Rriten tarifat për shërbimin zjarrfikës/ Ja sa do paguhet për zhbllokim ashensori dhe dyersh

Rriten tarifat për shërbimet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin për shtëpitë, bizneset dhe për veprimtaritë e sektorëve të ekonomisë.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri për shërbimin zjarrfikës në objektet e banimit tarifa që do të paguhet do të jetë 5 mijë lekë nëse objekti do të ketë lartësi 12 m deri në 30 mijë lekë për objektet me lartësi nga 32 deri në 54 m.

Në vendimin e shfuqizuar të vitit 2002 tarifat për shtëpitë e banimit varionin nga 500 lekë me vlerë investimi deri në 1 mln lekë, 15 mijë lekë për objektet me vlerë investimi 50 mln lekë dhe tarifa e shpëtimit nga zjarri ishte 50 mijë lekë për ndërtimet në fshatrat turistike me vlerë investimi 1 mln USD. Vendimi me ndryshimet e tarifave u botua në Fletoren Zyrtare.

Për bizneset tarifat do të variojnë nga 5 mijë lekë për sipërfaqet 500 m2 deri në 50 mijë lekë për sipërfaqet mbi 3,000 m2. Vendimi i mëparshëm për dyqanet, lokalet, serviset, repartet artizanale, magazinat e mallrave me vlerë investimi nga 1 deri në 2 milionë lekë, aplikonte vetëm tarife prej 1 mijë lekë.

Përfshihen për herë të parë, aplikimi i tarifave për shërbimet si: zhbllokime dyersh, ashensorë, apo shërbime të tjera të ngjashme), që do të kryhen nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë, tarifa është 2,000 lekë dhe largim të ujërave për shkak të reshjeve ku tarifa do të jetë 5 mijë lekë.

Tarifat e përcaktuara në këtë vendim nuk aplikohen në raste të emergjencave civile dhe ngjarjeve të ndryshme aksidentale. Të ardhurat që realizohen nga arkëtimi i pagesës së këtyre tarifave do të përdoren vetëm për financimin e veprimtarisë së Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për kompletimin me automjete, pajisje të ndryshme zjarrfikëse, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe rritjen e gatishmërisë së shërbimit zjarrfikës.

Tarifat e reja për shërbimet e mbrojtjes nga zjarri

-Për të gjitha ndërhyrjet kur kërkohet nga subjekte fizikë e juridikë (zhbllokime dyersh, ashensorë, apo shërbime të tjera të ngjashme), që do të kryhen nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë, tarifa është 2,000 lekë.

-Për ofrimin e shërbimit me motopompë (largim të ujërave për shkak të reshjeve), subjekteve private, tarifa është 5,000 lekë për një orë.

-Për vënien në dispozicion të personelit dhe të një automjeti në zhvillimin e aktiviteteve sportive, kulturore, si panaire, ekspozita, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare apo ndërkombëtare, tarifa është 10,000 lekë për një orë.

Tarifa për objektet e banimit

-Për vlerësimin dhe miratimin e projektit, dokumentacionit teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për objekte me lartësi deri në 12 metër, tarifa është 5 000 lekë; për objekte me lartësi nga 12 deri në 24 metër, tarifa është 15,000 lekë; për objekte me lartësi nga 24 deri në 32 metër, tarifa është 20,000 lekë; për objekte me lartësi nga 32 deri në 54 metër, tarifa është 30,000 lekë.

LEXO EDHE  Spiunët në administratë, ja institucionet ku do të veprojnë/ Përcaktohen edhe pagesat

Tarifa për bizneset e sektorit të bujqësisë, industrisë, transportit, tregtisë, turizmit dhe shërbimeve

-Për vlerësimin dhe miratimin e projektit, dokumentacionit teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për objekte ku ushtrohet aktivitet ekonomik pavarësisht sektorit, për objekte me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi deri në 500 m2 tarifa është 5,000 lekë; për objekte me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi deri në 1,000 m2, tarifa është 10,000 lekë; për objekte me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi deri në 2000 m2, tarifa është 20,000 lekë; për objekte me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi deri në 3000 m2, tarifa është 30, 000 lekë; për objekte me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi mbi 3000 m2, tarifa është 50, 000 lekë.

Tarifat për objektet me rrezikshmëri të lartë zjarri

Për vlerësimin dhe miratimin e projektit, dokumentacionit teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për stabilimente për përpunimin e drurit me materiale në përpunim dhe/ose në ruajtje, tarifa është 10,000 lekë; për fabrika dhe impiante ku prodhohen, përpunohen dhe/ose mbahen produktet e tekstilit, natyrore/artificiale, produktet e linoleum-it dhe produkte të tjera të ngjashme, tarifa është 10,000 lekë; për stabilimentet dhe impiantet për prodhimin, përpunimin dhe rigjenerimin e laboratorëve të gomës, depozitat e gomës, pneumatikëve dhe produkteve të ngjashme, tarifa është 10,000 lekë; për depot ku prodhohen, përpunohen dhe/ose mbajnë plastikë, tarifa është 10,000 lekë; për stabilimentet dhe impiantet për prodhimin, letër dhe karton, dhe përgatitja e produkteve të letrës në përgjithësi, tarifa është 10.000 lekë.

Tarifat për karburantet

Për vlerësimin dhe miratimin e projektit, dokumentacionit teknik të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për sisteme fikse për shpërndarjen e karburanteve të gaztë dhe tipit të përzier (të lëngshëm dhe të gaztë), tarifa është 20.000 lekë; për sisteme të shpërndarjes së gazit të karburantit për automjete motorike dhe sisteme të shpërndarjes së palëvizshme për benzinë, naftë dhe miks automobilistik, për përdorim publik dhe privat, tarifa është 20.000 lekë.

Tarifat e çertifikatës

Për dhënien e certifikatës së sigurisë nga zjarri, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për objektet që ushtrojnë aktivitete, sipas klasifikimit të rrezikshmërisë nga zjarri, tarifa është 5,000 lekë; për ripërtëritjen periodike të certifikatës së sigurisë nga zjarri, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, tarifa është 2,000 lekë; për lëshimin e vërtetimit të zjarrit (shoqëruar nga raporti i ndërhyrjes), nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, tarifa është 1,000 lekë. /Monitor/