, që ka arritur të realizohet në masën 60% dhe që në total, kap vlerën e 300 milionë eurove. Xhemaili pohoi se, sa i takon këtij investimi që është kryesisht privat, lehtësitë janë në dhënien e lejeve të nevojshme, efikasitetin e shërbimeve dhe mbështetjen e nevojshme nga ana e institucioneve shtetërore dhe komunale.

Ndërsa për bizneset shqiptare që do të prodhojnë në Maqedoni, lehtësitë janë edhe më të mëdha, tha ministri. “Fufarma, me fabrikën Sagem, kanë lehtësime dhe subvencionime të drejtpërdrejta nga shteti deri në masën 50% nga investimi i përgjithshëm, lehtësime për mospagesë të tatimit nga fitimi për 10 vitet e ardhshme, lehtësi për tokën (toka me qira deri në 99 vjet) etj.

Xhemaili u shpreh se, Agna Group është një investim jashtë zonave industriale po që subvencionohet nga shteti në masën 10 deri në 30%, por që nuk ka lehtësi të tjera në lidhje me përjashtimet tatimore.

Në dekadën e fundit, Maqedonia është treguar agresive në strategjitë për tërheqjen e investitorëve të huaj, duke konkurruar në rang global, dhe është e para në rajon për klimën e biznesit. Maqedonia, sipas raportit të Bankës Botërorë të “Doing Business 2019”, renditet në të 10 kriteret kryesore shumë para Shqipërisë. Maqedonia u rendit e 13 në botë për lejet e ndërtimit, ndërsa Shqipëria në vendin 151-të në botë. Maqedonia u rendit në vendin e 57 për aksesin në energji, Shqipëria në vendin e 140-të. Në lehtësitë e pagesës së taksave, Shqipëria u rendit e 122-ta në botë, ndërsa Maqedonia e 31-ta në botë.

Eksportohet, modeli i qendrave tregtare shqiptare

Qendrat tregtare në Shqipëri, që menaxhohen nga grupi Balfin, kanë qenë nga modelet më të suksesshme të biznesit. Balfin, që aplikoi i pari këtë model në vendin tonë, po zhvillon një të ngjashëm, si qendra Tirana East Gate në Shkup, me projektin Skopje East Gate.

Punimet për ndërtimin e qendrës tregtare në Shkup, që është investimi më i madh i këtij lloji atje, kanë nisur në maj të vitit të kaluar. Punimet kanë vijuar në të gjithë projektin. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e investimeve në Maqedoni, më shumë se gjysma e punës ka përfunduar. Sipas të dhënave zyrtare nga grupi Balfin, projekti përfshin tre faza. Faza e parë synon ndërtimin e qendrës tregtare, në të cilën janë konceptuar 250 dyqane në 51 mijë metra katrorë, një nga më të mëdhatë në Ballkan.

Në fazën e dytë, investimet e kompanisë Balfin në Maqedoni përfshijnë ndërtimin e 1600 banesave. Në fazën e tretë dhe të fundit do të realizohet ndërtimi i 5 blloqeve të godinave, për qëllime biznesi, në një hapësirë totale prej 67.000 metrash katrorë. Bëhet fjalë për parkun e parë të zyrave të klasit të lartë për biznesin në Maqedoni.

Burimet zyrtare nga nga Grupi Balfin pohuan se më 2018 janë realizuar 64 milionë euro investime, nga të cilat 70% të investimeve ishin në Shqipëri dhe rreth 30% jashtë, ndërsa gjatë vitit 2019 Grupi Balfin ka pasur rreth 112 milion euro investime prej të cilave rreth 50% janë në Shqipëri dhe 50% jashtë.

Sipas burimeve zyrtare, disa nga investimet e Grupit Balfin përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë përfshijnë projektet e zhvillimit të pronave të patundshme të tipit rezidenca banimi në Austri, zgjerimin e rrjetit të tregtisë me pakicë, Jumbo dhe Neptun, në vendet e rajonit, industrinë minerale në Kosovë me blerjen e Ferronikelit dhe zhvillimi i Skopje East Gate në Shkup që përmban një qendër tregtare, qendër biznesi dhe hapësirash banimi.

Sipas kompanisë, edhe pse viti 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19 ka ndikuar në planet e Grupit Balfin, pasi ka treguar që është konkurrues në tregjet e Ballkanit perëndimor, tani po synon të tregojë veten edhe në tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjeografikisht, BALFIN Group është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni Veriore, Mali i Zi dhe Holandë, me afërsisht 6’000 punonjës në total. Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj.

LEXO EDHE  Hapja e listave, Hajdari del me një propozim të ri: Të martën të punojmë non stop për dokumentin final

Maqedonia tërheqëse për prodhuesit, po ndërtohen dy fabrika shqiptare

Sektori prodhues në Shqipëri, sidomos në industrinë e përpunimit, nuk paraqet leverdi për investime në vend. Mungesa e subvencioneve në prodhim dhe lëndë të para, kostot e larta të ambalazhit dhe lëndës djegëse i nxjerrin prodhimet shqiptare më të shtrenjta se importet. Për shembull, një litër salcë që prodhohet në Shqipëri del 15% më shtrenjtë se një sasi e ngjashme nga importi, për shkak të kostove të larta. Kjo vlen edhe për prodhimet e tjera, sidomos në sektorin e agropërpunimit.

Duke qenë afër Shqipërisë dhe e populluar në një masë të madhe nga shqiptarë, me taksa të ulëta dhe me subvencion 50% të investimit në zonat e lira, Maqedonia arriti të thithë edhe projektet e prodhuesve shqiptarë, krahas kompanive të mëdha ndërkombëtare.

Kompania Fufarma po zhvillon një fabrikë për prodhimin e produkteve farmaceutike në Maqedoni afër Shkupit, me një investim 20 milionë euro. Burime nga kompania thanë se, investimi ka përparuar dhe do të vihet në punë vitin që vjen.

Të ardhurat e kompanisë Fufarma në vitin 2018 ishin 1,2 miliardë lekë, ose rreth 10 milionë euro. Kompania, me përvojë të gjatë në treg, që nga viti 1946, ka në themel të aktivitetit në Shqipëri paketimin dhe shpërndarjen e produkteve farmaceutike. Ndërsa kompania Agna ka instaluar një Maqedoni një fabrikë për prodhimin e biskotave. Agna është një nga grupet më të mëdha të shpërndarjes në vend.

Dy kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues), Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, ivi, 7Up, Lipton ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan në vitin 2018 fitime prej 1.3 miliardë lekësh, me rritje 4% me bazë vjetore. Dy kompanitë raportuan një xhiro rreth 25.2 miliardë lekë, me rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm.

Entela Bardho, që mbulon marrëdhëniet me median në Grupin Agna, tha se, kompania ka zgjeruar biznesin e saj edhe në disa vende të rajonit të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Ajo sqaroi se aktiviteti i biznesit të Agna Group në këto vende është i njëjtë me atë në Shqipëri, pra, shpërndarja ekskluzive e brandeve të mirënjohura ndërkombëtare dhe lokale.

Ndërkohë që Agna vazhdon në mënyrë të pandërprerë përpjekjet për të rritur biznesin në Shqipëri, si tregu kryesor, që mbart edhe fokusin kryesor, Agna Group është e hapur për të parë mundësi të mëtejshme në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, pohoi Bardho. Burimet nga kompania pohuan se fabrika e biskotave në Maqedoni do të jetë më e madhja në Ballkan dhe do të furnizojë edhe tregjet jashtë saj.

Stoku i investimeve shqiptare jashtë arrin në 1,3 miliardë euro

Stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit arriti në 1,3 miliardë euro në vitin 2019, duke u zgjeruar me 4% në raport me vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Stoku i investimeve shqiptare jashtë vendit në vitin 2019 ishte sa 10% e PBB-së dhe është sa 19% e stokut të investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë.

Në tremujorin e parë të vitit 2020, bilanci i investimeve u përkeqësua, pasi ra fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri dhe u rrit fluksi dalës i investimeve shqiptare jashtë vendit. Banka e Shqipërisë raportoi në bilancin e pagesave të tremujorit të parë 2020, se investimet direkte (neto) ishin 214 milionë euro ndaj 285 milionë euro një vit më parë. Rënia është gati 25%.

Ecuria, sipas bankës, reflekton së bashku, nivelin më të ulët të flukseve hyrëse në formën e investimeve të Huaja Direkte dhe zgjerimin e pjesëmarrjeve në investime direkte jashtë. Zotërimet tona jashtë – mjetet financiare në formën e investimeve direkte jashtë, u zgjeruan me 12 milionë euro, nga një fluks negativ neto prej 1.2 milionë euro në 2019, raportoi Banka.

Investimet shqiptare jashtë vendit panë një rritje jo të zakontë në vitin 2013, kur ato shënuan nivelin më të lartë prej 1,4 miliardë eurosh, duke u dyfishuar në raport me një vit më parë kur ky treguesi ishte vetëm 779 milionë euro. Nga viti 2013 – 2019, stoku i investimeve shqiptare jashtë ishte mesatarisht 1,3 miliardë lekë, me një tendencë rritje në mars 2019 dhe mars 2020.

Shqipëria, jokonkurruese, nxit investimet jashtë

Nga një matricë krahasuese e Këshillit të investimeve për “Politikat incentivuese për nxitjen e investimeve: Shqipëria kundrejt vendeve” shihet se Shqipëria është vendi me barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka lehtësitë fiskale më të ulëta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën.

Nga matrica rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatimfitimin 15%, gati 50% më të lartë se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10%. Edhe Serbia e ka tatimfitimin 15%. Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%, Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%, në Serbi varion 10-20%, në Mal të Zi, 9-11%. Në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë, e sheshtë, 10%.

Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në rajon, në nivelin e 20%, teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim 17-19%. Shqipëria, së bashku me Serbinë, renditen ndër vendet me nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.

Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova, me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Edhe në incentivat për investimet, Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë, por së fundmi, qeveria ka nxitur investimet në hotelet e luksit, duke i përjashtuar nga TVSH dhe taksat e tjera. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit, përveç Kosovës, i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese.

Edhe për investimet në fushën e turizmit dhe bujqësisë, vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia, konkurrojnë dukshëm. Serbia ofron përjashtim nga tatimfitimi dhe të pagës për 10 vjet në zonat e lira, 0% TVSH për mallrat që lëvizin brenda zonës së lirë. Edhe TVSH për energjinë e gazin është zero. Vendi ka 14 zona të miratuara dhe 12 zona operacionale. Maqedonia ka 3 zona të lira tërësisht funksionale, ka përjashtim nga tatimfitimi dhe të ardhurat deri në 10 vjet dhe përjashtim nga TVSH të mallrave që lëvizin brenda zonës së lirë.

Sa i përket Malit të Zi, masat nxitëse përfshijnë përjashtim nga taksat për 3 vitet e para, për kompanitë të cilat janë të angazhuara në prodhimin në zona të pazhvilluara (por jo e aplikueshme në agrikulturë, transport, ndërtim anijesh dhe peshkim). Ndërsa në fushën e turizmit, në Malin e Zi përjashtohen nga TVSH importi i të mirave dhe shërbimeve për ndërtimin e hoteleve me 5 yje, reduktim të taksës së pronës me 30% për hotelet me 4 yje dhe 70% për ato me 5 yje. /Monitor/